Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Departamentin e Krimeve të Rënda, ka vazhduar shqyrtimi gjyqësor në rastin e ortopedit Sami Delijaj i akuzuar për veprën penale Marrje ryshfeti. Rasti po trajtohet para trupit gjykues të përbërë nga kryetari Ertan Sejfulla dhe anëtarët Fatime Dermaku dhe Naser Foniqi.
Në seancën e datës 16 dhjetor dëgjua dëshmitari A.B i ftuar për të dëshmuar nga ana e Prokurorisë andaj fillimisht pyetje i parashtroi Prokurori i rastit Menduhi Kastrati.
Dëshmitari tha se me të dëmtuarin njihet qe 10 apo 15 vite ndërsa për të pandehurin tha se e ka takuar me datë 1 shtator të vitit 2023 në QKUK pasi ka shkuar për të vizituar një kolegë të punës. Lidhur me këtë ai tha se në QKUK kishte takuar të dëmtuarin i cili pas një operimi i kishte treguar se i pandehuri e kishte udhëzuar që një pajisje mjekësore të cilën i dëmtuari e kishte blerë por që nuk ishte nevojitur në procedurën mjekësore, ta kthej në barnatore ndërsa paratë ti ndajnë përgjysmë. Dëshmitari tha se në këtë moment të dëmtuarin e kishte udhëzuar ta lajmëronte rastin në polici. Sipas dëshmitarit çmimi i pajisjes në fjalë ka qenë 950 euro.
Në vazhdim pyetje i parashtroi avokati Driton Muharremi i cili e mbron të pandehurin. Avokati e ballafaqoi dëshmitarin me faktin se i dëmtuari ka deklaruar se ngjarjen dëshmitarit ja ka spjeguar në telefon dhe jo ballë për ballë siç dëshmoi dëshmitari. Lidhur me këtë dëshmitari insistoi se verzioni i tij është e vërteta dhe se i qëndron prapa asaj se qfarë tha.
Pas përfundimit të dëshmisë së A.B avokati i të pandehurit propozoi gjykatës dëgjimin e V.P, I.A, L.F, G.J dhe B.K si dëshmitarë të mbrojtjes. Pas konsultimit trupi gjykues mori aktvendim me të cilin aprovoi dëgjimin e tre prej këtyre dëshmitarëve të propozuar.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore, ngritur më 18 tetor 2023 i akuzuari Sami Delijaj në cilësinë e personit zyrtar në pozitën e mjekut ortoped në QKUK, pasi kishte operuar pacientin R.M në emër të punës së kryer, në mënyre të drejtpërdrejtë me qëllim që vetes t’i sjellë përfitim pasuror të kundërligjshëm, me datë 01 shtator 2023, ka kërkuar para ryshfet nga tani i dëmtuari Xhevdet Potera shumën prej 450 eurove, ku më 4 shtator 2023, kur Xhevdeti ia dërgon paratë diskutojnë rreth çmimit dhe i njëjti në formë ryshfeti i pranon 300 euro.
Me këto veprime sipas Prokurorisë, i akuzuari Delijaj ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit” nga neni 421 par. 1 të KPRK-së.
Shënim: I akuzuari i përmendur në këtë postim konsiderohet i pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tij me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.
Monitoruar nga: Aulona Alaj