|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Dështon të nis gjykimi ndaj të akuzuarit për Korrupsion

Në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ka dështuar të mbahet seanca e shqyrtimit fillestar ndaj të pandehurit Goran Milenkovic, i cili nga Prokuroria Speciale akuzohet për veprën penale në bashkëkryerje: ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’.

Kryetar i trupit gjykues në këtë rast është gjyqtari Kushtrim Shyti, ndërsa PSRK përfaqësohet nga Prokurori Special Dren Paca.

Fillimisht, Kryetari i trupit gjykues theksoi se përfaqësuesja e palës së dëmtuar e Ministrisë së Infrastrukturës nga avokatura shtetërore, e ka njoftuar Gjykatën se nuk mund të marrin pjesë në seancë, por të njejtit kanë theksuar se e mbështesin aktakuzën e PSRK, dhe do të paraqesin kërkesë pasurore-juridike.

Prokurori Special, theksoi se pasi që aktakuza e ngarkon të pandehurin për kryerjen e veprës penale në bashkëkryerje me 9 të pandehur tjerë ku ndaj të cilëve ishte hudhur aktakuza i cili vendim ishte vërtetuar edhe nga Gjykata e Apelit, ai shtoi se pasi që ka afat tre muaj për ushtrimin e mjetit të jashtëzakonshëm juridik të cilin Prokuroria do ta ushtroj, ai i propozoi Gjykatës që me qëllim të ekonomizimit të procedurës, shqyrtimi i sotëm mos të vazhdojë rrjedhimisht të pritet vendimi i Gjykatës Supreme, dhe atëherë të vazhdohet me shqyrtimin e këtij rasti.

Tutje, mbrojtsja e të pandehurit av. Jovana Filipovic theksoi se pajtohen me propozimin e Prokurorit Special.

Kryetari i trupit gjykues, morri aktvendim duke aprovuar propozimin e Prokurorit Special dhe shqyrtimi u shty në kohë të pacaktuar deri sa të vendoset nga Gjykata Supreme lidhur me kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë dhe pasi të merret vendimi do të procedohet tutje. 

Kujtojmë që, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, ka refuzuar akuzën për nëntë persona të dyshuar lidhur me këtë cështje, ndërsa për të pandehurin Goran Milenkovic ishte vecuar procedura për shkak të mungesës së tij në shqyrtimin gjyqësor të datës 17 Tetor 2023.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, i pandehuri Goran Milenkovic akuzohet se në cilësin e personit zyrtarë, përkatësishtë anëtar i Organit Shqyrtues të Prokurimit, pranë Ministrisë së Infrastrukturës, në bashkëkryerje me zyrtarë të tjerë ka tejkaluar kompetencat e tij dhe me veprimet e ndërmarra ka Keqpërdorur detyrën zyrtare.

Sipas PSRK, të pandehurit me veprimet e tyre në rastin e një tenderi kishin shkelur rregullat e Prokurimit dhe i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës në shumë prej 12,493,583.97 euro, si dhe dëm material dhe jomaterial operatorëve ekonomikë tjerë të cilët në kushte të barabarta do të mund të aplikonin.

Sipas aktit akuzues, i pandehuri Milenkovic ka kryer veprën penale ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’ nga neni 414 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Shënim: I akuzuari i përmendur në këtë postim konsiderohet i pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tij me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.

Monitoruar nga: Arton Hoxha 

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter