Në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, është mbajtur seanca ndaj të pandehurve Lorik Jashari, Kadri Mustafa dhe Naman Pacolli, të cilët nga Prokuroria Speciale akuzohen si Grup i organizuar kriminal për ‘Shmangie tatimore’, ‘Shpërlarje parash’, si dhe ‘Keqpërdorim i autorizimeve ekonomike’.
Trupi gjykues që po trajton këtë rast kryesohet nga gjyqtari Valon Kurtaj dhe përbëhet prej anëtarëve gjyqtari Lutfi Shala dhe gjyqtari Vesel Ismaili. Ndërsa, PSRK përfaqësohet nga Prokurorja Speciale Habibe Salihu.
Shqyrtimi gjyqësor ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit, Sh.M. i cili ka pozitën e Hetuesit Tatimor në ATK. I njejti nga pytjet e Prokurorës Speciale ndër të tjera theksoi se bizneset ‘Xoni’ janë të regjistruara nga i pandehuri Kadri Mustafa, përkatësishtë, biznesi tjetër me emrin ‘Panea’, është regjistruar nga i pandehuri Naman Pacolli.
Kurse sa i përket shitblerjeve të deklaruara nga biznesi ‘Xoni’, dëshmitari shtoi se sipas dokumentacionit figurojnë kryerjet e transaksioneve të shit-blerjeve fiktive, dhe se shuma totale e këtyre shitjeve nga 72 fatura të lëshuara për dhjetë biznese dhe një person fizik ishin në vlerë të përgjithshme 2,149,478.49 euro, për periudhën 2010-2012.
Tutje, lidhur me shit-blerjet e biznesit ‘Panea’, dëshmitari theksoi se këto shit-blerje janë kryer nga i pandehuri Naman Pacolli, të gjitha këto të dhëna me autorizim nga pronari i këtij biznesi dhe i njejti kishte pasur autorizim për kohë të pacaktuar në përfqësim të biznesit. Lidhur me të gjitha këto detaje dëshmitari theksoi se të gjitha gjenden në Raportin e dorëzuar nga ATK.
Kurse, sa i përket faturave, dëshmitari theksoi se janë shtypur nga pranuesit e faturave dhe të njejtat nuk kanë formë standarde. Ndërsa, lidhur me tatimet e përfituara nga blerësit, dëshmitari theksoi se këto janë kthyer në ATK.
Sa i përket llogarive bankare të këtyre bizneseve, dëshmitari theksoi se dy bizneset i kanë poseduar, në llogarinë bankare të biznesit ‘Xoni’, person i vetëm i autorizuar ka qenë i pandehuri Naman Pacolli, rrjedhimishtë edhe tek biznesi ‘Panea’ ndërsa shuma totale e këtyre transaksioneve bankare arrinë shifrën prej 941,064.05 Euro dhe 11.245.00 Dollar dhe atë në tre banka të ndryshme, tutje dëshmitari theksoi se dita e transferimit dhe e tërheqjes ishte e njejtë.
Tutje, gjykimi ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarës së dytë, M.A. e cila nga pytjet e Prokurorës Speciale ndër të tjera theksoi se se ka punuar tek Kompania ‘NPT Ylli’ e cila është agjencion doganor, tutje dëshmitarja theksoi se është marrë me deklarimin e mallrave në Doganë për të cilat kanë qenë të autorizuar rrjedhimishtë kanë punuar me autorizime të bizneseve të tjera të marra nga Pronari i Firmës.
Tutje, dëshmitarja theksoi se qëndron në tërësi pranë deklarimit të saj të cilin e ka dhënë pranë Hetuesisë në ATK duke shtuar se cdo gjë që ka deklaruar e ka bërë në mënyrë të vullnetshme.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, të pandehurit Lorik Jashari, Kadri Mustafa, Xh. M. dhe M. G., të cilët kanë ndërruar jetë, akuzohen për kryerjen e veprës penale të krimit të organizuar.
Sipas prokurorisë, gjatë vitit 2007-2011 Lorik Jashari si kryesues i grupit të organizuar kriminal iu ka ndihmuar në regjistrimin e bizneseve “Flaka Com” në emër të Kadri Mustafës. Kurse për Xh. M., ishte regjistruar biznesi me emër “Loni Com”, ndërsa M. G. ka regjistruar biznes me emrin “Yllka Com”. Sipas Prokurorisë regjistrimi i këtyre bizneseve ishte bërë më qëllim që të merren me aktivitete kriminale duke përpiluar faktura fiktive gjoja se është bërë shitja- blerja e mallrave konkrete, duke e dëmtuar sipas prokurorisë buxhetin e shtetit në dëm prej 198,707.17 mijë euro.
Gjithnjë sipas prokurorisë i pandehuri Lorik Jashari i ka kontaktuar personat e tjerë të akuzuar, duke qenë se ka aftësi të kontabilitetit dhe i ka udhëzuar personat si të hapet biznesi, si të veprohet në biznes, duke u treguar në detaje me aktivitetet kriminale.
Jashari sipas prokurorisë thuhet se pasi që janë udhëzuar tashmë të akuzuarit e tjerë për regjistrimin e bizneseve, ju ka siguruar shitës-blerës fiktiv. Tutje kishte përgatitur 42 faktura fiktive personalisht në vlerë prej mbi 360 mijë euro.
Me këto veprime të akuzuarit janë ngarkuar me veprën penale të krimit të organizuar. Kurse për Jasharin edhe për shmangie nga tatimi dhe për keqpërdorim të autorizimeve ekonomike.
Pikë tjetër e akuzës për shmangie tatimi e ngarkon të akuzuarin Kadri Mustafa i cili si pronar i kompanisë “ Flaka Com” e ka dëmtuar buxhetin e shtetit në vlerë prej afërsisht 5 mijë euro duke mos deklaruar të ardhurat dhe fitimin e saktë të kompanisë.
I akuzuari tjetër Naman Pacolli akuzohet për veprën penale të keqpërdorimit të autorizimeve ekonomike.
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.
Monitoruar nga Arton Hoxha