Në Departamentin e Krimeve të Rënda në Gjykatën Themelore në Prishtinë u thanë fjalët përfundimtare në rastin ku Shefqet dhe Anil Damka akuzohen për ‘Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik’. Ky rast trajtohet para trupit gjykues me kryetar Gazmend Bahtirin dhe anëtarët Alltën Murseli dhe Gëzim Ademi ndërsa nga Prokuroria përfaqëson Prokurorja Fitore Sadiku.
Fillimisht fjalën përfundimtare e dha Prokurorja e rastit e cila tha se gjatë këtij gjykimi është vërtetuar në mënyrë të pakontestueshme se të pandehurit kanë kryer veprën penale për të cilat ngarkohen andaj i kërkoi gjykatës që të njëjtit të shpallen fajtor dhe të dënohen sipas ligjit.
Tutje fjalën e mori avokati Dren Salihu i cili në fjalën e tij përfundimtare tha se nuk është provuar se i pandehuri Shefqet Damka ka kryer veprën për të cilën akuzohet ku sipas tij kjo vërtetohet nga dëshmitë e dëshmitarëve të dëgjuar në shqyrtim gjyqësor. Tutje ai shtoi se Prokurorja e rastit me asnjë provë nuk ka arritur të vërtetojë fajësinë e të mbrojturit të tij kurse nga gjykata kërkoi që të merr aktgjykim lirues për të njëjtin.
Shefqet Damka shtoi se akuza e Prokurorisë është e pabazuar ku e vetmja provë në të cilën bazohet është një letër e kopjuar duke mos vërtetuar asgjë lidhur me atë letër. I njëjti kërkoi nga Gjykata që ta lirojë nga akuzat që i bien në barrë.
Në vazhdim fjalën e mori avokati Visar Ostrozubi i cili mbron të pandehurin Anil Damka. Sipas avokatit nuk janë plotësuar elementet e veprës penale për të cilat akuzohet i mbrojturi i tij dhe rrjedhimisht kërkoi që i mbrojturi i tij të lirohet nga akuzat.
Shpallja e aktgjykimit në këtë çështje pritet të bëhet me datë 25 nëntor në orën 9:30.
Sipas aktakuzës, së Prokurorisë, të datës 21.11.2022, të akuzuarit Shefqet Damka dhe Alil Damka kishin shkelur rregullat në procedurën e prokurimit publik duke paraqitur dhe falsifikuar dokumente të cilat i kishin përdorur në procedurën e tenderimit. Gjithnjë sipas Prokurorisë, të akuzuarit me veprimet e tyre, në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale ‘Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik’ nga neni 415 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim.
Monitoruar nga Aulona Alaj