Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Departamentin Special, sot me 14 tetor ishte paraparë të mbahet gjykimi ndaj të pandehurve Bedri Gashi, Pajtim Bollopoja, Kenan Behrami, Hazir Hyseni, Besim Hyseni, Albin Sokoli, Astrit Ilazi, Bahri Fazliu, Arben Verbovci, Bahri Gashi dhe Sami Salihu të cilët po akuzohen nga Prokuroria Speciale për Krim të Organizuar dhe Shpërdorim të pozitës.
Seanca dështoi të mbahet për shkak të mungesës së Prokurores Speciale Merita Bina – Rugova e cila paraprakisht e kishte njoftuar trupin gjykues se ka pasur një angazhim tjetër. Ndërkaq, përveç Prokurores prezent nuk ishte as i akuzuari Albion Sokoli i cili nuk e ka arsyetuar mungesën e tij. Për këtë arsyeje kryetari i trupit gjykues, Valon Kurtaj, bëri të ditur se për të njëjtin do të lëshohet urdhëresë me sjellje për detyrim për seancën e radhës.
Ky rast po trajtohet para trupit gjykues me kryetar Valon Kurtaj dhe me anëtarët Lutfi Shala dhe Ngadhnjim Arrni.
Sipas aktakuzës së përpiluar më 20 tetor 2014, i pandehuri Kenan Behrami, me qëllim të përfitimit të drejtpërdrejtë të dobisë financiare ka shpërdorur pozitën e vet zyrtare të këshilltarit të lartë për klientë për biznese bujqësore në “ProCredit Bank” në Vushtrri.
Siç thuhet në aktakuzë, këtë e ka bërë ashtu që më 25 shkurt 2011, ia ka mundësuar klientit të bankës, Besnik Osmani, i cili nuk i ka përmbushur kushtet për marrjen e kredisë që ta marrë kredinë bujqësore në shumë prej 10 mijë e 100 euro, edhe pse e ka ditur që i njëjti nuk ka mundësi që ta paguajë atë kredi, në atë mënyrë që ka tejkaluar kompetencat zyrtare dhe me dashje ka vepruar në kundërshtim me procedurat, standardet dhe politikën e menaxhimit të rrezikut kreditor të bakës së lartcekur.
Tutje, në aktakuzë thuhet se në dokumentacionin zyrtar të bankës ka vendosur të dhënat e rrejshme duke prezantuar gjendje të rrejshme materiale të dëshmitarit si dhe aktivitetit të tij të rrejshëm financiar, ka prezantuar kolateralin fiktiv i cili nuk ka ekzistuar fare, traktor “Ferguson”, rimorkio, tetë krerë lopë, pesë viça, ndërsa me rastin e vendosjes në Komitetin e Kredisë së bankës ka propozuar aprovimin e kredisë, duke e vënë në lajthim anëtarët tjetër të komitetit, dëshmitarin Hasan Lahu me paraqitjen e fakteve të rrejshme. Me ç‘rast thuhet se të njëjtin e ka shtyrë që të veprojë në dëm të pasurisë të së dëmtuarës “ProCredit Bank”, ashtu që në këtë mënyrë Besnik Osmanit i ka sjellë dobi pasurore në shumën e lartcekur. Për këtë, ai akuzohet se ka kryer veprat penale “Shpërdorim i pozitës zyrtare ose i autorizimit” dhe “Mashtrimi”.
Në dispozivitin e dytë të akuzës, përshkruhen veprimet e të pandehurve Kenan Behrami, Bahri Gashi, Hazir Hyseni, Besim Hyseni, Pajtim Bellopoja, Astrit Ilazi, Sami Salihu, Arben Verbovci, Bahri Fazliu dhe Albion Sokoli.
Në aktakuzë thuhet se i pandehuri Kenan Behrami, në fillim të vitit 2012 në Vushtrri, e ka formuar e pastaj edhe zgjeruar grupin kriminal të strukturuar dhe të organizuar, të përbërë prej të pandehurve Bahri Gashi dhe Hazir Hyseni, me të cilët i pandehuri Kenan ka pasur kontakte të rregullta direkte dhe përmes të cilëve i ka drejtuar veprimet e anëtarëve të tjerë të grupit, pastaj Fatmir Azemi, i cili gjendet në arrati, Pajtim Bellopoja dhe Astrit Ilazi, pas tyre Besim Hyseni, Sami Salihu, Arben Verbovci, si dhe Bahri Fazliu, ndërsa dhe Albion Sokoli, aktivisht ka marrë pjesë në aktivitetet e tyre, ashtu që disa herë ka paguar këste të kredive, duke kontribuar në kryerjen e krimeve të rënda nga ky grup kriminal, i cili ka vepruar sipas detyrave dhe roleve paraprakisht të përcaktuara nga i pandehuri Kenan Behrami.
Gjithnjë sipas aktakuzës, me qëllim të përfitimit të drejtpërdrejtë të dobisë financiare, i akuzuari Behrami ka shpërdorur pozitën zyrtare në mënyrë të përshkruar në dispozitivin e parë, si dhe duke i trajtuar klientët e papunësuar si klientë bujqësor, duke mos i vizituar klientët e rinj, duke pranuar si bashkë-huamarrës persona të cilët kredimarrësi nuk i ka njohur fare.
