Në Gjykatën Themelore në Pejë, Departamenti për Krime të Rënda, sipas agjendës së planifikuar është fiiluar me dëgjimin e dëshmitarëve ndaj 12 të akuzuarve në rastin ‘’Brezovica’’.
Në seancën e sotme është vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit të parë A.Q, i cili në këtë rast është shpallur dëshmitar bashkëpunues.
Kujtojmë që sipas aktakuzës janë të akuzuar 12 persona për vepra të ndryshme penale.
I akuzuari Bratislav Nikoliq ngarkohet për 28 vepra penale, ku 9 prej tyre janë vepra penale të ‘’Keqpërdorimit të pozitës apo të autoritetit zyrtar’’, 9 dispozitiv për veprën penale ‘’Marrje ryshfeti’’, 9 dispozitiv për veprën penale ‘’Ushtrim Ndikimi’’ si dhe, i njëjti është i akuzuar edhe për veprën penale penale ‘’Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’.
I akuzuari Dimitrije Recicevic, është i akuzuar për 3 vepra penale të ndryshme me gjithsej 11 dispozitiv. Për veprën penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo i autoritetit zyrtar’ ka 9 dispozitiv, i njëjti gjithashtu akuzohet edhe për veprën penale ‘’Marrje e ryshfetit’’ si dhe është i akuzuar edhe për veprën penale penale ‘’Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’.
Sa i përket të akuzuarve Dimitrije Recicevic, Hysen Bajrami dhe Dragomir Milosavleviq në bashkëveprim, si persona zyrtar në pozita të ndryshme, nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare në pajtim me nenit 24 të Ligjit për Inspektoratin e Mjedisit, Ujërave, Natyrës, Planifikimit Hapësinor dhe Ndërtimit nr.04/L-175, ku me veprimet e tyre në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale Marrja e ryshfetit nga neni 428 par.3 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.
I akuzuari Sasha Milosavleviq akuzohet për veprën penale ‘’Marrja e ryshfetit’’ edhe për veprën penale ‘’Ushtrim ndikimi’’ si dhe, për veprën penale penale ‘’Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’.
Pastaj i akuzuari Arben Çitaku, akuzohet për veprën penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ si dhe për veprën penale Mbajtja në pronësi, kontrolle ose në posedim të paautorizuar të armëve.
Më pas i akuzuari i radhës është Bedri Halimi, i cili me veprimet e tij ka kryer veprën penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’.
Gjithashtu i akuzuari Mustafë Hyseni ngarkohet me veprën penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës zyrtare apo autorizimit’’.
Tutje, i akuzuari Hysen Ajdini akuzohet për veprën penale ‘’Dhënia e ryshfetit’’, gjithashtu ngarkohet edhe me veprën penale ‘’Ushtrim ndikimi’’.
Pastaj, i akuzuari Sasha Spasiq akuzohet se ka kryer veprën penale ‘’Marrja e ryshfetit’’ në ndihmë, ku ka ndihmuar të akuzuarin Bratislav Nikoliq në kryerjen e veprës penale marrja e ryshfetit, gjithashtu edhe i akuzuari Jadran Kosiq akuzohet se ka kryer veprën penale ‘’Marrja e ryshfetit’’ në ndihmë, ku ka ndihmuar të akuzuarin Bratislav Nikoliq në kryerjen e veprës penale marrja e ryshfetit.
Dhe në fund është i akuzuari Raif Bajrami i cili ngrakohet me veprën penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës zyrtare apo autorizimit’’.
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.
Monitoruar nga Elvana Hatashi