Ka dështuar të mbahet shqyrtimi gjyqësor në rastin e njohur si ‘Veteranët’, ku Agim Çeku së bashku me Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Çelë Gashi, Shukri Buja, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj, Xhavit Jashari dhe Ahmet Daku, akuzohen nga Prokuroria se në bashkëkryerje kanë Keqpërdorur pozitën zyrtare.
Në hapje të shqyrtimit gjyqësor, Kryetari i trupit gjykues theksoi se nuk ka kushte për mbajtje të shqyrtimit gjyqësor pasi ka kërkesë për shtyrje të seancës nga ana e mbrojtjes.
Tutje, u konstatua se nuk ka kushte për vazhdim të shqyrtimit gjyqësor, ndërsa seanca e radhës u caktua të mbahet me datë: 10 Dhjetor në ora 09:30.
Rasi po trajtohet nga gjyqtari Gazmend Bahtiri si kryetar i trupit gjykues dhe gjyqtarët Ngadhnjim Arrni, Kushtrim Shyti në cilësi të anëtarëve.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë-Departamenti i Krimeve të Rënda, me 16 prill 2021, kishte shpallur aktgjykim lirues në rastin “Veteranët”, por, Gjykata e Apelit – Departamenti Special, më 21 mars 2022, kishte aprovuar si të bazuar ankesën e PSRK-së ndërsa kishte anuluar aktgjykimin e themelores, duke vendosur që lënda të kthehet në rigjykim dhe vendosje.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, të datës 13 shtator 2018, e përmirësuar më datë 7 dhjetor 2018, Agim Çeku së bashku me Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Çelë Gashi, Shukri Buja, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj, Xhavit Jashari dhe Ahmet Daku, gjatë intervalit kohor nga data 28.10.2011 e deri me datë 30.01.2017 në Prishtinë, në objektin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale ‘Keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar’.
Të njëjtit në cilësinë e anëtarëve të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë bërë njohjen e statusit të Veteranit Luftëtar, personave të cilët nuk i kanë takuar kësaj kategorie.
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.
Monitoruar nga: Arton Hoxha