Në Gjykatën Themelore në Prishtinë- Deparatamenti i Krimeve të Rënda, sot me datë 11.10.2024, ka dështuar të mbahet vazhdimi i shqyrtimit gjyqësor ndaj të akuzuarit Fitim Veliqi, i cili po akuzohet për kryerjen e veprës penale ‘Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar’.
Fillimisht, kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Gent Beka, ka konstatuar prezencën e prokurorit te shtetit, të pandehurit me mbrojtësen e tij, përfaqesuesin e palës së dëmtuare nga Komuna e Drenasit dhe gjithashtu është konstatuar mungesa e dëshmitarëve të propozuar nga i akuzuari, të cilët kanë njoftuar gjykaten që për arsye shëndëtesore nuk mundë të jenë prezentë në këtë seancë.
Andaj, në mungesë të kushteve ligjore për vazhdimin e shqyrtimit gjyqësor, trupi gjykues me aktvendim ka caktuar seancën e rrallës me datë 18 Nëntor 2024 në ora 09:00.
Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë më 30 dhjetor 2020, Veliqi po akuzohet se në vazhdimësi nga 23 shtatori 2015 dhe 30 korriku 2016, në cilësinë inspektorit të ndërtimit nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare.
Në aktakuzë thuhet se i njëjti ka vepruar në kundërshtim me Ligjin për Inspektoratin e Mjedisit, Ujërave, Natyrës, Planifikimit Hapësinor dhe Ndërtim Nr.04/l-175 dhe Ligjin për Ndërtim Nr.04./L-110, me Udhëzimet Administrative MMPH nr. 18/2013, duke mos ndërmarrë veprime administrative juridike për objektet përgjatë brezit të autostradës “Ibrahim Rugova”.
Sipas aktit akuzues, i akuzuari Veliqi nuk ka bërë rrënimin e objektit “Viva Fresh” të pronarit Shaip Bujupi, objektin “Ana Princes” me pronar Faik Kastrati, objektin “Hajdini Palace” me pronar Xhelil Leku, objektin “Aktiv” me pronar Florim Shala. Nga mos rrënimi i këtyre objekteve pa leje, thuhet se kanë përfituar personat e lartcekur, ndërsa Komunës i kanë shkaktuar dëm në vlerë prej 34 mijë e 176 euro.
Me këtë, Veliqi po akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 të Kodit Penal.
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.
Monitoruar nga Ilir Kocani










