|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Dëgjohen dy dëshmitarë në rastin e të akuzuarve për Keqpërdorim në prokurim publik

Në Departamentin e Krimeve të Rënda në Gjykatën Themelore në Prishtinë është mbajtur seanca e shqyrtimit gjyqësor në rastin ku Shefqet Damka dhe Anil Damka po akuzohen për ‘Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik’.

Ky rast po trajtohet para trupit gjykues të kryesuar nga gjyqtari Gazmend Bahtiri dhe me anëtarët Gëzim Ademi dhe Alltën Murseli. Ndërkaq nga Prokuroria në këtë rast është angazhuar Prokurorja Fitore Sadikaj.

Fillimisht në seancën e datës 10 tetor u thanë fjalët hyrëse nga palët në procedurë duke nisur nga Prokurorja e cila tha se gjendja faktike do të vërtetohet përmes dëshmitarëve dhe provave materiale të propozuara me aktakuzë.

Më pas vazhdoi mbrojtja me avokatin Dren Salihu që mbron të akuzuarin Shefqet Damka, i cili në fjalën e tij hyrëse tha se mbrojtja mbet në tërësi prapa qëndrimeve të dhëna në kërkesën për hudhje të aktakuzës dhe shtoi se Prokuroria nuk ka prova për të dëshmuar se i mbrojturi i tij ka shkelur rregullat e prokurimit publik.

Në vazhdim fjalën hyrëse e dha avokati Visar Ostrozubi, mbrojtësi i Anil Damkës, i cili tha se me administrimin e provave materiale do të vërtetohet gjendja faktike tjetër nga ajo që përshkruhet në aktakuzë dhe do të provohet se i mbrojturi i tij nuk ka ndërmarrë veprime që përbëjnë element të veprës penale për të cilën ai akuzohet.

Më pas gjykimi vazhdoi me dëgjimin e dëshmitarëve ku fillimisht u dëgjua dëshmitari M.H i cili ka qenë punëtor në kompaninë ë të akuzuarve. Pasi që ky dëshmitar deklaroi se me të akuzuarit është në lidhje familjare kryetari i trupit gjykues ia bëri të ditur se nuk është i obliguar të dëshmoj. Megjithatë, dëshmitari M.H vendosi të vazhdojë me dëshminë e tij.

Gjatë dëshmisë ai deklaroi se ai i përgatitë të gjitha dokumentacionet e nevojshme për të aplikuar në tenderë duke theksuar se çdo dokument e ka pranuar nga i akuzuari Shefqet Damka dhe asnjëherë nuk i ka nxjerrë vet. Dëshmitari po ashtu shtoi se të gjitha këto dokumente i merr të nënshkruara nga dora e të pandehurit Shefqet Damka. Ndërkaq sa i përket të akuzuarit të dytë, Anil Damka, dëshmitari deklaroi se me të nuk ka pasur kurrë asnjë kontakt sa i përket dokumentacioneve për procedurat e aplikimit në tenderë.

Seanca vazhdoi me dëgjimin e dëshmitares A.C e cila në periudhën kritike kishte punuar në Bankën Kombëtare Tregtare. Me lejen e gjykatës Prokurorja ia ofroi dëshmitares në shikim dokumentin që figuron të jetë lëshuar nga BKT me datën 14 tetor të vitit 2020 duke e pyetur dëshmitaren se a e ka nënshkruar dhe vulosur ajo këtë dokument.

Lidhur me këtë dëshmitarja tha se nënshkrimi ngjason me nënshkrimin e saj dhe vula është e bankës mirëpo sipas saj përmbajtja nuk është e saktë. Sipas dëshmitares, shuma e qarkullimit e cekur në dokumentin që kishte përballë ishte mbi 144 mijë euro kurse e njëjta e mban në mend që shuma reale e qarkullimit kishte qenë rreth 4 mijë euro.

Pas dëgjimit të dëshmitarëve gjykimi vazhdoi me procedurën e administrimit të provave ku u bë leximi i provave të propozuara në aktakuzë. Përveç kësaj mbrojtja erdhi edhe me propozime për plotësimin e procedurës së provave.

Avokati Dren Salihu propozoi që si provë të administrohet vula e cila mban nënshkrimin e pronarit apo aksionarit të vetëm i cili ishte Anil Damka. Ky propozim u aprovua nga trupi gjykues. Ndërkaq trupi gjykues e refuzoi propozimin e avokatit Visar Ostrozubi i cili propozoi që nga BKT të kërkohet një nënshkrimi i kontratës mbi hapjen e llogarisë, aktivitetin e llogarisë dhe personat e autorizuar.

Seanca u ndërpre dhe pritet të vazhdoj me datë 8 nëntor nga ora 13:30.

Sipas aktakuzës, së Prokurorisë, të datës 21.11.2022, të akuzuarit Shefqet Damka dhe Alil Damka kishin shkelur rregullat në procedurën e prokurimit publik duke paraqitur dhe falsifikuar dokumente të cilat i kishin përdorur në procedurën e tenderimit. Gjithnjë sipas Prokurorisë, të akuzuarit me veprimet e tyre, në bashkëkryerje kanë kryer vepren penale ‘Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik’ nga neni 415 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.  

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim.

Monitoruar nga Aulona Alaj

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter