|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Dështon seanca gjyqësore në rastin e keqpërdorimeve me subvencione

Në Gjykatën Themelore Prishtinë – Departamentin Special ka dështuar seanca gjyqësore në rastin e njohur si “Subvencionet 1”, ku 12 persona akuzohen për keqpërdorim me subvencione në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë.

“Drejtësia Sot” raporton se në këtë rast për veprat penale “Marrje ryshfeti”, “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar” dhe “Mashtrim me subvencione” akuzohen Luan Statovci, Sadat Shkodra, Salih Statovci, Berat Nika, Hasan Maxharraj, Kushtrim Zogaj, Jeton Sylaj, Lulzim Hajdaraj, Musa Nivokazi, Almir Abdurrahmani, Afrim Abazaj dhe Florim Nimanaj.

Në seancën e sotme, kryetari e trupit gjykues Kujtim Krasniqi konstatoi se mungon i akuzuari Lulzim Hajdaraj, i cili e ka njoftuar gjykatën se gjendet jashtë vendit deri me datën 5 shkurt 2024.

Me këtë rast, prokurori special Rafet Halimi propozoi veçimin e procedurës ndaj të akuzuarit Hajdaraj në mënyrë që të vazhdohet tutje me gjykimin e të akuzuarve të tjerë.

Veçimin e procedurës penale ndaj të pandehurit Hajdaraj e kundërshtuan mbrojtësit e të akuzuarve të tjerë, duke konsideruar që është tejet e rëndësishme prezenca e tij gjatë dhënies së dëshmisë nga dëshmitari S.B.

Marrë parasysh këto kërkesa të mbrojtësve të të akuzuarve, gjykata konstatoi se nuk ka kushte për të vazhduar më tej dhe vendosi që gjykimi në këtë çështje penale të vazhdojë në seancat e caktuar për datat 6, 8 dhe 9 shkurt 2024.

Aktakuza e ndryshuar më 4 prill 2022 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ngarkon Luan Statovcin, Sadat Shkodra, Salih Statovci, Berat Nika, Hasan Maxharraj, Kushtrim Zogaj, Jeton Sylaj, Lulzim Hajdaraj, Musa Nivokazi, Almir Abdurrahmani, Afrim Abazaj dhe Florim Nimanaj me veprat penale “Marrje ryshfeti”, “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar” dhe “Mashtrim me subvencione”.

Ndërsa, pasi pranuan fajësinë për kryerjen e veprës penale për të cilën akuzohen, Gjykata Themelore në Prishtinë më 19 prill 2022 kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj shtatë të akuzuarve në rastin “Subvencionet 1”.

Të pandehurit Alban Bushati, Kastriot Berisha, Bekim Shala, Flamur Zeqiri, Habibe Dauti, Dukagjin Mavraj dhe Daut Kabashi, së bashku ishin dënuar me 6 vite e 1 muaj burgim dhe 2 mijë euro gjobë.

Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.

Monitoruar nga Gentrit Kuqani

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter