|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Dështon gjykimi në rastin ku ish-Kryeshefi i KRM “Uniteti” akuzohet për punësimin e 70 personave pa konkurs

Në Gjykatën Themelore në Ferizaj – Departamenti i Krimeve të Rënda ka dështuar të mbahet seanca e shqyrtimit fillestar ndaj të akuzuarit Skënder Tahiraj, ish-Kryeshef Ekzekutiv në Kompaninë Rajonale të Mbeturinave –KRM “Unitet” SHA, Mitrovicë.

“Drejtësia Sot” raporton se i pandehuri Tahiraj akuzohet se duke shfrytëzuar pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv në KRM “Uniteti”, në periudhën nga viti 2012 e deri në shtator 2018, kishte punësuar 70 persona pa shpallur konkurs.

Ndryshe, në seancën e djeshme të udhëhequr nga kryetari i trupit gjykues, Ilir Bytyqi, u konstatua se mungon avokati i të akuzuarit Tahiraj, i cili përmes një shkrese kishte njoftuar gjykatën se i ishte revokuar autorizimi që ta përfaqësojë të pandehurin në këtë çështje penale.

Ndërsa, i akuzuari Tahiraj theksoi se nuk ka bërë revokimin e autorizimit ndaj avokatit, por nuk ka pasur mundësi për pagesën e disa shërbimeve ndaj tij, me ç’rast avokati ka vendosur që të mos e përfaqësojë më në këtë lëndë.

Në një situatë të tillë, i akuzuari Tahiraj kërkoi nga gjykata që të shtyhet seanca duke shtuar se në cilësi të të pandehurit është edhe në disa lëndë të kësaj natyre dhe i se duhet kohë të angazhojë një avokat tjetër.

Propozimin për shtyrjen e seancës nuk e kundërshtoi as prokurori i shtetit dhe më këtë rast gjykata mori aktvendim që e njëjta të shtyhet për datën 14 shtator 2023, në ora 10:00.

Po ashtu, gjyqtari Bytyqi paralajmëroi të akuzuarin se nëse nuk siguron avokat deri në seancën tjetër, gjykata do të caktojë mbrojtës me shpenzime publike, në mënyrë që të mos prolongohet edhe më tutje kjo çështje penale.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, të datës 7 maj 2021, i pandehuri Skënder Tahiraj akuzohet se në periudhën kohore nga viti 2012 deri ne shtator 2018, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, i ka tejkaluar kompetencat e tij ose nuk i ka përmbushë, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie pasurore për vete apo personin tjetër.

Prokuroria pretendon se i pandehuri Tahiraj, në cilësinë e Kryeshefit Ekzekutiv në Kompaninë Rajonale të Mbeturinave –KRM “Uniteti” SHA, Mitrovicë, i ka favorizuar individë të caktuar, duke i sistematizuar nëpër vende pune dhe pajisur me kontrata pune për kohë të caktuar, për t’i shndërruar më pas në kontrata të përhershme, dhe pa shpallur konkurs ka punësuar 70 persona, në tri regjionet: Mitrovicë, Vushtrri dhe Skenderaj, në kundërshtim me Ligjin e Punës.

Sipas Prokurorisë, i pandehuri Tahiraj, me këtë ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1, i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Kujtojmë që gjykimi i kësaj çështje penale ishte kompetencë e Gjykatës Themelore në Mitrovicë – Departamenti i Krimeve të Rënda, por e njëjta ishte bartur në Gjykatën e Ferizajt, për shkak të situatës së krijuar pas dorëheqjeve të gjyqtarëve, prokurorëve dhe stafit administrativ serb që ishin të angazhuar në kuadër të Gjykatës dhe Prokurorisë Themelore të Mitrovicës./Drejtësia Sot

Monitoruar nga Shkëndije Shala Mustafa

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter