Në Departamentin e Krimeve të Rënda të Gjykatës Themelore në Prishtinë është mbajtur shqyrtimi fillestar në rastin ku akuzohet Dardan Berila për veprën penale “Keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik” dhe Bujar Hoxha për veprën penale “Falsifikim i dokumentit”. Ky rast po trajtohet para gjyqtarit Gazmend Bahtiri ndërsa nga Prokuroria prezantoi Prokurori Kujtim Munishi.
Në seancën e fundit të mbajtur lidhur me këtë rast seanca ishte ndërprerë me kërkesë të palëve me qëllim që të arrihet marrëveshja për pranimin e fajësisë mirëpo në seancën e sotme u bë e ditur se nuk është arritur kjo marrëveshje për shkak të mospajtimit lidhur me sanksionin penal.
Pas leximit të aktakuzës nga Prokurori i shtetit gjykata i dha fjalën të akuzuarve për tu deklaruar lidhur me fajësinë për veprat penale që i bien në barrë.
Kështu i pandehuri Dardan Berila u deklarua i pafajshëm për veprën penale për të cilën akuzohet. Ndërkaq, i pandehuri i dytë, Bujar Hoxha, e pranoi fajësinë dhe shtoi se është penduar për veprën penale që ka kryer si dhe premtoi se nuk do të përsëris më veprime të tilla. Mirëpo gjyqtari Gazmend Bahtiri me aktvendim e refuzoi këtë pranim të fajësisë.
Gjyqtari vlerësoi se është e nevojshme që i pandehuri në fjalë të dëgjohet në shqyrtim gjyqësor në mënyrë që të bëhet vërtetimi i plotë dhe i drejtë i gjendjes faktike, mirëpo shtoi se pranimi i fajësisë nga i pandehuri do të vlerësohet si rrethanë lehtësuese me rastin e matjes së llojit dhe lartësisë së dënimit.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë, Dardan Berila, akuzohet për veprën penale ‘Keqpërdorimi dhe mashtrimi në Prokurim Publik’, nga neni 415, i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Ndërsa, i akuzuari Bujar Hoxha, akuzohet për veprën penale ‘Falsifikim i dokumentit’, nga neni 390 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.
Monitoruar nga Aulona Alaj










