|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Fillon rishtazi gjykimi në rastin e 18 të akuzuarve për Krim të Organizuar

Në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ka nisur rishtazi gjykimi ndaj 18 të akuzuarve të cilët akuzohen për kontrabandim të mallrave nga Serbia në Kosovë.

Trupi gjykues që po trajton këtë rast kryesohet nga gjyqtari Ngadhnjim Arrni dhe përbëhet prej anëtarëve gjyqtari Lutfi Shala dhe gjyqtari Kushtrim Shyti. Ndërsa, PSRK përfaqësohet nga Prokurorja Speciale Merita Bina – Rugova.

Fillimisht, kryetari i trupit gjykues theksoi se gjykimi duhet të niset rishtazi për shkak të ndryshimit të trupit gjykues, tutje në pajtim me palët në procedurë u konsiderua e lexuar aktakuza.

Më pas, Prokurorja Speciale deklaroi se mbetet plotësisht pranë aktakuzës dhe fjalës hyrëse të dhënë në shqyrtimin e mëparshëm. Po ashtu, përfaqësuesi i palës së dëmtuar, ATK, shprehu mbështetje për aktakuzën dhe sugjeroi që, për shkak të natyrës ekonomike të çështjes, të ftohet edhe Dogana e Kosovës si palë e dëmtuar.

Tutje, të gjithë të pandehurit u deklaruan të pafajshëm.

Sa i përket veprimeve të kryera deri në këtë fazë, Prokurorja Speciale propozoi që, me qëllim të efikasitetit të procedurës, të konsiderohen të lexuara deklaratat e dëshmitarëve të dëgjuar dhe provat e tjera të administruara. Ky propozim u pranua nga të gjithë mbrojtësit e të pandehurve. Trupi gjykues aprovoi propozimin e PSRK-së, dhe kështu, të gjitha veprimet e kryera deri në këtë moment u konsideruan të lexuara.

Tutje, kryetari i trupit gjykues theksoi se nuk ka kushte për vazhdim të shqyrtimit gjyqësor, ndërsa lidhur me seancën e radhës shtoi se do të vazhdohet me dëgjimin e ekspertëve konkretishtë, super-ekspertizës.

Përndryshe, ky rast më parë gjykohej në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, mirëpo i njëjti është deleguar në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), ngritur më 30 nëntor 2016, Besim Zeqiri, Ismet Zeqiri, Agron Zymeri, Gentrit Zymeri, Canabeg Hyseni, Ali Musliukaj, Liridon Hyseni, Ridvan Avdiu, Besnik Istrefi dhe  Azem Islami, ngarkohen për kryerjen e veprave penale “Pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal të organizuar” nga neni 283, “Kontrabandim i mallrave” nga neni 317, “Tregtia e ndaluar” nga neni 305, dhe “Shmangie nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore”, nga neni 318 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Po ashtu, kjo aktakuzë ngarkon edhe të pandehurit, Xhevat Spahija, Shkëlqim Jusaj, Selami Morina, Nexhat Mazreku, Demë Lokaj, Alban Nikqi, Fadil Qollaku dhe Albion Lokaj, për kryerjen e veprave penale “Pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal të organizuar” nga neni 283, “Kontrabandim i mallrave” nga neni 317, dhe “Shmangie nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore”, nga neni 318 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Gjithnjë sipas aktakuzës, për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar  të armëve” nga neni 374 të KPRK-së, akuzohen secili veç e veç: Agron dhe Gentrit Zymeri, Ismet Zeqiri, Canabeg Hyseni, Azem Islami, Fadil Qollaku, Demë Lokaj dhe Alban Nikqi.

Tutje, theksohet se, të pandehurit e përmendur, në fillim të vitit 2012, kanë themeluar një grup kriminal me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore financiare, në atë mënyrë që përmes rrugëve anësore me kamionë, cisterna dhe mjete të tjera, në mënyrë të vazhdueshme dhe të kundërligjshme nga Serbia dhe Mitrovica e Veriut, kanë sjellë në mënyrë ilegale dhe në vazhdimësi mallrat e kontrabanduara si: derivate të naftës, vajra motorike, e të tjera.

Në bazë të aktakuzës, të pandehurit Besim dhe Ismet Zeqiri, në bashkëpunim me të gjithë pjesëtarët e grupit, nga data 11 qershor 2014 e deri më 10 dhjetor 2014, nga Serbia për në Kosovë, kanë bërë kontrabandimin e 52 ngarkesave me derivate të naftës (nga 12.000 litra), 2 ngarkesa me vaj hidrol (nga 10.000 litra) dhe 3 ngarkesa me nitrotretës (nga 7.000 litra).

Mallrat e kontrabanduara thuhet se ky grup kriminal më pas i ka shpërndarë nëpër qytete të ndryshme të Kosovës, në dyqane dhe depo të ndryshme, e gjitha kjo me qëllim që vetes dhe personit tjetër t’i mundësojë shmangien nga pagesa e tarifave tatimore, doganore apo tarifave të tjera ose detyrimeve doganore që paguhen me rastin e importimit apo eksportimit të mallrave, duke bërë shmangien nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore që tejkalon shumën prej 30 mijë euro, me ç’rast me këtë ngarkohen se kanë kryer veprat penale të cekura më lartë.

Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.

Monitoruar nga: Arton Hoxha

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter