|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Thuhen fjalët përfundimtare në rastin e korrupsionit në “KEK”

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Departamentin e Krimeve të Rënda, është mbajtur seanca e fjalës përfundimtare në rastin ku Sylejman Pllana akuzohet për korrupsion në Korporatën Energjetike të Kosovës.

Fillimisht fjalën përfundimtare e dha Prokurori i rastit Besnik Jakupi i cili pasi e dorëzoi me shkrim dha një elaborim të shkurtër para trupit gjykues me ç’ rast kërkoi që të akuzuarin gjykata ta shpallë fajtor dhe ta dënoj sipas ligjit pasi është vërtetuar se ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.

Tutje fjalën e mori mbrojtësi i të pandehurit, avokati Nexhmedin Sejdiu, i cili tha se e tërë akuza është ngritur sipas sajimeve të të pandehurit Egzon Hyseni për të cilin ishte veçuar procedura. Avokati Sejdiu shtoi se provat e administruara janë prova të papranueshme dhe nuk vënë në pah fajësinë e të pandehurit duke theksuar se i njëjti është tërësisht i pafajshëm. Fjalën e mori edhe vetë i pandehuri Pllana i cili kërkoi nga gjykata që ta lirojë nga akuzat pasi që është i pafajshëm.

Ky rast po trajtohet nga trupi gjykues me kryetar gjyqtarin Gent Beka dhe me anëtarët Medije Bytyqi dhe Gazmend Bahtiri.

Kështu pasi shqyrtimi gjyqësor në këtë çështje ka përfunduar shpallja e aktgjykimit u caktua me datë 11 nëntor në orën 13:15.

Aktakuza e ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 26 janar 2021, ngarkon Sylejmon Pllanën se në cilësinë e personit zyrtar, inxhinier në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), duke e keqpërdorur detyrën e tij, Egzon Hysenit i kishte kërkuar ryshfet në shumë prej 5 mijë e 500 euro duke i premtuar se do ta punësonte si vozitës në KEK.

Gjithnjë sipas aktit akuzues, Pllana fillimisht e kishte pranuar shumën prej 2 mijë euro nga i akuzuari Hyseni, e pastaj në një takim tjetër ai kishte pranuar edhe shumën prej 500 euro, kurse për pjesën tjetër prej 3 mijë euro, ata ishin pajtuar që ajo pjesë të paguhej pasi i akuzuari Hyseni të punësohej dhe ta marrë pagën e parë në KEK.

Me këto veprime, Pllana po akuzohet se ka kryer veprat penale “Marrja ryshfetit” nga neni 428, par 1, vepër kjo e dënueshme me gjobë dhe me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.

Po ashtu, ai akuzohet edhe për veprën penale “Keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, par 1 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Egzon Hyseni akuzohej se gjatë muajit prill 2019, është takuar me të akuzuarin Pllana në Fushë Kosovë dhe me qëllim që të punësohej në KEK, fillimisht i kishte dhënë Pllanës shumën prej 2 mijë euro e pastaj në një takim tjetër shumën prej 500 euro, kurse për pjesën tjetër ishin pajtuar që të paguhej pasi i akuzuari Hyseni të punësohej në KEK.

Me këtë, Hyseni akuzohej se ka kryer veprën penale “Dhënia e ryshfetit”, nga neni 429, paragrafi 1, vepër kjo e dënueshme me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.

Pasi Hyseni e kishte pranuar fajësinë për këtë vepër penale, Gjykata Themelore në Prishtinë, me 17 maj 2021, e kishte dënuar me gjashtë muaj burgim dhe 300 euro gjobë, por me pëlqimin e tij, dënimi me burg iu kishte zëvendësuar pastaj në dënim me gjobë në lartësi prej 1 mijë e 500 euro.

Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të

vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.

Monitoruar nga Aulona Alaj

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter