Në Gjykatën Themelore në Prishtinë sot me datë 12.11.2024 është mbajtur vazhdimi i seancës së shqyrtimit gjyqësor në rastin e të akuzuarit Rexhep Mehmeti, i cili akuzohet për veprat penale ‘Falsifikim i dokumentit zyrtar’ dhe ‘Marrje e ryshfetit’.
Trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Ngadhnjim Arrni me anëtaret: gjyqtaren Sulltane Hoti dhe gjyqtarin Gëzim Ademi, kanë konstatuar prezencën në këtë seancë të prokurorit të shtetit Zef Perndrecaj, të akuzuarit Rexhep Mehmeti me mbrojtësin e ti Av. Imer Beka dhe dëshmitaret: M.B dhe N.R. Gjithashtu, kanë munguar dëshmitaret M.B dhe I.B, pasi nga gjykata është konstatuar që të njëjtit gjinden jashtë shtetit.
Seanca ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit M.B., i cili, në pyetje të prokurorit të shtetit, ka deklaruar ndër të tjera se, si punonjës në Ministrinë e Punëve të Brendshme – ARC, ai nuk e njeh të akuzuarin. Ky i fundit ishte caktuar nga Departamenti i Prodhimit të Dokumenteve si pjesë e komisionit për të asistuar Inspektoratit, me qëllim që të mbledhë disa dokumenta, përkatësisht numrat personalë të rasteve të caktuara, dhe t’i dërgojë ato në departamentin përkatës.
Pas dërgimit të këtyre informacionve, është marrë përgjigje për personat me ato numra personalë dhe të dhënat janë përcjellë Inspektoratit. Dëshmitari ka theksuar se roli i tij ka qenë vetëm si urë lidhëse mes Inspektoratit dhe Departamentit dhe se nuk ka pasur asnjë detyrim për të nxjerrë konkluzione lidhur me rastet në fjalë.
Në pyetje të mbrojtësit te te akuzuarit av. Imer Beka, dëshmitari ka sqaruar se detyra e tij, si pjesë e komisionit, ka qenë të mbështeste Inspektoratin. Komisioni ka qenë i përbërë nga 4-5 anëtarë, sipas kujtesës së dëshmitarit, dhe ata nuk ishin të gjithë nga i njëjti departament. Dëshmitari ka shtuar se komisioni nuk është formuar me vendim formal, por në përputhje me kërkesën e Kryeinspektorit, dhe qëllimi i formimit të tij ka qenë për të asistuar inspektorin F.Z.
Në pyetje të anëtarit të trupit gjykues, Sulltane Hoti, dëshmitari ka deklaruar se të dhënat për rastet i ka marrë nga inspektori F.Z., të cilat i ka përcjellë në Departament, dhe ato më pas janë rikthyer sërish te inspektori. Dëshmitari ka theksuar se nuk ka qenë detyra e tij të bëjë krahasime të atyre aplikimeve me të dhënat në sistem, pasi kjo është bërë nga inspektori F.Z.
Në vijim, shqyrtimi gjyqësor ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit N.R., i cili në pyetje të prokurorit ka konfirmuar se qëndron pranë deklaratave të tij të dhëna në polici dhe prokurori.
Në pyetje të mbrojtësit të të akuzuarit, avokatit Imer Beka, dëshmitari ka sqaruar se ka qenë në Komunën e Vjetër të Prishtinës për të marrë një ekstrakt të lindjes për motrën e tij, por nuk e kujton saktësisht periudhën kohore. Ai ka shtuar se, ndërkohë që kujton se ka pasur zyrtarë në sportel, nuk e mban mend saktësisht pamjen e atij që ka qenë aty. Ai theksoi se kujton një djalë të gjatë, në moshë të avancuar, por nuk mendon se ai ngjante me të akuzuarin.
Në pyetje nga ana e prokurorit të shtetit, dëshmitari ka shtuar se, për të përshpejtuar procedurën e marrjes së ekstraktit të lindjes, një zyrtar i gjatë, i veshur me një këmishë me katrorë, i ka kërkuar një shumë prej 150 euro, të cilat ai i ka paguar pa marrë kupon fiskal dhe me pëlqimin e tij. Pas marrjes së dokumentit, dëshmitari nuk e ka kujtuar cilin zyrtar e ka lëshuar atë.
Në pyetje të anëtares së trupit gjykues, Sulltane Hoti, dëshmitari ka shpjeguar se shumën e kërkuar nga zyrtarët e ka paguar për të përshpejtuar procedurat, pasi motra e tij jeton jashtë shtetit. Më pas, ai ka paguar edhe për pasaportë dhe letërnjoftim, në një shumë prej rreth 170-180 euro.
Në pyetje të gjyqtarit Gezim Ademi, dëshmitari ka konfirmuar se ekstraktin e lindjes e ka marrë nga i njëjti zyrtar, të cilit i ka dorëzuar paratë.
Në kërkesë të kryetarit të trupit gjykues, dëshmitari ka pohuar se nuk mund të identifikonte të akuzuarin si zyrtarin komunal në fjalë, dhe nuk e kujton saktësisht se cili ka qenë ai.
Pas kësaj, duke qenë se dy dëshmitarët që mungojnë jetojnë jashtë shtetit, prokurori i shtetit ka propozuar që, për arsye të ekonomizimit të procedurës, deklarata e dëshmitarit M.B. e dhënë në procedurat e mëparshme të konstatohet e lexuar. Po ashtu, për dëshmitarët e tjerë: I.B., B.A., A.K., V.B., dhe F.P., të cilët ishin paraparë të dëgjoheshin sipas aktakuzës, prokurori ka kërkuar që të tërhiqet nga dëgjimi i tyre, duke arsyetuar se gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor është sqaruar mjaftueshëm për këtë rast dhe se nuk është e nevojshme vazhdimi i dëgjimit të këtyre dëshmitarëve për të mos zgjatur procedurën.
Për pasojë, trupi gjykues, pas propozimit të prokurorit të shtetit dhe me pajtimin e mbrojtjes, ka aprovuar propozimin e prokurorit në lidhje me dëshmitarët. Seanca e radhës është caktuar për datën 24.01.2025, në orën 09:00.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë, i pandehuri Rexhep Mehmeti, akuzohet se në cilësi të zyrtarit të gjendjes civile në Komunën e Prishtinës ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare në vazhdimësi, duke futur në sistem persona të ndryshëm, të cilët fillimisht i kishte regjistruar si të mitur e pastaj i kishte ndryshuar dhe regjistruar si persona madhor.Tutje, në aktakuzë theksohet se me veprimet e tij i pandehuri Rexhep Mehmeti ka kryer veprat penale, ‘Falsifikim i dokumentit zyrtar’ nga neni 427, par 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe ‘Marrje e ryshfetit’ nga neni 421, par 1 i KPRK-së.
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.
Monitoruar nga: Ilir Kocani