Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, pranë gjyqtarit Dibran Isufi nga Departamenti i Përgjithshëm është mbajtur seanca e shqyrtimit gjyqësor ndaj të pandehurës, ministres së punëve të jashtme, Donika Gërvalla – Schwatrz lidhur me akuzat për veprën penale të mos deklarimit të pasurisë.
Në seancën e datës 19 nëntor e pandehura u deklarua e pafajshme lidhur me akuzat që i bien në barrë ndërsa seanca vazhdoi me dhënien e fjalëve hyrëse nga palët në procedurë ku fillimisht fjalën e mori Prokurori i shtetit Paul Pashku. Ky i fundit tha se Prokuroria duke u bazuar në provat e grumbulluara do të vërtetojë përgjegjësinë penale të të pandehurës lidhur me veprën për të vilën akuzohet. Në vazhdim fjalën e mori mbrojtësi i të pandehurës, avokati Granit Vokshi, i cili në fjalën e tij hyrëse tha se gjatë shqyrtimit gjyqësor do të vërtetohet se çështja ka të bëjë me një gabim teknik i cili përkon më shumë me kundërvajtje se sa me një vepër penale. Tutje avokati Vokshi shtoi se arsyeja e mos deklarimit të të ardhurave të bashkëshortit të të pandehurës është se ai punon në parlamentin gjerman ku të dhënat e tilla janë të mbrojtura me ligj.
Seanca vazhdoi me dëgjimin e dëshmitares Q.B, zyrtare e Agjencisë Kundër Korrupsionit i cili subjekt mban titullin e palës së dëmtuar në këtë procedurë. Dëshmitarja në dëshminë e saj tha se AKK ka kërkuar sqarim nga e pandehura lidhur me biznesin e saj “Alb Lingua” me ç’ rast e pandehura ka ofruar prova materiale me të cilat dëshmohet se ky biznes nuk ka pasur qarkullim në formë të fitimit. Tutje dëshmitarja rrëfeu lidhur me pronën e të pandehurës e cila është objekt i akuzues ku tha se sipas formularit të deklarimit të pasurisë prona rezulton të jetë e trashëguar. Në vazhdim u bë administrimi i provave materiale nga shkresat e lëndës.
Në vazhdim e pandehura dha mbrojtjen e saj ku deklaroi se tërësisht i qëndron prapa sqarimit të dhënë në Prokurori me datën 24 nëntor të vitit 2022. Duke u përgjigjur në pyetjet e Prokurorit e pandehura Gërvalla deklaroi se duke u bazuar në ligjin për mbrojtjen e të dhënave të Gjermanisë që mbron të dhënat për të ardhurat e bashkëshortit të saj, ka supozuar se e njëjta vlen edhe në Kosovë dhe prandaj nuk e ka deklaruar në deklarimin fillestar të pasurisë. E njëjta theksoi se kjo ka të bëjë ekskluzivisht me të ardhurat nga paga e bashkëshortit të tij nga parlamenti gjerman.
Sa i përket biznesit në fjalë e pandehura qartësoi se arsyeja se pse nuk ka deklaruar lidhur me të është se nuk ka pasur qarkullim por vetëm shpenzime.
Në fjalë përfundimtare Prokurori i shtetit i propozoi Gjykatës që të pandehurën ta shpallë fajtore dhe të njëjtën ta dënoj sipas ligjit me ç’ rast si rrethana rënduese propozoi faktin se e pandehura ka qenë në dijeni për obligimet e saj në raport me deklarimin e pasurisë por që këto obligime i ka neglizhuar si dhe faktin se si bartëse e funksioneve shtetërore ka pasur obligim që të përmbush detyrimet ligjore.
Ndërkaq, në fjalën përfundimtare të mbrojtjes avokati Vokshi tha se me asnjë provë nuk vërtetohen pretendimet e Prokurorisë dhe shtoi se Gjykata duhet të marrë vendim meritor duke e liruar të pandehurën Gërvalla nga akuzat që i bien në barrë. Fjalën e mori edhe vetë e pandehura e cila tha se nuk ka pasur në asnjë moment dashje dhe qëllim nga ana e saj dhe se është e ndërgjegjshme për gabimin teknik të bërë.
Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte ngritur aktakuzë ndaj Gërvallës me datë 31 janar të vitit 2023 me ç’ rast të njëjtën e ka ngarkuar me veprën penale “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare” nga neni 430 paragrafi 2 i Kodit Penal të Kosovës.
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.
Monitoruar nga Aulona Alaj