Ka vazhduar gjykimi në rastin ndaj të pandehurve Bahri Nuredini dhe Driton Mehaj, ish-zyrtar të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, të akuzuar nga Prokuroria Speciale për veprën penale: ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’.
Kryetari i trupit gjykues theksoi se në seancën e sotme do të vazhdohet me dëgjimin e ekspertit financiar A.Sh. i cili ka mbetur duke u dëgjuar nga shqyrtimi i kaluar.
Nga pytjet e mbrojtjes, përkatësishtë av. Ilir Rashiti lidhur me shkresat e përdorura për ekspertizë, eksperti theksoi se sa i përket pagesave nuk i ka parë dokumentin e prerjes financiare. Kurse, sa i përket pozitës të cilën ka pasur i pandehuri Driton Mehaj, eksperti theksoi se nuk i kujtohet në atë kohë se cfarë pozite ka pasur, sa i përket aktivitetit të ri të prokurimit eksperti theksoi se nuk ishte lëshuar në oferta tjera.
Kurse, lidhur me konstatimin në ekspertizë për punët e kryera dy herë të njejta, eksperti theksoi se në vitin 2011 kishte qenë pozicion në kontratë dhe i njejti ishte kontraktuar edhe në vitin 2019, tutje shtoi se nuk ishte lëshuar në detajet e kontratave. Sa i përket përfundimit të kontratës së vitit 2011 eksperti theksoi se, deri në vitin 2019 nuk kishte përfunduar projekti.
Sa i përket konstatimit se ka pasur punë të kryera dy herë, eksperti theksoi ishte bërë thirrje për pozicion të njejtë i cili kishte qenë i kontraktuar më herët. Tutje, lidhur me kontraktimin e punëve të njejta dy herë, eksperti shtoi se nuk ka njohuri lidhur me epilogun përfundimtar të projektit.
Kurse, lidhur me cështjen e tenderit të hapur theksoi se me vetë publikimin e aktivitetit nënkuptohet se ka qenë procedurë e hapur. Tutje, eksperti shtoi se nuk ishte lëshuar në trajtimin e aktiviteteve të projekteve tjera.
Lidhur me konstatimin në ekspertizë se Autoriteti Kontraktues nuk kishte udhëhequr procedurën në formë të hapur dhe se ishte nënshkruar një kontratë përmes një procedure të negociuar e cila është në kundërshtim me Ligjin, sa i përket kësaj cështje eksperti theksoi se, përveq kontratës bazë për rastin konkret kishte ekzistuar edhe një aneksë kontratë tjetër me procedurë të negociuar, si dhe kontrata tjetër me procedurë të hapur në vitin 2019.
Tutje, sa i përket detyrave të menaxherit të kontratës në fund të projektit se a kishte lëshuar raport përfundimtar tek Kryeshefi ekzekutiv për situatën financiare për punët në teren, lidhur me këtë cështje eksperti theksoi se nuk ka përgjigje.
Sa i përket konstatimit në ekspertizë lidhur me raportet e pranimit të punëve si dhe pagesave të kryera në ballafaqim me një raport i cili është përfundimtar sa i përket pagesës, eksperti theksoi se pagesa ishte bërë në vitin 2017 dhe bëhet fjalë pikërishtë për raportin i cili përmendet nga ana e mbrojtjes.
Kryetari i trupit gjykues theksoi se shqyrtimi i sotëm duhet të ndërpritet, ndërsa eksperti do të vazhdojë të dëgjohen edhe në seancën e radhës, e cila pritet të mbahet me datë: 20 Nëntor nga ora 09:30.
Trupi gjykues që po trajton këtë rast kryesohet nga gjyqtari Kujtim Krasniqi dhe përbëhet prej anëtarëve gjyqtari Lutfi Shala dhe gjyqtari Vesel Ismaili. Ndërsa, Prokuroria Speciale përfaqësohet nga Prokurori Milot Krasniqi.
Ndryshe, sipas Prokurorisë Speciale, të akuzuarit Bahri Nuredini, në cilësinë e Kryeshefit Ekzekutiv të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës dhe Driton Mehaj, Menaxher i Kontratës për ‘Furnizim me Sisteme të Navigacionit dhe Rilokim të Sistemeve Ekzistuese’, akuzohen se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Tutje, të akuzuarit përmes Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik kanë shpallur fitues të tenderit OE “TCN International”, me vlerë të përgjithshme të kontratës 7,808.296.00 Euro, ashtu që të pandehurit e kanë futur rilokimin e sistemeve ekzistuese në tenderin e ri edhe pse ky ka qenë obligim kontraktual i kompanisë “LIMAK”, ndërsa gjatë zbatimit të projektit, nuk i kanë ndërmarrë masat mbrojtëse ndaj OE të paraparë me ligj dhe kontratë.
Sipas aktakuzës, në mënyrë të kundërligjshme është bërë zgjatja e afatit të kontratës nga 523 ditë, në 1 mijë e 700 ditë dhe thuhet se edhe pas zgjatjes së këtij afati, kontrata nuk është përfunduar, por e njëjta është shkëputur në mënyrë të njëanshme nga ky operator më 19 shtator 2016, marrë për bazë se deri në këtë datë i ishin paguar 97% e mjeteve financiare nga vlera e përgjithshme prej 7 milionë e 808 mijë e 296 euro.
Nuredini dhe Mehaj, akuzohen se me veprimet e tyre, i kanë shkaktuar dëm material buxhetit të AShNA dhe buxhetit publik, në lartësi të paktën 1,937,230 Euro.
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.
Monitoruar nga: Arton Hoxha