Projekt i realizuar nga:

Mbahet shqyrtimi gjyqësor ndaj 2 ish-zyrtarëve policor të akuzuar për Korrupsion

Në Departamentin e Krimeve të Rënda të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ka vazhduar gjykimi në rastin e dy ish-policëve Lavdim Osmani dhe Lutfi Menxhiqi, të cilët nga Prokuroria akuzohen për veprat penale: ‘Marrje e ryshfetit’ dhe ‘Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’.

Trupi gjykues që po trajton këtë rast kryesohet nga gjyqtarja Sulltane Hoti dhe përbëhet prej anëtarëve gjyqtari Avni Syla dhe gjyqtari Alban Ajvazi. Ndërsa, Prokuroria Themelore përfaqësohet nga Prokurori Zefë Prendrecaj.

Tutje, seanca ka vazhduar me mbrojtjen e të pandehurit, Lavdim Osmani i cili nga pytjet e Prokurorit të Shtetit ndër të tjera theksoi se për rastin konkret ishte deklaruar në Prokurori si dhe shqyrtimin e kaluar, duke shtuar se qëndron pranë të gjitha këtyre deklarimeve të dhëna më herët. Tutje, Prokurori i Shtetit theksoi se pasi që i pandehuri qëndron pranë deklarimeve të dhëna i njejti nuk ka pytje tjera.

Ndërsa, në pytjet e mbrojtësit të të pandehurit Lutfi Menxhiqi, av. Skender Musa i pandehuri lidhur me vendin e punës theksoi se para vitit 2018 kishin punuar së bashku me Menxhiqin në të njejtën njësi, përkatësishtë tek Krimet Ekonomike. Tutje, shtoi se detyrat i ka marrë nga eprori i tij dhe secilin rast e kanë raportuar tek drejtori.

Tutje, i pandehuri lidhur me takimin së bashku me Lutfi Menxhiqin dhe me personat Driton dhe Dritoro për të cilin rast kishte deklaruar edhe në shqyrtimin e kaluar, aty ishin takuar me dy zyrtarë të AKI-së, ku ndër të tjera shtoi se me këta persona është takuar edhe dy herë të tjera.

Ndërsa, lidhur me deklarimin e tij se i pandehuri Lutfi Menxhiqi i kishte thënë që të merrte para nga personat e lartëpërmendur, i pandehuri Lavdim Osmani theksoi se këtë gjë e ka bërë për arsyen që t’i ndihmojë të njejtit pasi i kishte kërkuar për një nevojë të tij. Tutje, shtoi se këto takime i ka bërë sipas kërkesës së Lutfi Menxhiqit.

Në vazhdim nga pytjet e trupit gjykues i pandehuri theksoi se sa i përket shumës së parave në emër të biznesit të vëllezërve për lojra të fatit në rastin ku kishte qenë prezent edhe i pandehuri, se përgjatë kësaj periudhe a kishte qenë i lejuar të zhvillohej biznesi i lojrave të fatit, i pandehuri theksoi se në atë kohë nuk ishte i lejuar biznesi për këto lojra.

Ndërsa, sa i përket takimit në lokalin ‘Central’, ku ishte biseduar cështja e lojrave të fatit dhe pastaj dhënja e parave ishte bërë në një pjesë tjetër të qytetit, i pandehuri theksoi se nuk kishte ndërmarrë veprime me arsyetimin se ai biznes kishte veprimtari jashtë Kosovës.

Në sesionin e pasditës, shqyrtimi ka vazhduar me paraqitjen e mbrojtjes së të pandehurit Lutfi Menxhiqi, i cili nga pytjet e mbrojtësit të tij av. Skender Musa, ndër të tjera theksoi se nga viti 2018 në Policinë e Kosovës kishte punuar si Hetues në Drejtorinë e Krimeve Ekonomike. Tutje, shtoi se në kuadër të njësisë së tij, nuk kishte punuar Lavdim Osmani, ai kishte punuar në njësinë e Krimeve Ekonomike dhe shef e kishte pasur Arsim Salihun.

Sa i përket takimit të realizuar në lokalin ‘Central’, para këtij takimi ishte takuar me Lavdimi-n dhe i kishte thënë që të shkonin në një takim që sipas tij kjo kërkesë kishte ardhur nga Drejtoresha e Krimit të Organizuar, tutje shtoi se për shkak të pozitës kishte pranuar që të takohej në lokalin e lartëpërmendur. Në ndërkohë theksoi se pasi që ishin takur kishte ardhur personi me emrin Dritoro Huruglica së bashku më një person tjetër, dhe ai nuk ishte Driton Berisha, tutje shtoi se nuk e ka dëgjuar biseden në mes të Lavdimit dhe Dritoros.