Gjithashtu në cilësi të anëtarit të komitetit të kredisë, duke vënë në lajthim anëtarë tjerë të komitetit me paraqitjen e fakteve të rrejshme dhe duke i shtyrë që të veprojnë në dëm të pasurisë të së dëmtuarës.
Ndërsa, të pandehurit tjerë të lartcekur, anëtarët e grupit kriminal të të pandehurit Kenan Behrami, thuhet se me qëllim që vetes t’i sjellin përfitim pasuror me paraqitjen e rreme dhe fshehjen e fakteve kanë sjellë në lajthim një numër të madh të qytetarëve të Komunës së Vushtrrisë që të paraqiten në “ProCredit Bank” si kredimarrës formal dhe të marrin në emër të tyre kredi bujqësore me kompensim të shumës së vogël të të hollave.
Kjo thuhet se u bë atë mënyrë që të njëjtëve i kanë treguar të pavërteta se kinse kredia është donacion nga bota e jashtme, të njëjtën nuk janë të obliguar ta paguajnë vet dhe do të fshihet pas gjashtë muajve ose se do të nënshkruajnë kredinë vetëm si “dëshmitarë”, edhe pse e kanë ditur se kjo nuk është e vërtetë.
Siç thuhet në aktakuzë, pas kryerjes së procedurës së marrjes së kredisë, në mënyrë të përshkruar si më lartë, në afatin shumë të shkurtër, pasi që kredimarrësi me të hollat e kredisë ka dalë nga banka, tërë shumën ia ka dorëzuar anëtarit të trupit të organizuar kriminal, i cili atë kredimarrës e ka mashtruar dhe ia ka dhënë një shumë të vogël, të lartpërmendur të të hollave.
Sipsas aktakuzës, me këtë rast, një pjesë e të hollave ka shkuar për pagimin e kësteve të arritura sipas kredive të aprovuara më herët, një pjesë iu ka shkuar anëtarëve të grupit kriminal, ndërsa pjesa më e madhe e parave i ka shkuar të pandehurit Kenan Behrami, kurse në shumë raste ky i pandehur anëtarët e grupit kriminal i ka shpërblyer me automjete, të cilat i ka sjellë nga Gjermania, ndërsa të njëjtit, pastaj i kanë shitur në Kosovë.
Tutje thuhet se duke shpërdorur pozitën e tij zyrtare dhe duke vënë në lajthim personat e lartcekur, zyrtarë të bankës, i pandehuri Kenan Behrami, më 16 janar 2012, ia ka mundësuar dëshmitarit Besnik Osmani që të marrë kredinë në shumë prej 15 mijë euro, të cilat i njëjti i ka marrë pasi është sjell në lajthim nga ana e të pandehurit Bahri Gashi.
Në aktakuzë thuhet se më 8 mars 2012, ia ka mundësuar të pandehurit Bahri Gashi që të marrë kredinë bujqësore në shumë prej 12 mijë euro, si dhe më 23 janar 2013, kredinë në shumë prej 25 mijë euro, në emër të fermës së lopëve “Gashi”.
Ndërkaq, më 24 prill 2012, thuhet se i ka mundësuar dëshmitarit Nexhat Hyseni që ta marrë kredinë bujqësore në vlerë prej 5 mijë e 500 euro, ndërsa më 25 tetor 2012, kredinë në shumë prej 3 mijë e 500 euro, të cilat i njëjti i ka marrë pasi është sjell në lajthim nga ana e të pandehurit Bahri Gashi.
Më 20 dhjetor 2012, thuhet se duke i udhëzuar anëtarët e grupit të vet kriminal se si të paraqesin kolateral të rrejshëm dhe bashkë-huamarrësin e huaj si anëtar të familjes së kredimarrësit, si dhe duke shfrytëzuar ndikimin personal kolegial, e ka sjellë në lajthim kolegun, këshilltarin e klientëve për biznese bujqësore, Besart Merovci që të aprovojë kredinë në shumë prej 6 mijë euro për dëshmitarin Viktor Morina, të cilin e ka mashtruar Bahri Gashi.
Në aktakuzë janë të përshkruara edhe shumë raste të tjera që thuhet se kanë ngjarë në vitin 2012 e 2013.
Tutje, thuhet se të pandehurit në bashkëkryerje, të dëmtuarës “ProCredit Bank”, i kanë shkaktuar dëm në shumë të përgjithshme prej 613 mijë e 557 euro e 49 centë, ndërsa vetes i kanë sjellë dobi pasurore në shumë të përgjithshme prej 440 mijë e 471 euro e 11 centë.
Me këto veprime, i pandehuri Behrami, akuzohet se ka kryer veprën penale “Krim i organizuar” në lidhje me veprat penale “Shpërdorim i pozitës zyrtare apo autorizimit” dhe “Mashtrim”.
Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.
Monitoruar nga Aulona Alaj