Në Gjykatën Themelore në Gjakovë, Departamenti për Krime të Rënda, sipas agjendës së planifikuar do të mbahej shqyrtimi gjyqësor ku të akuzuar janë Rajan Arapi, Flurije Berisha, Arianit Krasniqi, Edmond Shala, Osman Kollçaku, Mustafë Nila, Argjent Lleshi, Bajram Muzlijaj, Mentor Beqiri dhe Adhurim Kasapi që të gjithë zyrtar me pozita të ndryshme në Komunën e Pejës si dhe Plarent Trakaniqi gjeodet i licencuar nga AKK, po akuzohen për korrupsion.
Përshkak të mungesës së mbrojtësit të të pandehurit Adhurim Kasapi, av. Faruk Binakaj si dhe mbrojtësit të të pandehurit Bajram Muzlijaj, av. Besnik Berisha ka dështuar të mbahet seanca e sotme gjyqësore pasi që kanë angazhime në çështje të tjera. Lidhur me këtë kryetari i trupit gjykues, Ilir Rashkaj tha se, për mosprezencën e të njëjtëve është njoftuar përmes e-mail’it zyrtar dhe lidhur me këto, avokatët e lartcekur nuk i kanë ofruar prova gjykatës se në cilat çështje janë të angazhuar, mirëpo shtoi se avokati Besnik Berisha përmes email-it e ka informuar gjykatën se është i angazhuar në çështje të tjera e të cilat tha se janë me paraburgim dhe se klienti i tij nuk pranon të përfaqësohet nga ndonjë zëvendësues tjetër.
Gjithashtu mbrojtësi i të akuzuarit Plarent Trakaniqi, av.Salih Mekaj në seancën e kaluar kishte kërkuar veçimin e procedurës për të mbrojturin e tij, e për këtë prokurorja e çështjes Lumturije Vuqetaj tha se në këtë fazë të procedurës e kundërshton propozimin, duke shtuar se, nëse vjen deri te veçimi i procedurës atëherë sigurisht që gjykata sipas detyrës zyrtare do të kishte vendos edhe per veçimin e procedurës për inspektorët Bajram Muzlijaj dhe Mentor Beqiri si dhe gjeodetit Adhurim Kasapi, për faktin se kemi të bëjmë me nga një të pandehur dhe procedura do të zhvillohet më shpejtë e poashtu do t’i kishte precizuar të gjitha provat të cilat duhet të adminstrohen në raport me këta të pandehur.
‘’Drejtësia Sot’’ ka siguruar informacione se përveç seancës së sotme është shtyer edhe seanca e caktuar për ditën e nesërme, kështu që në këto rrethana seanca e sotme është shtyer dhe e njëjta është caktuar me 29 dhe 31 tetor 2024.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Pejë të ngritur me datë 24.02.2023, në këtë rast akuzohen 10 zyrtar të Komunës së Pejës në pozita të ndryshme si: Rajan Arapi në cilësinë e Drejtorit të Urbanizmit dhe Mbrojtes së Mjedisit, Flurije Berisha në cilësinë e shefes së sektorit ligjor-teknik për leje të ndërtimit, Arianit Krasniqi në cilësinë e Drejtorit për Çështje Pronësoro-Juridike, Osman Kollçaku në cilësinë e zyrtarit të lartë për çështje pronësore-juridike, Edmond Shala në cilësinë e Drejtorit për Çështje Pronësore-Juridike, Mustafë Nila në cilësinë e Drejtorit për Kadastër dhe Gjeodezi, Argjent Lleshi në cilësinë e udhëheqësit të sektorit të kadastrit, Bajram Muzlijaj në cilësinë e inspektorit të ndërtimit pranë Drejtorisë për Inspektim, Mentor Beqiri në cilësinë e inspektorit të ndërtimit pranë Drejtorisë për Inspektim, Adhurim Kasapi në cilësinë e zyrtarit gjeodet pranë Drejtorisë për Gjeodezi dhe Kadastër si dhe Plarent Trakaniqi si person zyrtar – gjeodet i licensuar nga Agjencioni Kadastral i Kosovës.
Ata ngarkohen se kanë kryer veprat penale ‘’keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ dhe “Konflikt i interesit”.
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.
Monitoruar nga Elvana Hatashi