Në vazhdim, i pandehuri theksoi se pas takimit Dritoro dhe Lavdimi kanë vazhduar në drejtim të parkingut të Gjykatës Kushtetuese, aty ishin takuar me disa persona tjerë por shtoi se aty nuk ishte afruar dhe kishte qëndruar në distancë, duke shtuar se në mesin e atyre personave nuk kishte mundur të dallonte nëse ishte Driton Berisha aty, tutje theksoi se nga ky person nuk ka pranuar ndonjëherë para.

Tutje, lidhur me një organizim të një takimi për të pandehurin Lavdim Osmani, i pandehuri theksoi se nuk e ka bërë një gjë të tillë dhe shtoi se nuk ka njohuri nëse janë takuar me personat të cilët përmenden edhe në aktakuzë. Në vazhdim, i pandehuri Lutfi Menxhiqi theksoi se nuk ka kërkuar nga Lavdimi ndonjë shumë të parave.

I pandehuri, theksoi se me Lavdimin nuk kanë punuar në një sektor dhe në rrjedhë të kësaj nuk kanë mundur që të jenë pjesë e ndonjë ekipi hetues së bashku. Tutje, shtoi se asnjëherë nuk ka pasur autorizim zyrtarë që t’i thoshte Lavdimit të merrte para në emrin e tij.

Sa i përket ndonjë takimi me personin Mentor Maqani, theksoi se nuk e ka takuar ndonjëherë. Tutje, theksoi se që nga koha kur rasti është kthyer në rigjykim nuk është takuar ndonjëherë me të pandehurin Lavdim Osmani.

Tutje, sa i përket kontrollës nga IPK në shtëpinë e tij i pandehuri theksoi se i ishin sekuestruar rreth 9 mijë euro të cilat kishin qenë të vllaut të tij i cili jeton në Holandë.

Lidhur me akuzat që i vihen në barrë, i pandehuri theksoi se me gjithë personat e lartëpërmendur nuk ka pasur ndonjëherë marrëveshje dhe rrjedhimisht nuk ka paranuar ndonjë para në asnjë formë nga ta.

Kryetarja e trupit gjykues njoftoi se shqyrtimi i sotëm duhet të ndërpritet me arsyen se ka një seancë me paraburgim në orën 15:00. Tutje, theksoi se në seancën e radhës do të vazhdohet me pytjet e Prokurorit për të pandehurin si dhe do të paraqitet fjala përfundimtare e palëve. Shqyrtimi i radhës u cakta për datën: 05 Dhjetor 2024 nga ora 09:30.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë me datë 14 Shkurt 2022 i kishte shpallur fajtor të pandehurit, ku Lavdim Osmani ishte dënuar me 6 vite e 6 muaj burgim dhe gjobë në shumën prej 4 mijë euro, ndërsa Lutfi Menxhiqi ishte dënuar me 5 vite e 6 muaj burgim dhe gjobë në shumën prej 4 mijë euro. Kurse, Gjykata e Apelit me datë 3 Maj 2023, e kishte anuluar vendimin dhe rastin e kishte kthyer në rigjykim.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë të datës 30 Qershor 2020, të akuzuarit Lavdim Osmani dhe Lutfi Menxhiqi, në cilësinë e hetuesve në Drejtorinë e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë, kanë pranuar ryshfet në këmbim që të mos ndërmarrin veprime për luftimin e lojrave të fatit.

Tutje, në këtë aktakuzë thuhet se takimin e kishte organizuar i akuzuar Menxhiqi, i cili i kishte kërkuar të akuzuarit Osmani që të takohet me D.B dhe D.H, në kafenen “Central”, ku më pas i akuzuari Osmani ka pranuar shumën prej 3 mijë euro nga D.B, me qëllim që të mos pengojë veprimtarinë e kundërligjshme të lojërave të fatit.

Kjo shumë e parave, nga të akuzuarit ishte ndarë në dy pjesë, ku secili nga të akuzuarit kanë marrë nga 1 mijë e 250 euro, ndërsa 500 euro nga kjo shumë ja kanë dërguar kolegut të tyre F.Z, për arsyeje të një rasti tragjik që i kishte ndodhur këtij të fundit.

Me këto veprime, të akuzuarit Osmani dhe Menxhiqi akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Marrje e ryshfetit”, ndërsa i akuzuari Lutfi Menxhiqi akuzohet edhe për veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.

Monitoruar nga: Arton Hoxha

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter