Në Gjykatën Themelore në Gjakovë, Departamenti për Krime të Rënda, këtë të enjte është shpalluar aktgjykimi ndaj të akuzuarve Adriana Qela-Baraku, Jeton Dalladaku, Gazmend Hoti për veprën penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ në bashkëkryerje dhe Behar Ferizi për veprën penale ‘’Deklarim i rremë nën betim’’.
Është shpallur aktgjykim lirues ndaj të akuzuarve Adriana Qela-Baraku, Jeton Dalladaku, Gazmend Hoti për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar si dhe ndaj Behar Ferizit për veprën penale deklarimi i rremë nën betim.
Marrjen e këtij aktgjykimi gjykata e ka arsyetuar se janë administruar të gjitha provat personale dhe materiale dhe ka ardhur në përfundim se kushtet e konkursit janë respektuar, e gjithashtu edhe për të akuzuarin Behar Ferizi të dhënat të cilat janë paraqitur ishin të sakta dhe në përputhje me ligjin.
Sa i përket palëve të dëmtuara Q.Z dhe A.H janë udhëzuar në kontest civil.
Kujtojmë se sipas aktakuzës së ngritur nga prokuroria themelore në Gjakovë të datës 08.12.2022, të akuzuarit Ardiana, Jeton dhe Gazmend, në cilësinë e antarëve të komisionit rekrutues në konkursin e shpallur nga bordi i drejtorëve i K.R.M. ‘’ÇABRATI’’, kanë keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare duke shpërfillur udhëzimin administrativ (MASHT) me nr. 126/2016 lidhur me parimet dhe procedurat e njohjes së diplomave, duke zgjedhur kandidatin i cili nuk i përmbush kriteret sipas konkursit,
Me çka në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale ‘’keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ nga neni 414 par.1 e lidhur me nenin 3 të KPRK-së.
Ndërsa sipas dispozitivit të dytë të kësaj aktakuze, i akuzuari Behar Ferizi me vetdije paraqet deklarim të rremë, në atë mënyrë që në konkursin e shpallur nga bordi i drejtorëve i K.R.M. ‘’ÇABRATI’’ paraqet një deklaratë nën betim në kundërshtim me ligjin për ndërmarrje publike ku parashihet se kandidati duhet të ketë së paku 5 vite përvojë pune, ku i njëjti nuk i plotëson kriteret për përzgjedhje sipas konkursit për pranimin e kryeshefit ekzekutiv,
Me cka ka kryer veprën penale ‘’Deklarim i rremë nën betim’’ nga neni 383 par.1 të KPRK-së.
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.
Monitoruar nga Elvana Hatashi