|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Dëgjohen dëshmitarët në shqyrtim gjyqësor ndaj të akuzuarve për Korrupsion   

Në Gjykatën Themelore në Gjakovë, Departamenti për Krime të Rënda, është mbajtur seanca e shqyrtimit gjyqësor ku të akuzuar janë Arben Bakalli, Drejtor i Drejtorisë për Planifikim Urban dhe Mjedis dhe Agron Gojani, Urbanist i Sektorit për Planifikim dhe Rregullim Urban për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Fillimisht në seancën e së premtës është dëgjuar I.B, përfaqësues i Institutit për Shkencë dhe Teknologji ‘’INSI’’, i cili tha se, ka qenë pjesë e grupit të ekspertëve lidhur me ekspertizën e datës 12.03.2024 ku kanë trajtuar anën teknike dhe profesionale të materies. Tutje gjatë elaborimit të ekspertizës tha se, pas analizave dhe krahasimeve të projektit të rrethrrotullimit të realizuar dhe planit urbanistik ‘’Revidimi i kompleksit Orize1/8-Gjakovë’’ vërehen ndryshimet në një zhvendosje prej një distance afërsisht 11.8 metra, pra, sipas vlerësimit të materialeve në dispozicion në aspektin profesional është konstatuar se është bërë zhvendosja e rrethrrotullit.

Eksperti tutje shtoi se, bazuar në planin urbanistik ‘’Revidimi i kompleksit Orize/8-Gjakovë’’dhe projekti i realizuar i rrethrrotullimit si rezultat i zhvendosjes është krijuar një hapsirë e re e patrajtuar në planin e lartcekur në sipërfaqe prej 597m2 , ndërsa si hapsirë totale për ndërtimin e objektit afarist banesor është krijuar një sipërfaqe prej 1396m2, pra hapsira e lejuar për ndërtim jashtë trajtimit të planit urbanistik ‘’Revidimi i kompleksit Orize1/8-Gjakovë’’, ku sipas të dhënave të siguruara nga DUMM dhe DPGJK është konstatuar se objekti në fjalë është i pajisur me leje ndërtimore.

Tutje eksperti I.B, gjatë deklarimit të tij tha se, sipas PZHU-së  kjo zonë ka qenë e planifikuar si banim i lart respektivisht një pjesë e saj ishte e planifikuar me etazhitet prej 3-8 kate ndërsa pjesa tjetër 3-6 kate.

Në fund eksperti shtoi se, nuk kanë dal në terren pasi që materialet të cilat i kanë pas në dispozicion kanë qenë të mjaftueshme për ta punuar ekspertizën.

Gjykata e ndërpreu marrjen në pyetje të ekspertit me qëllim që të siguroj projektin e rrethrrotullimit dhe të njëjtin t’ia dorëzojë ‘’INSI’’ së bashku me pyetjet.

Më pas deklarimin e tij e ka dhënë edhe eksperti G.M, si ekspert i ndërtimit, i cili tha se në këtë projekt është angazhuar si ekspert i pavarur nga organizata ‘’KFOS’’ me propozimin e kryetares së komunës. Ai tha se, me kërkesën e kryetarës i është dhënë që të vlerësoj dhe të shqioj mundësinë e riprojektimit të rrethit në drejtim të Prizrenit duke pas parasysh që sa më pak të preken pronat private.

Dhe në fund shtoi se, hapsira e gjerbërt konfrom planit të parë ka qenë më e vogël ndërsa konform punës së tij ka qenë më e madhe sepse është tërhequr rrethrrotullimi i cili edhe sot është.

Ndryshe me 1 qershor 2021, Gjykata Themelore në Gjakovë e kishte dënuar me 1 vit e 3 muaj dhe 3 mijë euro gjobë Arben Bakalli, për keqpërdorim detyre dhe Agron Gojani ishte dënuar me 1 vit burgim dhe 2 mijë euro, ndaj të akuzuarve ishte shqiptuar edhe dënimi plotësues, u ishte ndaluar ushtrimi i funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik në kohëzgjatje prej 2 vitesh. Mirëpo Gjykata e Apelit e kishte kthyer në rigjykim. 

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, e ngritur më 18 qershor 2020, Agron Gojani akuzohet se më 12 shkurt 2018, në cilësinë e personit zyrtar, arkitekt në Drejtorinë për Urbanizëm në Komunën e Gjakovës, kishte keqpërdorur detyrën e tij zyrtare, duke tejkaluar kompetencat e tij me qëllim që t’i sillte dobi pasurore T.B, si dhe t’i shkaktonte dëm Komunës së Gjakovës, në atë mënyrë që duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për Ndërtim dhe Udhëzimin Administrativ, me të cilin edhe pse paraprakisht i kërkohej bashkimi i parcelave para fillimit të procedurave për leje ndërtimi, i akuzuari kishte aprovuar kërkesën për kushte ndërtimore, duke lëshuar vendim me të cilin kishte aprovuar kërkesën për ndërtimin e objektit kolektiv me etazhitet B+P+8+KSH në gjashtë parcela kadastrale të familjes Bakija, në kundërshtim me planin urbanistik “Revidimi i Kompleksit Orize1/8 Gjakovë” të miratuar nga Kuvendi Komunal në Gjakovë. Aty thuhet se zona në fjalë, sipas projektit të komunës, ishte e paraparë të jetë zonë gjelbëruese gjatë gjithë segmentit rrugor deri tek tyrbja “Shën Shefqeti”.

Për këtë, Gojani akuzohet për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës zyrtare apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1, pika 2.1 të Kodit Penal.

Ndërsa, Arben Bakalli akuzohet se më 12 shkurt 2018, në cilësinë e drejtorit në Drejtorinë për Urbanizëm Gjakovës kishte keqpërdorur detyrën e tij zyrtare, duke tejkaluar kompetencat e tij me qëllim që t’i sillte dobi pasurore T.B, si dhe t’i shkaktonte dëm Komunës së Gjakovës, në atë mënyrë që duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për Ndërtim, pasi kishte nënshkruar vendim mbi kushtet ndërtimore sipas kërkesës së 29 dhjetorit 2017 për ndërtimin e objektit kolektiv të lartcekur, më 28 mars 2018 kishte lëshuar vendimin për leje ndërtimore në kundërshtim me planin urbanistik.

Për këtë, Bakalli akuzohet për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi. 1, pika 2.1 të Kodit Penal.

Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.

Monitoruar nga Elvana Hatashi

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter