Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është mbajtur shqyrtimi fillestar në rastin ku Trim Musliu, Armend Osaj, Denis Ceman, Alban Nimani, Fatbardh Ajvazi, Kreshnik Musliu dhe Gazmend Hyseni akuzohen për kryerjen e veprave penale “Përvetësim në detyrë”, “Falsifikim i dokumenteve”, “Shmangie nga tatimi” dhe “Dokumente të rrejshëm”, në dëm të Telekomit të Kosovës.
Në seancën e sotme, prokurori i rastit Rafet Halimaj lexoi aktakuzën, ku deklaroi se prokuroria ka ngrit aktakuzë ndaj 7 të pandehurve për kryerje të veprave penale të cekura si në aktakuzë.
Ndërsa në deklarimin rreth fajësisë, të akuzuarit Trim Musliu, Armend Osaj, Alban Nimani, Fatbardh Abazi dhe Kreshnik Musliu u deklaruan të pafajshëm.
Por, fajësinë e pranuan të akuzuarit Denis Ceman dhe Gazmend Hyseni.
Në këtë rast, prokurori Halimaj deklaroi se dy të akuzuarit që pranuan fajësinë, kanë bërë marrëveshje për pranim fajësie me prokurorinë dhe kërkoi që të pranohet pranimi i fajësisë, ndërsa sa i përket shqiptimit të dënimit kërkoi që i njëjti të mos shqiptohet deri në formën e shqyrtimit gjyqësor në këtë çështje penale, me qëllim që gjykata të vlerëson në mënyrë të drejtë kontributin e tyre në interes të drejtësisë.
Gjyqtari i rastit Arben Hoti mori aktvendim për pranimin e fajësisë ndaj dy të akuzuarve Ceman dhe Hyseni, duke deklaruar se janë plotësuar kriteret ligjore nga neni 242 i KPPRK-së.
Çështja do të vazhdojë vetëm me të pandehurit që nuk kanë pranuar fajësinë, ndërsa për të pandehurit Ceman dhe Hyseni pezullohet shqiptimi i dënimit dhe të njëjtit do të ftohen në fjalën përfundimtare në këtë çështje penale.
Të akuzuarit përmes mbrojtjes së tyre kanë afat prej 30 ditësh për kundërshtim të provave të cekura në aktakuzë, si dhe kundërshtim për hedhje të aktakuzës.
Duke marrë parasysh mungesën e kushteve ligjore për seancën e sotme, gjyqtari Hoti deklaroi lëshimin e urdhërarrestit për të akuzuarin Musliu për sjellje me detyrim në seancën e radhës dhe se seanca radhës do të mbahet me datë 5 nëntor 2024, nga ora 10:00.
Sipas aktakuzës së ngritur më 26 qershor 2024 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), të akuzuar për këtë rast janë: Trim Musliu, Armend Osmaj, Denis Ceman, Kreshnik Musliu dhe Gazmend Hyseni .
Në dispozitivin e parë të aktakuzës thuhet se Trim Musliu nga data 21 janar 2019 e deri më 24 prill 2019 në cilësi të drejtorit Marketigu në Telekomin e Kosovë me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm përvetëson pasurinë të Telekomit të Kosovës, konkretisht duke lidhur kontratë me “Zone Mobile” për furnizim me 239 telefona mobil, kur 153 prej tyre i përvetëson për vete, ndërkaq në furnizimin e dytë prej 16 telefonave mobilë përvetëson 11 prej tyre duke përvetësuar në total 163 telefona mobilë në vlerën prej 164 mijë e 847 euro e 83 centë.
Për këto veprime Musliu po ngarkohet për veprën penale “Përvetësimi në detyrë” nga nenin 425 paragrafi 1 lidhur me paragrafin 3 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Tutje, në dispozitivin të dytë të aktakuzës thuhet se i akuzuari Armend Osaj më 3 shtator 2019 e deri me 30 shtator 2019 në cilësi të drejtorit të Financave dhe Thesarit në Telekomin e Kosovës, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm përvetëson pasurinë të Telekomit të Kosovës, konkretisht duke lidhur kontratë me “Zone Mobile” për furnizim me telefona mobil, USB, modema në vlerën e 207 mijë e 733 euro e 10 centë e që në total pranon 305 telefona e duke përvetësuar për vetë në total 48 telefona mobil në vlerën prej 32 mijë e 692 euro e 32 centë.
Për këto veprime i akuzuari Osaj po ngarkohet për kryerjen e veprës penale “Përvetësimi në detyrë” nga nenin 418 paragrafi 1 lidhur me paragrafin 3 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Ndërkaq, sipas dispozitivit të tretë të akuzuarit Trim Musiu , Kreshnik Musliu dhe Denis Ceman
ngarkohen me veprën penale “Falsifikim i dokumenteve ” nga neni 390 paragrafi 1 lidhur me paragrafin 3 dhe lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Kosovës.
Tutje, në dispozitivin e katër të aktakuzës ngarkohet Armend Osaj me veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”nga nenin 390 paragrafi 1 lidhur me paragrafin 2 të Kodit Penal të Kosovës.
Ndërsa, në dispozitivin e pestë të aktakuzës ngarkohen Alban Limani dhe Fatbardh Ajvazi për kryerjen e veprën penale “Mashtrim” nga neni 335 paragrafi 1 lidhur me paragrafin 5 dhe nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Ndërsa, në dispozitivin e pestë, gjashtë dhe të shtatë ngarkohen Alban Limani dhe Fatbardh Ajvzai për veprën penale “Mashtrim” nga neni 335 paragrafi 1 lidhur me paragrafin 5 dhe nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, veprën penale “Keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik” nga nenin 415 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 3 dhe nenin 31 të Kodit Penal të Kosovës, si dhe veprën penale “Shmangie nga tatimi” nga nenin 307 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 dhe nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Dhe në fund dispozitivi i tetë i aktakuzës ngarkon Gazmend Hyseni se ka kryer veprën penale “Dokumente të rrejshëm lidhur me tatimin” nga neni 308 paragrafi 2 dhe 3 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Kosovës.
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.
Monitoruar nga: Leotrim Pajaziti