Në Gjykatën Themelore në Gjakovë, Departamenti për Krime të Rënda, është dhënë fjala përfundimtare ku të akuzuar janë Nuhi Shala për veprën penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ dhe Avni Stublla për veprën penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik”.
Në fjalën e saj përfundimtare prokurorja Ardita Beqiri ndër të tjera ka thënë se, janë administruar të gjitha provat gjatë shqyrtimit gjyqësor dhe është vërtetuar se i pandehuri Nuhi Shala në tërsi ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet, duke vepruar me dashje dhe me vullnetin e tij pasi që merret parasysh se i njëjti ka vite në atë pozitë dhe konsiderohet se i ka njohur shumë mirë të gjitha procedurat. Gjithashtu prokurorja gjykatës i ka propozuar që të pandehurin Nuhi Shala ta shpall fajtor ta dënojë në bazë të ligjit.
Gjatë fjalës së saj përfundimtare prokurorja ka shtuar se, sa i përket pikës së dytë të dispozitivit të aktakuzës që ngarkohet i akuzuari Avni Stublla është konsderuar se gjatë shqyrtimit gjyqësor nuk është vërtetuar që i njëjti ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet, andaj duke u bazuar në këtë prokurorja ka hequr dorë nga ndjekja penale.
Tutje fjalën përfundimtare e ka dhënë edhe mbrojtësi i të akuzuarit Nuhi Shala, av. Sylë Hoxha duke shtuar se, nuk është vërtetuar teza e akuzës së i mbrojturi i tij ka keqpërdorur pozitën pasi që nuk janë vërtetuar elementet e veprës penale për të cilën ngarkohet. Në fund avokati ka propozuar që t’i falet besimi deklaratës së të mbrojturit të tij pasi që ka qenë shumë profesional dhe preciz gjatë përgjigjeve dhe të marr aktgjykim lirues.
Pas këshillimit të trupit gjykues, kryetari i trupit gjykues Drilon Haraçia ka marr aktgjykim me të cilin ka refuzuar aktakuzën sa i përket dispozitivit të dytë me të cilin ngarkohet i akuzuari Avni Stublla për veprën penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik” nga neni 415, paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal, për shkak të tërheqjes së prokurorit të shtetit nga aktakuza.
Shpallja e aktgjykimit do të bëhet me datë 30.10.2023 në orën 09:30.
Sipas aktakuzës, Nuhi Shalaj po akuzohet se në cilësinë e menaxherit të zyrës së prokurimit në Komunën e Malishevës, nga intervali kohor duke filluar nga 19 tetori 2020 e deri më 18 nëntor 2020, ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare, duke i tejkaluar kompetencat e tij me qëllim që t’i sjellë dobi të kundërligjshme pasurore Avni Stubllës, si dhe operatorëve ekonomikë pjesëmarrës në tender.
Me çka ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, paragrafi 1 i Kodit Penal.
Sipas aktakuzës, i akuzuari tjetër Avni Stublla, po ngarkohet se gjatë intervalit kohor të lartcekur duke shkelur rregullat për prokurimin publik, gjatë një oferte për dhënien e kontratës së prokurimit publik, ka rënë në vonesë në pagimin e obligimeve, pikërisht tatimit dhe duke iu shmangur kualifikimeve minimale të kërkuara dhe specifikuara në dosjen e tenderit dhe në njoftimin e kontratës me qëllim ndikimi te autoriteti kontraktues, në cilësinë e personit përgjegjës për bizneset e lartcekura, në mënyrë individuale dhe si grup i operatorëve ekonomik ka ofertuar në mënyrë të kundërligjshme duke fituar tenderin e lartcekur,
Me çka ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik” nga neni 415, paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal.
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.
Monitoruar nga Elvana Hatashi