Në Departamentin e Krimeve të Rënda, të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ka vazhduar gjykimi në rastin e ish-drejtorit Komunal të Komunës së Drenasit, Sadik Tahiraj, i cili nga Prokuroria akuzohet për veprën penale ‘Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtarë’.
Trupi gjykues që po trajton këtë rast kryesohet nga gjyqtari Gent Beka dhe përbëhet prej anëtarëve gjyqtarja Medije Bytyqi dhe gjyqtari Adnan Kamberi. Ndërsa, Prokuroria Themelore përfaqësohet nga Prokurorja e Shtetit Dulina Hamiti.
Në seancën e sotme u dëgjuan katër dëshmitarët, Sh.F, A.H, T.H dhe M.R.
Në dëgjimin e dëshmitarit të parë Sh.B, i njëjti lidhur me rastin deklaroi se kur ka marrë menaxhimin e shkollës si Drejtor i shkollës ‘Rasim Kiçina’ ka qenë një nxehje klasike me dru dhe thëngjill dhe objekti ka qenë i vjetër, meqë rast në vitin 2015 pas një restaurimi të shkollës të bërë nga USAID, është dhënë mundësia me paraqit kërkesë në DKA për nxehje, e cila ishte aprovuar nga komisioni që kish paraparë atë nxehje qendrore, por në momentin e fundit është parë se nuk mund të vendoset në hapësirën në bodrum dhe duhet bëhet ndonjë aneks në shkollë.
Si shkak që buxheti nuk ka qenë i disponueshëm, dëshmitari deklaroi se punëmarrësi ka theksuar se munden të kryejnë projektin nëse mund të realizohen mjetet shtesë pastaj në mënyrë që nxënësit të mos mbesin pa nxehje qendrore.
Lidhur me atë që drejtori i urbanizmit ishte pajtuar të gjendet një zgjidhje private, ndërsa pastaj në vitin e ardhshëm të zotohen mjetet, për emrin e tij, dëshmitari nuk pranoi të tregon emrin pavarësisht se në fillim tha se nuk kisha dasht me hy në këtë pjesë, ndërsa pastaj deklaroi se nuk e di.
Ndërsa, dëshmitari tjetër, A.H, ish-punonjës në kompaninë ‘Bau Market’, e cila kishte furnizuar shkollën me material ndërtimor për aneksin, deklaroi se kjo ka qenë një ndihmë, pasi kompania ka ndihmuar shumë shkolla, dhe pas konsultimit me pronarin dhe stafin menaxherial është urdhëruar me llogaritjen e çmimeve furnizuese, dhe pasi është dërgu materiali ne faturën e kemi dërguar tek financat, dhe e njëjta sa e di është paguar dy vjet pasi nuk kam qenë në punë tek kompania përkatëse dhe atë përmes përmbarimit.
Tutje, dy dëshmitarët tjerë T.H dhe M.R deklaruan se mbeten pranë deklaratave të dhëna në shqyrtimit gjyqësor.
Sipas aktakuzës së ngritur më 29 gusht 2018, Sadik Tahiraj në cilësinë e personit zyrtar, derisa ishte në pozitën e drejtorit të Drejtorisë Komunale të Arsimit në Drenas, ka shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar duke i tejkaluar kompetencat e tij.
Në aktakuzë thuhet se këtë e ka bërë me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për vete ose për organizatën e biznesit “A&I Group” SH.P.K dhe “Al Trade” SH.P.K.
Sipas aktakuzës, që nga fillimi deri në përfundim të projekteve kapitale, ndërtimi i depos për dru dhe thëngjill në Shkollën Fillore të Mesme të Ulët “Rasim Kiçina” në Drenas dhe renovimi i kulmit të Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Rilindja” në Dobroshevc, janë kryer pa respektuar asnjë procedurë të prokurimit.
Sipas aktit akuzues, për projektin për ndërtimin e depos për dru dhe thëngjill në Shkollën Fillore të Mesme të Ulët “Rasim Kiçina” në Drenas, që “ Al Trade” SH.P.K. e ka furnizuar gjatë vitit 2015 me material ndërtimor është kryer pa respektuar asnjë procedurë të prokurimit, në bazë të Memorandumit të Mirëkuptimit lidhur mes të pandehurit dhe firmës së lartcekur.
Aktakuza thotë se renovimi i kulmit të Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Rilindja” në Dobroshevc , ku “A&I Group SH.P.K i ka kryer punimet gjatë vitit 2016, është bërë pa u respektuar asnjë procedurë e prokurimit në marrëveshje gojore me të pandehurin.
Me veprimet e tij, sipas Prokurorisë, i pandehuri Tahiraj ka kryer veprën penale: ‘Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtarë’.
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të
vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.
Monitoruar nga: Leotrim Pajaziti