Gjatë ditës së djeshme, Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Albert Zogaj, u prit në takim nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti.
Në komunikatën për media të KGJK-së thuhet se ndër temat e diskutuara në këtë takim ishin planifikimet e Këshillit Gjyqësor për efikasitetin dhe efektivitetin e sistemit gjyqësor dhe reformat në drejtësi.
Po ashtu, bëhet e ditur se Kryesuesi Zogaj dhe Kryeministri Kurti diskutuan edhe për rezultatet e deritanishme të Gjykatës Komerciale si dhe për funksionimin e Gjykatës në Mitrovicën e Veriut.
“Gjatë takimit, të pranishmit u dakorduan për intensifikimin e bashkëpunimit rreth reformës në drejtësi, si dhe çështjeve të tjera, të cilat kanë të bëjnë me forcimin e sundimit të ligjit”- thuhet tutje në komunikatën për media.
Në takimin e djeshëm, Kryesuesi Zogaj ishte i shoqëruar nga Kryetarja e Komisionit për Çështje Normative/anëtarja e KGJK-së, Drita Rexhaj, ndërsa Kryeministri Kurti ishte i shoqëruar nga Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe Zëvendësministri, Blerim Sallahu./Drejtësia Sot