Projekt i realizuar nga:

Mbahet seanca e shqyrtimit gjyqësor ndaj ish-kryetarit të Komunës së Leposaviqit dhe të tjerëve

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është mbajtur seanca e shqyrtimit gjyqësor në rastin e gjykimit për korrupsion dhe krim të organizuar ndaj ish-kryetarit të Komunës së Leposaviqit Dragan Jabllanoviq dhe të tjerëve.

Në fillim të seancës së sotme, gjyqtarja e rastit Violeta Namani deklaroi se për shkak të pengesës procedurale, ku në seancën e kaluar mbrojtësja Fjollë Ibrahimi ka përfaqësuar edhe të akuzuarin Bojan Millovanoviq si zëvendësim dhe njëkohësisht Boban Banoviq, meqë rast gjyqtarja deklaroi se për të evituar pengesën procedurale duhet të konstatohen veprimet e kësaj seance, meqë rast u konstatua e lexuar paraqitja e mbrojtjes së të akuzuarve Alekasandar Ackovic, Aleksandar Kostic, Cedomir Timotijevic, Bojan Banovic, Ivan Kadic, Boban Millovanovic, të cilët ishin mbrojtur në heshtje, dhe të Miroslav Ivanovic, i cili ishte deklaruar në mbrojtjen e tij.

Ndërsa, lidhur me propozimet e palëve në seancën e kaluar trupi gjykues refuzoi në tërësi propozimet e mbrojtjes dhe të prokurores Merita Bina-Rugova.

Prokurorja Bina-Rugova në seancën e kaluar kishte propozuar që të konsiderohet e lexuar deklarata e të pandehurës e cila tani është e ndjerë Jellica Barac, propozim ky i cili ishte kundërshtuar nga ana e mbrojtjes me arsyetimin se nuk mund të konsiderohet si provë, duke shtuar se nuk mund të lexohet deklarata e një të dyshuari apo akuzuari i cili nuk është prezent dhe i njëjti nuk mund të ballafaqohet me pytje.

Ndërsa lidhur me administrimin e provave të reja nga mbrojtësit kishin propozuar që të dilet në vendin e ngjarjes dhe të vërtetohet gjendja faktike pasi të mbrojturit e tyre akuzohen për punë të pakryera. Po ashtu, mbrojtja kishte kërkuar që të bëhet plotësimi i ekspertizës financiare dhe të kryhet një ekspertizë e re në fushën e prokurimit, me arsyen se ekspertiza që është administruar në shqyrtimet e mëhershme nuk ka sqaruar detajet e nevojshme.

Seanca e radhës e shqyrtimit gjyqësor do të mbahet me datë 2 dhjetor 2024, nga ora 09:30.

Ndryshe, në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të 13 shtatorit 2021, thuhet se të gjithë të pandehurit aktivisht kanë vepruar si grup i organizuar kriminal, gjatë periudhës kohore 2015-2017, duke kryer vepra të rënda penale dhe duke ditur se do të kontribuojnë në realizimin e veprimtarive kriminale.

Sipas aktakuzës, të njëjtit kanë vepruar në formën, duke ndarë fonde nga buxheti i Komunës për kompanitë përfituese në tendere për kryerjen e projekteve të ndryshme, e të cilat nuk janë kryer sipas duhet, meqë rast kompanitë përkatëse kanë përfituar dobi pasurore, duke dëmtuar buxhetin publik. Njëkohësisht zyrtarët komunal, në cilësinë e anëtarëve të komisionit kanë bërë pranimin teknik të punimeve të cilat nuk kanë qenë të përfunduara fare, apo se nuk janë përfunduar sipas planit dinamik.

I pandehuri Dragan Jabllanoviq po akuzohet se ka kryer veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal” të organizuar nga neni 283, par. 2 të KPRK lidhur me veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 të KPRK.

Të pandehurit Haxhi Bejta, Aleksandar Ackoviq, Aleksandar Kostiq, Cedomir Timotijeviq, Bojan Banoviq, Mirosllav Ivanoviq, Ivan Kadiq, Boban Millovanoviq dhe Jellica Baraq, akuzohen se e kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” nga neni 283, par. 1 të KPRK lidhur me veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 të KPRK.

Ndërsa, të pandehurit Xhemajl Ferizi, Haki Haxhiu, Mehdi Haxhiu, Mensur Rama dhe Nijazi Musliu, akuzohen se e kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” nga neni 283, par. 1 të KPRK lidhur me veprën penale “Keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike” nga neni 290, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 nën paragrafi 1.5 të KPRK.

Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të

vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.

Monitoruar nga: Leotrim Pajaziti

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter