Në Departamentin e Krimeve të Rënda, të Gjykatës Themelore në Prishtinë, është mbajtur shqyrtimi gjyqësor në rastin e të pandehurës Zoja Krasniqi e cila nga Prokuroria akuzohet për veprën penale ‘Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’.
Trupi gjykues që po trajton këtë rast kryesohet nga gjyqtarja Fatime Dërmaku dhe përbëhet prej anëtarëve gjyqtari Ertan Sejfulla dhe gjyqtari Naser Foniqi. Ndërsa, Prokuroria Themelore përfaqësohet nga Prokurori i Shtetit Besnik Jakupi.
Tutje, shqyrtimi ka vazhduar duke u konstatuar e lexuar aktakuza, ndërsa e pandehura sërish u deklarua e pafajshme.
Në vazhdim, në fjalën hyrëse Prokurori i Shtetit, theksoi se përgjatë shqyrtimit gjyqësor me administrimin e provave do të vërtetohet se e pandehura ka kryer veprën penale sic është përshkruar në aktakuzë.
Ndërsa, Përfaqësuesi i Komunës së Prishtinës, ndër të tjera theksoi se mbështesin fjalën hyrëse të Prokurorisë dhe i njejti shtoi se e ripërsërisin kërkesën pasurore juridike në vlerën e caktuar si në aktakuzë.
Tutje, pala tjetër e dëmtuar nuk u ftua që të japë fjalën hyrëse pasi që lidhur me këtë të dëmtuar, ka qenë e akuzuar Albulena Rama – Gashi e për të cilën me datë 15 Korrik 2024 është arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale dhe rrjedhimisht ka pushuar procedura penale për të. Ndërsa, pala e dëmtuar theksoi se do të tërhiqet nga parashtrimi i kërkesës pasurore juridike dhe shtoi se nuk dëshiron të marrë ftesë për këtë proces gjyqësor.
Kurse, mbrojtësi i të pandehurës av. Jeton Maqedonci në fjalë hyrëse theksoi se qëndrojnë në tërësi pranë deklarimeve të më hershme, duke shtuar se përgjatë shqyrtimit gjyqësor do të vërtetohet se e mbrojtura e tij nuk e ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.
Ndërsa, sa i përket administrimit të provave materiale, Prokurori i Shtetit theksoi se duhet të vecohen provat të cilat kanë të bëjnë vetëm me të pandehurën Zoja Krasniqi dhe në kushtet e krijuara i njejti kërkoi nga trupi gjykues që shqyrtimi i sotëm të ndërpritet, rrjedhimishtë me këtë kërkesë u pajtua edhe mbrojtja.
Trupi gjykues morri aktvendim me të cilin e ndërpreu seancën, ndërsa seanca e radhës u caktua për datën: 07 Nëntor 2024 nga ora 10:00.
Kujtojmë që, në këtë cështje penale para se të kthehej në rigjykim kishin qenë të akuzuar gjashtë persona, por për tre nga ta Prokuroria ishte tërhequr nga ndjekja, ndërsa Gjykata Themelore në Prishtinë, me datë 15 Mars 2024 të pandehurat Zoja Krasniqi dhe Albulena Rama – Gashi i kishte dënuar me nga një vit burgim në gjysmë liri. Kurse, të pandehurin Valon Bllacaku e kishte liruar nga akuzat.
Ndërsa, Gjykata e Apelit e kishte anuluar vendimin dhe lëndën e kishte kthyer në rigjykim.
Sipas dosjes së Prokurorisë Themelore, Zoja Krasniqi, e cila në periudhën kohore kritike mbante pozitën e zyrtares në Drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport, akuzohet se ka vepruar në kundërshtim me autoritetin e saj zyrtar.
Ajo dyshohet se që nga viti 2010 e deri në viti 2014 ka përpiluar dosje fiktive përmes të cilave u ka mundësuar familjarëve të saj – Arben dhe Armend Gashi, Albulena Rama dhe Valon Bllacaku të përfitojnë në mënyrë të kundërligjshme përmes subvencioneve në kuadër të Komunës së Prishtinës.
Sipas dosjes së Prokurorisë, përmes këtyre veprimeve familjarët e saj kanë përfituar rreth 25 mijë euro nga këto subvencione të ndara për projekte të ndryshme, e të cilat nuk u realizuan asnjëherë.
Lidhur me këto veprime, mbi Krasniqin rëndojnë akuza për ‘Keqpërdorim të pozitës zyrtare’.
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.
Monitoruar nga Arton Hoxha










