Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është mbajtur seanca e shqyrtimit gjyqësor në rastin ndaj të akuzuarve Vllaznim Emërllahu, Muhamet Selmani dhe Flamur Bekteshi, të akuzuar për veprën penale ‘Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’ në KEK-ë.
Në seancën e sotme, u paraqitën fjalët hyrëse të palëve, në të cilën po ashtu prokurori Besnik Jakupi bëri precizimin në një dispozitiv, përkatësisht për propozimin të ftohet përfaqësuesi i KEK-ut në cilësinë e palës së dëmtuar.
Ndërsa të akuzuarit në vazhdim u deklaruan të pafajshëm për akuzën që i vihet në barrë nga prokuroria.
Mbrojtësi i të akuzuarit Emërllahu, avokati Florian Petani në fjalën hyrëse të tij deklaroi se gjatë këtij shqyrtimi nuk do të provohet asnjëri nga faktet e theksuara në pikën I të dispozitivit të aktakuzës kundër Vllaznim Emërllahu, do të vërtetohet se dështimi për të publikuar ftesën për tenderin ka ardhur si pasojë e keqkuptimeve që lidhen me emailin e datës 15 shkurt 2021 me interpretime paraprake të KRPP-së.
Tutje, në fjalën hyrëse të tij, mbrojtësi i të akuzuarit Bekteshi, avokati Yll Zekaj deklaroi se prokuroria bazohet vetëm në 2-3 emaila të shkëmbyera nga të pandehurit, e ku i mbrojturi i tij është vetëm në CC pa ndonjë rol direkt, e ku i njëjti në cilësinë e drejtorit të prokurimit në korporatën më të madhe në Kosovë KEK-ë ka pranuar qindra emaila brenda ditës.
Në vazhdim të seancës, u dëgjua dëshmitari I.V, i cili ishte njëherit drejtor i auditimit të brendshëm në atë kohë kur të pandehurit akuzohen për kryerjen e veprës penale që ju vihet në barrë, meqë rast i njëjti theksoi se i qëndron prapa deklaratës së dhënë më herët në polici dhe se në këtë rast sipas autorizimit të tij auditorët tjerë kanë kryer auditimin e brendshëm sipas informatës së marrë nga sinjalizuesi për shitjen e thëngjillit pa respektim të procedurave të prokurimit.
Seanca e radhës e shqyrtimit gjyqësor do të mbahet me datë 6 dhjetor 2024, nga ora 09:30.
Të lartpërmendurit, në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, të datës 23.10.2023, janë akuzuar për veprën “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”. I akuzuari i parë, Vllaznim Emerllahu është akuzuar nga PTHP sepse në cilësi të Zyrtarit të Lart të Zyrës së Prokurimit në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), duke mos i përmbushur detyrat e tij zyrtare dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për personin tjetër, me dashje nuk ka vepruar konform legjislacionit të prokurimit publik.
Në këtë mënyrë i akuzuari, në cilësinë e personit zyrtar dhe si bartës i lëndës për tenderin e titulluar “Shitja e qymyrit”, i kishte dërguar email Menaxheres për Përkrahje të Prokurimit të KEK-ut, ashtu që të dërgoj ofertën për publikim në Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik (tutje referuar si “KRPP”), pa e përfunduar dosjen e tenderit. Ndërsa KRPP-ja për këtë, përmes email-it i kishte kthyer përgjigje duke kërkuar që ofertën për Shitje të qymyrit ta publikoj në platformën E-Prokurimi. Megjithatë kësaj, i pandehuri përkundër udhëzimeve që ta publikoj ofertën në platformën E-Prokurimi, këtë nuk e kishte bërë dhe kishte vazhduar tutje me këtë aktivitet në kundërshtim me procedurat e prokurimit. I njëjti sëbashku me të akuzuarin Muhamet Selmani, ishin takur me përfaqësuesit e Operatorit Ekonomik “Enertech” Sh.p.k dhe kishin biseduar për tenderin në fjalë. Më vonë i njëjti operator është shpallur fitues i këtij tenderi.
I akuzuari Muhamet Selmani, në cilësinë e personit zyrtar si Menaxher i Departamantit të Punëve dhe Shërbimeve në KEK, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për personin tjetër e ka keqpërdor detyrën e tij zyrtare duke tejkaluar kompetencat e tij dhe duke shkelur kështu legjislacionin e prokurimit publik, ku më datë 23.02.2023, në koridoret e KEK-ut, është takuar me përfaqësuesit e Operatorit Ekonomik “Enertech” Sh.p.k dhe së bashku me bartësin e lëndës – Vllaznim Emërrllahu, pa qenë i publikuar tenderi i kishte thënë të akuzuarit Emërllahu se “unë e sqaroj këtë punë me operatorin (“Enertech”) në kafene!”, ku edhe pas këtij takimi i kishte kërkuar të akuzuarit të parë që të mos e publikonte tenderin dhe minuta më vonë këtë ‘kërkesë’ e kishte referuar edhe përmes emal-it zyrtar.
I akuzuari i tretë, Flamur Bekteshi, në cilësinë e personit zyrtar si Zyrtar Përgjegjës i Zyrës së Prokurimit në KEK, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, i njëjti ka vepruar në kundërshtim me legjislacionin për prokurim publik, ngase edhe pse ka qenë në dijeni të vazhdueshme për mos publikimin e tenderit të lartpërmendur, ai ka vazhduar tutje me procedurën e prokurimit deri sa më datë 1 Prill 2021, e ka shpërblyer Operatorin Ekonomik “Enertech” Sh.p.k me kontratë për shitjen e thëngjillit me një cmim minimal prej 1,600,000.00 Euro për 200,000 ton thëngjill, aq edhe sa kishte qenë oferta minimale e shitjes ku edhe rrjedhimisht, operatorëve të tjerë ekonomik u kishte mohuar konkurrencën dhe mundësinë e ofertimit në këtë aktivitet.
Andaj, edhe në bazë të aktakuës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, të lartpërmendurit akuzohen për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, par. 3 nënpar 3.2 lidhur me par. 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.
Monitoruar nga Leotrim Pajaziti