|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Mbahet seanca e shqyrtimit gjyqësor ndaj Kryeparlamentarit Glauk Konjufca

Në Departamentin e Përgjithshëm – Divizionin Penal të Gjykatës Themelore në Prishtinë është mbajtur seanca e shqyrtimit gjyqësor ku kanë dëshmuar dy dëshmitarë në rastin ku Kryeparlamentari Glauk Konjufca akuzohet se më datë 10 gusht 2016, në cilësi të deputetit ka hedhur gaz lotsjellës në sallën e Kuvendit të Kosovës.

Dëshmitarë në këtë seancë ishin deputetët në atë kohë, Adem Grabovci dhe Ismet Beqiri, të cilët kishin qenë pjesë e mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës, ku Kryeparlamentari Konjufca sipas Prokurorisë akuzohet se ka hedhur gazin lotsjellës.

Por një akuzë të tillë, nuk e konstatuan dy dëshmitarët Grabovci dhe Beqiri, të cilët në dy deklaratat e tyre theksuan se nuk ju kujtohet se Kryeparlamentari Konjufca ka hedhur gaz lotsjellës.

“Nuk më kujtohet që i pandehuri Glauk Konjufca ka hedhur gaz lotsjellës, jo vetëm atë ditë por në asnjë mbledhje tjetër të Kuvendit, unë nuk kam parë një veprim të tillë nga ai”, deklaroi dëshmitari Grabovci në pyetjen e prokurorit Besart Mustafa lidhur me paragrafin në procesverbal të Kryesisë së Kuvendit se z. Glauk Konjufca ka hedhur gaz lotsjellës, meqë rast është ndërprerë mbledhja.

Në këtë proces gjyqësor nuk do mund të vërtetohet me vendim gjykate dyshimi për kryerjen e veprës penale “Pengimi i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare” parashikuar nga neni 409, paragrafi 1 të Kodit Penal, për të cilën akuzohet Kryeparlamentari Konjufca, pasi që gjyqtarja e rastit Edita Çanta deklaroi se ka kaluar dyfishi i ndjekjes penale për veprën e lartëcekur, andaj do nxjerret aktgjykim për parashkrim të veprës penale, ndërsa do vazhdohet gjykimi për veprën tjetër të përdorimit të armës apo mjetit të rrezikshëm.

Seanca e radhës e shqyrtimit gjyqësor u caktua të mbahet me datë 20 dhjetor, nga 10:00.

Kujtojmë që në rastin ndaj Kryeparlamentarit Konjufca kishin dështuar paraprakisht të mbahen pesë seanca me radhë.

Seanca fillestare në këtë cështje penale ishte mbajtur më 19 prill 2022, në të cilën Kryeparlamentari Konjufca ishte deklaruar i pafajshëm lidhur me veprat penale që i vihen në barrë.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Glauk Konjufca ngarkohet për veprat penale të përdorimit të armës apo mjetit të rrezikshëm si dhe për pengim të personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare.

I akuzuari Konjufca ngarkohet se më 10 gusht 2016, si deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, në kundërshtim me ligjin ka përdorur armë, ashtu që gjatë mbledhjes ku merrnin pjesë kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, dhe deputetët Adem Grabovci, Ismet Beqiri, Sabri Hamiti, Pal Lekaj, Valdete Bajrami dhe Sllobodan Petroviq, ka përdorur gazin lotsjellës.

Aktakuza sqaron se i akuzuari Konjufca gjatë përdorimit të gazit lotsjellës ka penguar personat zyrtarë si kryetarin e Kuvendit, Kadri Veselin dhe disa deputetë të Kuvendit në kryerjen e detyrave zyrtare.

Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.

Monitoruar nga: Leotrim Pajaziti

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter