|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Mbahet seanca e radhës e shqyrtimit gjyqësor në rastin ‘Patentë shoferët’

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është mbajtur seanca e shqyrtimit gjyqësor në rastin ndaj të akuzuarve Naser Llugaliu, Filloreta Ajvazi, Flora Ferizi, Adem Binakaj, Leurat Shehu, Agim Restelica, Flamur Lekaj, Shaban Zuka, Eduard Brahimaj, Dragan Zhivkoviq, Naser Bislimi, Azem Miftari, Labinot Ajeti, Magbule Mehmeti, Avdush Topalli, Pemtim Topallli, Selim Rrustemi, Fatos Ferizi, Besfort Pozhegu, Naim Thaqi, Sylë Bejta, Ekrem Latifi, Dritmir Islami, Murtez Rama, Hasan Hasani, Milazim Demolli, Lindita Hoxha, si dhe Enver Fazliu, të cilët akuzohen për korrupsion, në rastin e njohur si ‘Patentë shoferët’.

Në seancën e sotme u dëgjuan dy dëshmitarët M.M dhe L.B.

Në dëgjimin e dëshmitares M.M , e cila ka statusin e dëshmitares bashkëpunuese, e njëjta në pyetjet e prokurorit të rastit Eset Rama deklaroi se testit teorik dhe praktik për patentë shofer ju është nënshtruar vetëm njëherë, pasi ish-bashkëshorti I.M ka biseduar me instruktorin Dritmir Islami për ta kaluar testin menjëherë.

Dëshmitarja potencoi se testi nuk është plotësuar nga ajo, dhe vetëm emrin dhe mbiemrin e ka pasur të shkruar, mirëpo që ka pasur rezultat pozitiv në test, duke marrë rreth 90 pikë të testit teorik për patentë shofer.

Tutje, në seancën e sotme u dëgjua edhe dëshmitari tjetër L.B, i cili nga gjyqtarja e rastit kërkoi që emri i tij të mos zbulohet nga monitoruesit e seancës, por vetëm inicialet, kërkesë e cila u aprovua nga kryetarja e trupit gjykues.

Dëshmitari në pyetjet e prokurorit Rama deklaroi se është pajisur me patentë shofer në vitin 2019, dhe në herën e tretë të testimit ka arritur ta kalojë, dhe se ka plotësuar vetëm disa pyetje, ndërsa pikët e marra kanë qenë rreth 95 në publikimin e rezultateve.

Në vazhdim të deklarimit të tij, dëshmitari theksoi se është udhëzuar të veprojë në atë formë nga një instruktor tjetër me emrin Nasuf dhe jo ai tek i cili ka vijuar ligjeratat, i cili e kishte udhëzuar të plotësoj disa pyetje, ndërsa nëse është e mundur do të ju tregon të tjerat gjatë testit teorik.

Seanca e radhës e shqyrtimit gjyqësor u caktua të mbahet me datë 30 tetor 2024, nga ora 13:10.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 31 mars 2021, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, mes periudhës kohore nga data 17 prill deri më 5 korrik 2019, në dispozitivin e parë thuhet se  i pandehuri Naser Llugaliu në pozitën e koordinatorit të Qendrës së patentë shoferëve në Prishtinë, e pandehura Filloreta Ajvazi në pozitën e asistentes administrative të kësaj qendre, i pandehuri Fejzullah Ejupi në pozitën e zyrtarit administrativ në këtë qendër, i pandehuri Shaban Zuka në pozitën e rojës së sigurimit pranë kësaj qendre, të pandehurit: Adem Binakaj, Leurat Shehu, Agim Restelica, Flamur Lekaj, Eduard Brahimaj, Dragan Zhivkovic, Naser Bislimi, Azem Miftari, Labinot Ajeti, Magbule Mehmeti, Selim Rrustemi, Fatos Ferizi dhe Besfort Pozhegu, në pozitën e ekzaminerëve të provimit teorik apo praktik në kuadër te Ministrisë se Infrastrukturës, që të gjithë persona zyrtar në vazhdimësi duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar kanë kaluar kompetencat e tyre dhe nuk i përmbushën detyrat zyrtare të tyre, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm.

Në këtë rast, për korrupsion dhe vepra tjera penale akuzohen edhe : Flora Ferizi, Avdush Topalli, Pemtim Topallli, Naim Thaqi, Sylë Bejta, Ekrem Latifi, Dritmir Islami, Murtez Rama, Hasan Hasani, Milazim Demolli, Lindita Hoxha, Enver Fazliu.

Ndërsa për Burim Jashari, Fejzullah Ejupi dhe Bashkim Jetullahu, procedura penale për ta është veçuar (për secilin veç e veç).

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Monitoruar nga Leotrim Pajaziti

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter