Është anuluar seanca e rigjykimit në rastin “Veteranët”, e cila ishte e planifikuar të filloj sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë- Departamentin për Krime të Rënda.
Shkak për anulimin e kësaj seanca, sipas gjyqtarit Gazmend Bahtiri, ishte mungesa e Prokurorit të Prokurorisë Speciale Valdet Gashi, i cili gjendet jashtë vendit në udhëtim zyrtar, me ç’rast nuk mund të ishte i pranishëm për këtë seancë.
Kjo seancë është shtyrë dhe e njëjta është caktuar për 28 shtator 2023, në të cilën pritet të filloj rigjykimi i këtij rasti.
Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, PPS.nr. 12/2018 të datës 13 shtator 2018, e përmirësuar më datë 7 dhjetor 2018, Agim Çeku së bashku me Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Çelë Gashi, Shukri Buja, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj, Xhavit Jashari dhe Ahmet Daku, akuzohen se në bashkëkryerje kanë keqpërdorur pozitën zyrtare.
Të njëjtit në cilësinë e anëtarëve të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë bërë njohjen e statusit të Veteranit Luftëtar, personave të cilët nuk i kanë takuar kësaj kategorie.
Sipas kësaj aktakuze që përfaqësohet nga prokurori special, Valdet Gashi, nga veprimet e kundërligjshme 12 të pandehurit i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Republikës së Kosovës në shumë prej 88.769.217.04 euro./Drejtësia Sot
Monitorues-Rinor Bajrami