|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Deklarohet i pafajshëm ish-zyrtari Komunal i Fushë Kosovës, i akuzuar për Korrupsion

Në Departamentin e Krimeve të Rënda të Gjykatës Themelore në Prishtinë, është mbajtur shqyrtimi gjyqësor në rastin ndaj të pandehurit Maliq Berisha, i cili nga Prokuroria akuzohet për veprën penale: “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’.

Trupi gjykues që po trajton këtë rast kryesohet nga gjyqtari Gent Beka dhe përbëhet prej anëtarëve gjyqtarja Fatime Dërmaku dhe gjyqtari Gëzim Ademi. Ndërsa, Prokuroria Themelore përfaqësohet nga Prokurorja e Shtetit Elza Bajrami.

Shqyrtimi ka vazhduar me konsiderimin e aktakuzës si të lexuar dhe deklarimin e të pandehurit Maliq Berisha, i cili theksoi se ndjehet i pafajshëm.

Tutje, në fjalën hyrëse Prokurorja e Shtetit theksoi se qëndron në tërësi pranë aktit akuzes si dhe përgjatë shqyrtimit gjyqësor me administrimin e të gjitha provave do të vërtetohet fajësia e të pandehurit, tutje shtoi se përgjatë shqyrtimit do të dëgjohen dëshmitarë nga të cilët do të vërtetohet gjendja faktike e përshkruar në aktakuzë.

Ndërsa, mbrojtësi i të pandehurit av. Qëndrim Arifi theksoi se mbetën në tërësi pranë deklarimeve paraprake duke shtuar se akti akuzues nuk është i bazuar në prova të cilat e mbështesin inkriminimin për të mbrojturin e tij, duke shtuar se gjatë shqyrtimit gjyqësor do të vërtetohet se i njejti është i pafajshëm.

Gjykimi ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit, SH.K. i cili nga pytjet e Prokurorës së Shtetit ndër të tjera theksoi se, nga Janari i vitit 2014 kishte qenë në cilësin e Shefit të Njësisë së Auditimit të brendshëm në Komunën e Fushë Kosovës, dhe shtoi se detyrat e tij ishin të caktuara sipas Ligjit për Kontrollë të Brendshme të Financave Publike, ku ndër të tjera e ka përgaditur planin e punës për secilin vit. Tutje, dëshmitari shtoi se në përgjegjësi të tij ka qenë edhe auditimi i pagesave për rrezikshëmri në Komunën e Fushë Kosovës, ku nga kjo listë e pagave mund të shihet edhe cështja se cilët puntorë marrin paga shtesë.

Ndërsa, për rastin që është objekt shqyrtimi dëshmitari theksoi se e ka bërë auditimin në vitin 2021, tutje shtoi se nga ky auditim ishte gjetur se personi zyrtarë në fjalë merr shumë prej 107 euro në mënyrë të kundërligjshme në kundërshtim me ‘Ligjin për Pagat e Nënpunësve Civil’, tutje dëshmitari shtoi se që në vitin 2014 kontrata e caktuar është protokoluar një vitë e gjysëm më vonë.

Tutje, dëshmitari theksoi se epror i personit zyrtarë të lartëcekur ishte i pandehuri Maliq Berisha, ndërsa sa i përket dëmit në bazë të vlerësimit të tij si auditor ka qenë rreth 11 mijë euro.

Kurse, në pytjet e mbrojtjes sa i përket shtesave të cilat ishin dhënë në mënyrë të kundërligjshme të cilat i ka thënë edhe në deklaratën e tij në Polici, dëshmitari lidhur me këtë deklaratë të tij theksoi se nëse shikohet ligji nga aty kuptohet edhe cështja e kundërligjshmërisë së këtij procesi. Tutje, sa i përket shtesave tek personi zyrtarë i lartëcekur dëshmitari theksoi se me deklarimin e tij të dhënë në Departamentin e Krimeve Ekonomike, edhe atëherë e ka thënë se është shkelur ligji, ashtu sic edhe përmendet në aktakuzë.

Tutje, lidhur me rregullat e brendshme në të cilat nuk përmendet Drejtori i Drejtorisë Komunale, dëshmitari theksoi lista e pagave nënshkruhet nga Drejtori dhe punëtorët që janë pjesë e kësaj liste, ndërsa në fund të listës nënshkruan drejtori si formë e kontrollës së listës së pagave. Kurse, sa i përket denoncimit të tij në vitin 2021 dëshmitari theksoi se nuk e kishte përmendur Drejtorin e Drejtorisë Komunale tani i pandehur Maliq Berisha.

Lidhur me cështjen e gradimit dhe harmonizimit të personave në sistemin e punës dëshmitari theksoi se këtë e bënë Kryetari i Komunës, sistematizimin e bëjnë komisionet të cilat i përzgjedhë Kryetari, gjithashtu edhe cështja e pagës shtesë bëhet nga Kryetari, kurse sa i përket rastit në fjalë theksoi se nuk e ka parë, por e dinë se edhe në këtë rast e kë bërë Kryetari dhe jo Drejtori Komunal i cili tani është i pandehur.

Kryetari i trupit gjykues theksoi se pasi është afër përfundimi i orarit të punës së Gjykatës, shqyrtimi i sotëm duhet të ndërpritet.

Sipas aktit akuzues, i pandehuri Berisha thuhet se nga data 01.01.2014, në vazhdimësi e deri me datë. 12.08.2022, në Fushë Kosovë, në cilësinë e personit zyrtar, si Drejtor i Shërbimeve Publike dhe Mjedis në Komunën e Fushë Kosovës, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për personin tjetër, me dashje dhe dijeni ka keqpërdorur autorizimet e tij ligjore duke mos vepruar në pajtim me legjislacionin për nënpunësit civil sa i përket shtesave për rrezikshmeri në punë, në atë mënyrë që zyrtarit komunal të Fushë Kosovës, i punësuar në pozitën e “Zyrtar i Logjistikës dhe Autoparkut”, me dt. 01.01.2024, i ka mundësuar përfitim të kundërligishëm pasuror, në kundërshtim me Ligjin nr.03/L-147, për Pagat e Nënpunësve Civil, nenet 14 dhe 16 – shtesat për kushte specifike të punës    pasi që i pandehuri përkundër obligimeve ligjore që kishte si epror i tij, nuk kishte ndërmarrë veprime për ndërprerjen e kësaj pagese për zyrtarin e lartcekur të cilen e kishte pranuar kundërligshëm që nga muaji janar i vitit 2014 e deri me dt. 12.08.2022, kur këto shtesa i ishin ndërprerë pas inicimit të procedurës penale nga ana e Prokurorisë së Shtetit e pastaj edhe pas kërkeseës së të pandehurit për ndërprerjen e kësaj pagese, andaj me këtë mosveprim, i pandehuri Maliq Berisha, buxhetit të Republikës së Kosovës i ka shkaktuar dëm financiar në shumën prej 11,128.00 euro.

Me këto veprime, i pandehuri në vazhdimësi e ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414 par. 2 lidhur me par. 1 dhe nenin 77 të KPRK-së.

Shënim: I akuzuari i përmendur në këtë postim konsiderohet i pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tij me aktgjykim të formës së prerë të Gjykatës.

Monitoruar nga: Arton Hoxha

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter