Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka reaguar kundër deklaratave të Qeverisë pas bastisjeve lidhur me rastin e rezervave shtetërore, ku u arrestuan tre persona, dy prej tyre zyrtarë të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT).
Ndër të tjera, në këto deklarata thuhej se “luftimi i krimit e korrupsionit me sa shihet nuk është misioni i tyre, por mbrojtja e kastës së vjetër kriminale, me shpresën që një ditë ajo kastë do të kthehet. E për ta bërë më të lehtë kthimin e kastës së vjetër, sistemi i kapur i drejtësisë po luftojnë me çdo mjet ministrat e Qeverisë Kurti…” dhe se “Me qindra raportime zyrtare e kallëzime penale i kanë deponuar ministritë tona për krimin e korrupsionin që e kemi gjetur, por, përgjithësisht, kjo nuk i ka bërë përshtypje prokurorisë së shtetit.”
Deklaratat e tilla të Qeverisë nga ana e KPK-së janë cilësuar si akuza të pabaza dhe se qasja e tillë e një pushteti tjetër, duke sulmuar dhe linçuar kryeprokurorët dhe prokurorët me emra dhe mbiemra, është shkelje e patolerueshme dhe tentativë e dështuar për të ndërhyrë në punën e pavarur të Prokurorit të Shtetit.
Për më tepër, këto deklarata të Qeverisë janë cilësuar nga KPK si deklarata mbi bazën e paragjykimeve dhe hamendësive, duke tentuar të godasin sistemin prokurorial në çdo mënyrë dhe në çdo rast.
Në komunikatën për media, KPK-ja i bënë thirrje Kryeministrit dhe ministrave të kabinetit të tij qeveritar që të përmbahen nga deklaratat e vazhdueshme shantazhuese dhe rrjedhimisht nënçmuese, ndaj sistemit prokurorial të Kosovës në përgjithësi dhe ndaj punës së prokurorëve në veçanti, duke tentuar të linçojnë publikisht çdo gjë që ka të bëjë me sistemin prokurorial dhe punën e prokurorëve të shtetit.
Gjithashtu, KPK-ja, deklaron se do të mbështesë fuqishëm dhe do të mbrojë me të gjitha mjetet juridike-ligjore, që ka në dispozicion, punën profesionale të të gjithë prokurorëve të Republikës së Kosovës dhe, më këtë rast, u bën thirrje publike të gjithë faktorëve, në veçanti, Qeverisë së Kosovës që të qëndrojë larg deklaratave të tilla, tentativave për ndërhyrje dhe presione të drejtpërdrejta dhe të kota, që bien në kundërshtim me ligjet në fuqi dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
“Prandaj, KPK-ja dënon keqpërdorimin e fjalës së lirë nga ana e Kryeministrit dhe ministrave të tij, duke theksuar se këto deklarata janë krejt të kota ndaj Prokurorit të Shtetit, i cili nuk ndikohet nga qarqet politike dhe grupet e interesit, por si institucion i pavarur dhe i paanshëm në ushtrimin e mandatit të vet do t’i shkojë deri në fund çdo rasti me dyshim për keqpërdorim të parasë publike dhe në dëm të qytetarëve të Kosovës, pavarësisht kush është, në çka beson dhe çfarë ka bërë”- thuhet tutje në komunikatë.
Tutje, Këshilli Prokurorial thekson se është i përkushtuar me të gjithë mekanizmat e tij që të punojë, mbrojë dhe avancojë çdo vlerë të integritetit, dinjitetit dhe transparencës publike, si dhe të luftojë çdo tendencë për presion dhe ndërhyrje nga ana e kujtdoqoftë.
KPK-ja bën thirrje që Prokurori i Shtetit, puna dhe misioni i tij, të jenë jashtë çdo agjende të politikës ditore, sepse vlerësimi i punës së prokurorëve nuk varet nga vullneti i individëve, subjekteve dhe grupeve të caktuara dhe as këto deklarata dhe veprime jokorrekte, joetike dhe të padinjitetshme nuk do të arrijnë të zbehin punën e prokurorëve.
Në fund të komunikatës së 19 gushtit, KPK-ja potencon se Prokurori i Shtetit, si pjesë e rëndësishme e sistemit të drejtësisë në vendin tonë, do të punojë intensivisht për ndriçimin deri në fund të të gjitha rasteve në punë, ndaj të gjithë atyre zyrtarëve të dyshuar dhe të veshur me pushtet, pavarësisht tentativave për ndërhyrje, duke vënë në pah përfundimisht dhe me konsekuencë se pavarësia e sistemit prokurorial është thelbësore dhe e rëndësishme në rrugën që kemi përpara./Drejtësia Sot