Në Depratamentin e Krimeve të Rënda, të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ka vazhduar gjykimi në rastin e të pandehurit Liman Buzoku, i cili nga Prokuroria Themelore akuzohet për veprën penale: ‘Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik’.
Trupi gjykues që po trajton këtë rast kryesohet nga gjyqtari Gëzim Ademi dhe përbëhet prej anëtarëve gjyqtarja Alltën Murseli dhe gjyqtari Gazmend Bahtiri. Ndërsa, Prokuroria Themelore përfaqësohet nga Prokurori Bashkim Zeqaj.
Tutje, shqyrtimi ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit F.K. i cili ndër tjera theksoi se i kujtohet që ka dhënë një deklaratë në Prokurori dhe qëndron pranë të njejtës. Duke shtuar se në Komunën e Suharekës punon si Jurist që nga viti 2018. Kurse, sa i përket njoftimit përkatësishtë referencës theksoi se kishte deklaruar edhe në Prokurori se nuk e ka lëshuar të njejtën, por ka kuptuar nga zyra e Prokurimit në të cilën ka pasur elemente të dyshimit pasi nuk ka qenë ashtu sic duhet për shkak të përmbajtjes, kishte pasur mungesë të vulës dhe llogo-s.
Lidhur me disa dokumente të cilat dëshmitarit ju ofruan në ballafaqim, të njejtat theksoi se i ka nënshkruar dhe për të njejtat e ka njoftuar zyrën e prokurimit.
Ndërsa, nga pytjet e mbrojtësit av. Besnik Berisha, dëshmitari theksoi se në vitin 2021 në kohën e hartimit të dokumentit për Prokurorinë kishte qenë në pozitën e Juristit. Kurse, sa i përket zyrës së prokurimit nuk ka ndonjë lidhje pasi aty ka një shef tjetër, duke shtuar se nuk lëshojnë referencë për zyrën e Prokurimit dhe librat e protokollit janë të ndara. Gjithashtu, dëshmitari shtoi se në pozitën e tij nuk ka mundësi t’i njoh të gjithë kontraktorët e Komunës..
Kurse, sa i përket referencës me numër 351 e cila nuk ka llogo dëshmitari theksoi se këtë nuk e ka lëshuar, ndërsa sa i përket një reference tjetër e cila ju prezentua nga mbrojtësi dëshmitari shtoi se kjo nuk ka të bëjë me rastin konkret, shuma për këtë referencë është 56 mijë euro. Tutje, dëshmitari theksoi se nuk ka përpiluar ndonjë referencë e cila nuk ka pasur llogo në të.
Në vazhdim, dëshmitari pasi u ballafaqua me dy letër-referenca dhe në të njejtat u konstatua se shuma dhe numri i protokollit janë të njejta. Tutje, dëshmitari theksoi se me këtë rast mund të konstatohet se ‘QKMF – Suharekë’ ka pasur aktivitet të prokurimit në bashkëpunim me kompaninë ‘Matkos Pharm’, tutje shtoi se ky bashkëpunim është identifikuar me nr. të prokurimit 624-19-038-121 me shumë prej 56 mijë euro.
Sa i përket librave të protokollit, dëshmitari shtoi se secilit operator i kërkohet kontrata e prokurimit si dhe detajet tjera të referencës ndërsa, nr. të protokollit e vendos ai në cilësin e Juristit.
Në fund të dëshmisë së tij, dëshmitari theksoi se në librin e protokollit regjistrimet bëhen edhe nga një zyrtarë tjetër dhe për shkresat zyrtare cdo herë ruhet një kopje, ndërsa sa i përket dokumentit me nr.351 nuk ekziston në arkivën e QKMF.
Kryetari i trupit gjykues, njoftoi se pasi që është i angazhuar në një rasr tjetër, shqyrtimi i sotëm duhet të ndërpritet, ndërsa në seancën e radhës do të vazhdohet me dëgjimin e dëshmitarëve të tjerë. Seanca e radhës u caktua për datën: 16 Janar, nga ora 09:30.
Sipas aktakuzës së ngritur më 30 dhjetor 2021 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Liman Buzoku akuzohet se më 5 maj 2021 në Komunën e Drenasit, në cilësinë e drejtorit të Kompanisë “Matkos Pharm”, me vetëdije ka shkelur rregullat e prokurimit publik gjatë ofertës për dhënien e kontratës së prokurimit publik. Ai ka paraqitur dokumentacion të rremë, me qëllim që të ndikojë në vendimin përzgjedhës në aktivitetin e prokurimit publik “Furnizim me barëra dhe material shpenzues mjekësor”.
Gjithnjë sipas akuzës, i akuzuari ka ofertuar me referencat: referencë nga “Trident” SHPK, e datës 30 nëntor 2020, referencë nga QKMF-Suharekë e datës 19 gusht 2020, referencë nga “SHPK-Tosi”, e datës 13 nëntor 2020, referencë nga “Lika Pharmacy”, e datës 13 nëntor 2020, referencë nga “Liri-Med” SHPK, e datës 20 nëntor 2020, referencë nga “Nesa Dental” e datës 3 shkurt 2020, referencë nga “Smart Pharm”, e datës 12 nëntor 2020, referencë nga “Valerina”, e datës 13 nëntor 2020, referencë nga “Cani Dent” SH.P.K., e datës 3 shkurt 2020, referencë nga “Gega Pharm”, e datës 15 nëntor 2020, referencë nga “Shemo”, e datës 15 nëntor 2020.
Aktakuza thotë se këto dokumente kanë rezultuar të falsifikuara, e në bazë të tyre kompania “Matkos Pharm” është shpërblyer me kontratë në vlerë prej 68 mijë e 938 euro e 50 centë. Mirëpo, gjatë kohës në pritje të kalimit të afatit të ankesave, Rrjeti i OJQ-ve “Avonet” ka njoftuar Komunën e Drenasit lidhur me këtë aktivitet të prokurimit, duke dyshuar se Operatori Ekonomik “Matkos Pharm” ka paraqitur dokumentacion të falsifikuar. Pas verifikimit, rezulton se këto dokumente janë të falsifikuara, e më pas është bërë edhe anulimi i tenderit.
Sipas dispozitivit të akuzës, Buzoku ngarkohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik” nga neni 415, par.1 të Kodit Penal.
Shënim: I akuzuari i përmendur në këtë postim konsiderohet i pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tij me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.
Monitoruar nga: Arton Hoxha










