Në Departamentin e Krimeve të Rënda të Gjykatës Themelore në Prishtinë vazhdoi shqyrtimi gjyqësor ndaj të akuzuarve Egzon Zariqi dhe Rexhep Morina të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare si dhe punime të kundërligjshme ndërtimore lidhur me ndërtimin e një kulle në fshatin Marec të Komunës së Prishtinës. Rasti po trajtohet nga trupi gjykues me kryetar Avni Syla dhe anëtarët Sulltane Hoti dhe Alban Ajvazi, kurse Prokurorinë në këtë seancë e përfaqësoi Prokurori Zef Prenrecaj.
Në seancën e datës 26 shtator gjykimi vazhdoi me dëgjimin e dëshmitarëve A.Q, I.C dhe V.A.
Fillimisht vazhdoi dëgjimi i dëshmitares A.Q e cila dëshminë e ka filluar dhe gati përfunduar në seancën e kaluar, e në seancën e sotme vetëm deklaroi se i qëndron prapa dëshmisë së dhënë në seancën e datës 08.07.2024.
Tutje u dëgjua dëshmitari I.C i cili rrëfeu nga pikëpamja e tij se si ka shkuar procesi i ndërtimit të kullës së dëshmorit “Basri Canolli – Shpendi” në fshatin Marec duke njoftuar gjykatën se këto punime i ka përcjellë nga afër që nga dita e parë.
Sipas këtij dëshmitari, punë kryerës ka qenë operatori ekonomik “AREA” kurse mbikëqyrëse ka qenë D.B e cila që nga dita e parë e ka ndryshuar lokacionin e paraparë për punimin e kullës. E tërë kjo, sipas dëshmitarit, me qëllim që të i jepet 10% punë kryerësit akoma pa filluar punimet, më konkretisht të akuzuarit Rexhep Morina. Dëshmitari tutje rrëfeu se punëdhënësi me punë kryerësin kanë lidhur një kontratë me vlerë 68 mijë euro për tu kompletuar objekti ndërsa shtoi se konsideron se këto fonde janë keqpërdorur.
Dëshmitari theksoi se i akuzuari Morina ka përdorur material jo cilësor në ndërtimin e objektit në fjalë dhe kjo dëshmohet edhe me analizat e cilësisë së betonit të bëra nga Ministria përkatëse. Ndërkaq, për të akuzuarin Egzon Zariqi dëshmitari në fjalë tha se i njëjti ka bërë një punë të shenjtë por që punimet i janë ndërprerë nga një punë kryerës i pandërgjegjshëm.
Në fund dëshminë e dha dëshmitarja V.A e cila deklaroi se që nga viti 2010 e deri në vitin 2023 ka mbajtur pozitën e drejtoreshës së departamentit të trashëgimisë kulturore në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Në dëshminë e saj V.A po ashtu u përgjigj se menagjere e kontratës për ndërtimin e kullës ka qenë D.B e cila më vonë për arsyeje personale dhe për shkak të pamundësisë së kryerjes së detyrave ka kërkuar që të lirohet nga kjo detyrë.
Përveç kësaj dëshmitarja theksoi se për ndërtimin e kullës është realizuar një ekspertizë sipas rezultateve të së cilës është kërkuar rregullimi dhe përmirësimin e cilësisë së konstruksionit, mirëpo shtoi se këto vërejtje nuk janë përmirësuar. Duke u përgjigjur në pyetjen e mbrojtjes, dëshmitarja shtoi se në kohën kur është përpiluar kjo ekspertizë i akuzuari Egzon Zariqi nuk ka qenë në pozitën e drejtorit të prokurimit.
Seanca e radhës u caktua për datës 18 nëntor në orën 13:15 ku do të vazhdohet me dëgjimin e dëshmitares V.A.
Aktakuza ngarkon të pandehurin Egzon Zariqi me veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” ndërsa i pandehuri Rexhep Morina për veprën “Punimet e kundërligjshme ndërtimore.” Sipas kësaj aktakuze i pandehuri Zariqi ka shfrytëzuar pozitën e tij zyrtare si drejtor i prokurimit në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit duke tejkaluar kompetencat e tij me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore e duke i shkaktuar dëm buxhetit të shtetit. Aktakuza thotë se i njëjti, me datë 8 korrik të vitit 2022, ka shkëputur kontratën e lidhur me operatorin ekonimik “PR AREA SH.P.K” për ndërtimin e kullës “Basri Canoll – Shpendi” në fshatin Marec, e kjo edhe pse ka qenë i informuar se ministria në fjalë ka kryer pagesat në emër të këtij operatori ekonomik. Mirëpo, sipas aktit akuzues, punimet kanë qenë të standardeve të ulëta jo profesionale e për këtë arsyje operatori në fjalë në mënyrë të njëanshme ka ndërpre punimet, ku më pas i pandehuri Zariqi në mënyrë të kundërligjshme është thirrur në kontratë për ta shkëputur të njejtën.
Ndërkaq, sa i përket të akuzuarit Rexhep Morina, aktakuza thotë se në periudhën kohore nga muaji korrik e deri në tetor të vitit 2020, si menagjer i këtij operatorit ekonomik, ka vepruar në kundërshtim me standarded profesionale dhe kushtet e parapara në kontratë sa i përket punimeve në kullën “Basri Canolli – Shpendi”.
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.
Monitoruar nga: Aulona Alaj










