Në Departamentin e Krimeve të Rënda, të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ka vazhduar shqyrtimi gjyqësor ndaj të akuzuarve Nerimane Kelani-Sherifi, Arben Berisha dhe Ramadan Hasani të akuzuar për veprat penale ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’ dhe ‘Mashtrimi’.
Kryetari i trupit gjykues theksoi se në shqyrtimin e sotëm prezenton edhe Zyrtari i Odës së Noterëve, i cili i ka sjellur dokumentet e kërkuara nga trupi gjykues në shqyrtimin e kaluar. Tutje, u konsiderua si provë e administruar regjistri i Noterit Nystret Ahmeti i vitit 2020.
Shqyrtimi gjyqësor ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit A.H. i cili nga pytjet e av. Ibrahim Shala theksoi se palën e dëmtuar M.G. e ka takuar herë pas here për cështje shoqërie, tutje shtoi se i takohet një takim të cilin e kanë realizuar në një pompë të derivateve, aty kishin marrë pjesë i pandehuri Ramadan Hasani si dhe një person tjetër. Tutje, dëshmitari theksoi se i pandehuri Hasani i kishte thënë tani të dëmtuarit M.G. se kishte pasur problem me një pronë të cilën nuk ka mundur ta shiste, gjithashtu kishin biseduar se i pandehuri ka pasur një problem me një Noter.
Ndërsa, lidhur me problemin e pronës dëshmitari theksoi se M.G. kishte qenë në dijeni lidhur me problemin e caktuar, kurse sa i përket ndonjë dhënje të parave dëshmitari theksoi se në takimet që ka marrë pjesë nuk është dhënë ndonjë shumë e parave.
Tutje, nga pytjet e Prokurorës së rastit Bukurie Gjonbalaj, dëshmitari theksoi se për pronën e Ramadanit e ka kuptuar në momentin kur kanë shkuar në Zyrën e Kadastrit.
Ndërsa, nga pytjet e përfaqësuesit të palës së dëmtuar, av. Adnan Sadiku dëshmitari theksoi se parcela e lartëcekur kishte qënë arë dhe nuk i kujtohet nëse ka pasur objekte në afërsi të saj.
Kurse, i dëmtuari tjetër M.G. theksoi se ka vërejtje në dëshminë e dëshmitarit të sotëm për arsyen se nuk qëndron fakti se i njejti të ketë ditur për problemin e tokës, dhe shtoi se ka pasur njohuri vetëm për problemin me Noterin, por jo edhe për problemin me parcelën e lartëpërmendur.
Tutje, nga pytjet e trupit gjykues dëshmitari theksoi se, në takim e përshkruar më lartë kishte qenë rastësishtë dhe nuk kishte shkuar në cilësi të gjeodetit dhe i pandehuri Hasani i kishte thënë se nuk e ka shfrytëzuar ndonjëherë këtë pronë.
Kurse, lidhur me dëshmitarin tjetër A.H. i cili ishte propozuar nga mbrojtësi Ibrahim Shala nuk ka nevoj të dëgjohet pasi janë konsumuar pytjet dhe mbrojtja i ka marrë përgjigjet nga dëshmitari i sotëm, tutje ai shtoi se mbrojtja tërhiqet nga dëgjimi i këtij dëshmitari.
Tutje, kryetari i trupit gjykues theksoi se pasi që janë administruar prova të reja, të pandehurve ju jepet mundësia që të paraqësin mbrojtjen e tyre sërish.
Në mbrojtjen e saj, e pandehura Nerimane Kelani-Sherifi nga pytjet e mbrojtësit të saj av. Arbër Jupolli theksoi se qëndron në tërësi pranë mbrojtjes së saj të dhënë në seancat e kaluara, si dhe nuk ka diqka tjetër për të shtuar. Tutje, edhe dy të pandehurit e tjerë Arben Berisha dhe Ramadan Latifi theksuan se qëndrojnë në tërësi pranë mbrojtjes së dhënë në shqyrtimet e kaluara dhe nuk kanë diqka tjetër për të shtuar.
Kryetari i trupit gjykues, theksoi se pasi që janë administruar të gjitha provat e propozuara si dhe është dhënë mbrojtja e të pandehurve në shqyrtimin e radhës do të vazhdohet me paraqitjen e fjalës përfundimtare.
Trupi gjykues që po trajton këtë rast kryesohet nga gjyqtari Naser Foniqi dhe përbëhet prej anëtarëve gjyqtarja Fatime Dërmaku dhe gjyqtari Ertan Sejfulla. Ndërsa, Prokuroria përfaqësohet nga Prokurorja e Shtetit Bukurie Gjonbalaj.
Ndryshe sipas aktakuzës, të akuzuarit në cilësinë e personave zyrtar, e pandehura Nerimane Kelani-Sherifi si udhëheqëse e sektorit të pronës në Komunën e Obiliqit dhe i pandehuri Arben Berisha si Drejtor i Planifikimit Urban, Pronë dhe Kadastër në Komunën e Obiliqit, në bashkëkryerje duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, me dashje kanë tejkaluar kompetencat e tyre zyrtare, ashtu që e pandehura Nerimane Kelani, ka përpiluar dhe nënshkruar Aktvendimin me të cilën e ka bërë bartjen e pronës nga pronari Xh.R, tek tani i pandehuri Ramadan Hasani, duke u bazuar në ” Parakontrata për shitblerjen e patundshmërisë”, në kundërshtim me Ligjin për themelimin e regjistrit të të drejtave të pronës së paluajtshme, ku ndër të tjera thuhet se për bartje të pronës duhet të paraqitet “Kontrata” mbi shitblerjen e patundshmërisë, dhe jo “Parakontrata”, e po të njëjtin aktvendim e ka nënshkruar edhe i pandehuri Arben Berisha, edhe pse ishte njoftuar nga e pandehura Nerimane, se aktvendimi mbi bartjen e pronës ishte marrë duke u bazuar në parakontratë, me këtë i ka shkaktuar dëme personit tjetër, në këtë rast trashëgimtarëve të të ndjerit Xh.R.
Ndërsa, i pandehuri Ramadan Hasani, akuzohet se me qëllim që vetit ti sjellë përfitim të kundërligjshëm, ka fshehur fakte, ka paraqitur fakte të rreme, me çka e ka vënë në lajthim të dëmtuarin M.G, e mashtron duke e nxitur të veproj në dëm material të pasurisë së tij, kështu që me datë 21.09.2022, ia ka shitur tokën në sipërfaqe të përgjithshme 11,034 m2, Zona Kadastrale Milloshevë- Komuna Obiliq, për blerjen e kësaj toke ia ka dhënë të pandehurit Ramadanit 2000 euro, 800 euro pas tri dite, kohë pas kohe ia ka dhënë nga 200 euro, e tjera, në total 3.250 euro, kurse marrëveshja ka qenë të paguhen 18.000 euro, e ka fshehur faktin se ” Parakontrata për shitblerjen e patundshmërisë” është e falsifikuar, me ç’rast blerësi, tani i dëmtuari M.G është vënë në lajthim lidhur me këtë fakt si dhe është dëmtuar materialisht.
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.
Monitoruar nga Arton Hoxha