|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Dëgjohen dy dëshmitarë në rastin ndaj ish-zyrtarit policor të akuzuar për Keqpërdorim të detyrës zyrtare

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është mbajtur seanca e rigjykimit ndaj të akuzuarit Jeton Menxhiqi, i cili po akuzohet se në cilësinë e zyrtarit policor ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare.

Në këtë seancë gjyqësore u dëgjuan dy dëshmitar, përkatësisht zyrtar policor nga Inspektoriati Policor i Kosovës  dhe Policia e Kosovës, B.H dhe I.K.

Në dëshminë e dëshmitarit B.H, i njëjti lidhur me rastin deklaroi se në kuadër të departamentit të hetimeve në IPK ka qenë i pari që ka trajtuar rastin kundër Jeton Menxhiqi dhe se pas analizimit të shkresave të marra nga Policia e Kosovës, i njëjti theksoi se inicues i rastit ka qenë G.F dhe se aty janë parë video incizime, nga kamerat të cilat kanë qenë të vendosura nga Policia e Kosovës në zyrat e vlerësimit të tenderëve të ndryshëm, poashtu edhe në këtë dosje, e cila nuk ka qenë masë e fshehtë por kamerë sigurie, e monitoruar nga Policia e Kosovës.

Ndërsa në marrjen në pyetje nga mbrojtësi i të akuzuarit Jeton Menxhiqi, avokati Naim Rudari, lidhur me pyetjen rreth informimit të prokurorit të shtetit për vepra penale në afatin e paraparë që është 24 orë, dëshmitari B.H theksoi se në bazë të ligjit të IPK-së hetuesve i’u lejohet të mbledhin prova dhe munden deri në kallzimin penal të mos njoftojnë prokurorin, por se në këtë rast është njoftuar prokurori.

Në vazhdim të seancës, pyetje ndaj dëshmitarit B.H parashtroi edhe vetë i akuzuari Menxhiqi lidhur me konfiskimin e rrobave për të cilat deklaroi se akuzohet se i ka ndërruar dhe se janë provë fizike kryesore në këtë rast, për të cilat dëshmitari deklaroi se sa ka qenë hetues i lëndës të njëjtat rroba nuk janë konfiskuar.

Tutje, dëshmitari u deklarua më gjerësisht lidhur me hetimin e rastit, delegimin tek hetuesit tjerë, ekzaminimin e videoincizimit, raportin e zyrtarëve policorë etj.

Lidhur me videoincizimin u dëgjua dëshmitari I.K, i cili në atë kohë mbante pozitën e administratorit të sistemit të kamerave dhe deklaroi në pyetjen e prokurorit Kodraliu lidhur me marrjen e urdhrit nga eprorët për marrjen e videoincizimeve në rastin e tenderit, se ka marrë kërkesë nga Drejtori i Departamentit për Shërbime Mbështetëse, e që në atë kohë ka qenë G.F, e cila kërkesë i është parashtruar verbalisht, pra nuk ka pasur kërkesë me shkrim, sipas dëshmitarit I.K. Njëkohësisht dëshmitarit I.K ua parashtruan pyetje nga mbrojtja e trupi gjykues lidhur me sistemin e kamerave dhe çështjeve tjera relevante me rastin.

Seanca e radhës e shqyrtimit gjyqësor u caktua të mbahet më datë 14 nëntor, nga ora 13:00.

Ndryshe, sipas aktakuzës, i pandehuri Jeton Menxhiqi, akuzohet se në cilësinë e personit zyrtar si anëtar i komisionit në tenderin “Furnizim me rroba elegante”, i cili përfaqësonte Drejtorin e Hetimeve kundër Krimeve ekonomike dhe Korrupsionit ka shfrytëzuar detyrën zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete apo personin tjetër në atë mënyrë që në tenderin “Furnizimi me rroba elegante”, i paraparë në vlerë prej 730.000,00 €, pasi komisioni gjatë punës në përbërje nga i pandehuri, Sabide Beqiri dhe Naim Lahu, pas kontrollit kishin konstatuar se asnjëri nga Operatorët Ekonomik nga 8 (tetë) sa kishin konkuruar nuk i kanë plotësuar kushtet e parapara në tender, atëherë i pandehuri me qëllim që t’i bënë të mundur Operatorit Ekonomik Artius Group SHPK” që ta fiton tenderin edhe pse nuk i kishte plotësuar kushtet, me datë 8 gusht 2017, derisa ishte duke qëndruar në një zyre merr çelësin mbi tavolinë dhe në mënyrë të kundërligjshme pa prezencën e anëtarëve të tjerë të komisionit e në kohë të pauzës shkon në zyrën e prokurimit, merr paketën e “Artius Group” ndërron mostrat e Rrobave Elegante dhe i vendos mostrat e rrobave të cilat i kishte sjellë nga jashtë me një çantë krahu dhe pas pak e kthen paketën në zyrën e prokurimit, i pandehuri kishte vepruar në këtë mënyrë me qëllim që “Artius Group”, të fitonte tenderin në mënyrë të kundërligjshme në vlerë prej 506.216,20€.

Sipas këtyre veprimeve, i akuzuari Menxhiqi akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1 të KPRK-së.

Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.

Monitoruar nga: Leotrim Pajaziti

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter