Projekt i realizuar nga:

Mbahet shqyrtimi gjyqësor në rastin e të akuzuarit për ‘Falsifikim të dokumentit zyrtar’ dhe ‘Marrje e ryshfetit’

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është mbajtur seanca e shqyrtimit gjyqësor në rastin e të akuzuarit Rexhep Mehmeti, i cili akuzohet për veprat penale ‘Falsifikim i dokumentit zyrtar’ dhe ‘Marrje e ryshfetit’.

Në seancën e sotme, i akuzuari Mehmeti u deklarua i pafajshëm për veprat për të cilat akuzohet.

Ndërsa nga palët tutje u paraqitën fjalët hyrëse, në të cilën prokurori Zefë Prendrecaj deklaroi ‘se në bazë të hetimeve që Prokuroria i ka realizuar për të gjitha rastet, ka ngritur aktakuzë duke u bazuar në provat materiale, dëshmitë e dëshmitarëve dhe në të gjitha provat e tjera që janë të bashkangjitura me këto aktakuza. Provat, të cilat do të administrohen gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor, do të vërtetojnë përtej dyshimit të bazuar mirë se i akuzuari i ka kryer këto vepra penale’, deklaroi prokurori Prendrecaj.

Poashtu, tutje prokurori theksoi se, gjatë shqyrtimit gjyqësor, trupi gjykues do të ketë rastin të dëgjojë dhe të shohë dëshmitë e dëshmitarëve F.Z, A.J, G.N, A.J, F.B dhe M.B, të cilët kanë funksione të ndryshme brenda ARC dhe do të sqarojnë e dëshmojnë se si i pandehuri, respektivisht i akuzuari, ka kryer veprime të cilat janë të cekura në secilën prej dispozitave të aktakuzës.

Po ashtu, gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor do të dëgjohet edhe dëshmia e dy dëshmitarëve, N.R, i cili ka deklaruar se i ka dhënë ryshfet të pandehurit, dhe dëshmitari M.B së bashku me djalin e tij, I.B, të cilët po ashtu deklarojnë se të pandehurit i kanë dhënë ryshfet në këmbim të kryerjes së shërbimit apo punës që zyrtari, konkretisht i pandehuri, ua ka kryer.

Tutje, në fjalën hyrëse të mbrojtësit të të akuzuarit Mehmeti, avokatit Imer Beka, i njëjti deklaroi ‘se gjatë orarit ditor të punës, kanë frekuentuar 300-400 palë me kërkesa nga më të ndryshmet. Fjalëkalimi i kompjuterit të Rexhepit, me një dinamikë të tillë, ka mundur të përdoret edhe nga persona të tjerë brenda dhe jashtë zyrës në të cilën ai ka punuar. Dihet se ekziston mundësia e lehtë që të ndërhyhet në sistem, të thyhet kodi apo të kopjohet, deklaroi mbrojtësi Beka’.

Në seancën e sotme u dëgjuan poashtu dy dëshmitarë, F.Z dhe A.J. Në dëshminë e dëshmitarit F.Z u theksua inspektimi i realizuar në lëndët në të cilat pretendohet të ketë ndërhyrë i akuzuari Mehmeti.

Dëshmitari theksoi se mënyra se si kanë ardhur në përfundim se i akuzuari i ka kryer veprimet, është përmes sistemit elektronik, në të cilat figuron emri i të akuzuarit dhe në thuajse shumicën e lëndëve nuk ka dosje të krijuar në Bashkësinë Lokale në Dardani.

Dëshmitari theksoi se në fazën e hetimeve pas kërkesës nga udhëheqja e departamentit të gjendjes civile është njoftuar se vetëm katër persona kanë pasur autorizim për regjistrim të personave mbi 18 vjeç për herë të parë.

Ndërsa dëshmitari A.J në pyetjet e gjyqtarit të rastit Ngadhnjim Arrni dekaroi se përmbajnë njoftimin e caktimit të personave të autorizuar për të regjistruar personat madhor mbi 18 vjeç për herë të parë dhe do të bashkëpunojnë me gjykatën për informimin e saktë se a ka qenë dhe Rexhep Mehmeti ndër personat e autorizuar apo jo.

Seancat e radhës të shqyrtimit gjyqësor do të mbahen me datë 30 tetor, nga ora 13:30, si dhe me datë 12 nëntor, nga ora 09:30.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, i pandehuri Rexhep Mehmeti, akuzohet se në cilësi të zyrtarit të gjendjes civile në Komunën e Prishtinës ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare në vazhdimësi, duke futur në sistem persona të ndryshëm, të cilët fillimisht i kishte regjistruar si të mitur e pastaj i kishte ndryshuar dhe regjistruar si persona madhor.

Tutje, në aktakuzë theksohet se me veprimet e tij i pandehuri Rexhep Mehmeti ka kryer veprat penale, ‘Falsifikim i dokumentit zyrtar’  nga neni 427, par 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe ‘Marrje e ryshfetit’ nga neni 421, par 1 i KPRK-së.

Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.

Monitoruar nga: Leotrim Pajaziti

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter