|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Dështon të mbahet seanca gjyqësore ndaj gjashtë zyrtarëve komunal të akuzuar për korrupsion

Në Departamentin e Krimeve të Rënda të Gjykatës Themelore në Pejë ka dështuar të mbahet gjykimi për korrupsion ndaj gjashtë zyrtarëve të Komunës së Istogut.

Drejtësia Sot” raporton se në këtë çështje penale po akuzohen Jashar Blakaj, Elfete Blakaj, Rexhep Blakaj, Rrustem Gashi, Isa Hoxhaj dhe Besart Dreshaj, që të gjithë zyrtarë me pozita të ndryshme në Komunën e Istogut.

Ndërsa, arsye për dështimin e seancës së sotme ishte mungesa e të akuzuarit Isa Hoxhaj dhe e avokatit Ndrecë Dodaj, që në këtë rast e mbron të akuzuarin Rrustem Gashi.

Pasi që nuk kishte kushte për mbajtjen e kësaj seance, trupi gjykues i udhëhequr nga gjyqtari Murat Hulaj vendosi që seanca e radhës të mbahet me datë 18 janar 2024.

Sipas aktakuzës së  Prokurorisë Themelore në Pejë të ngritur me datë 07.09.2022, të akuzuarit Jashar Blakaj, Elfete Blakaj, Rexhep Blakaj, Rrustem Gashi, Isa Hoxhaj dhe Besart Dreshaj, që të gjithë zyrtarë me pozita të ndryshme në Komunën e Istogut kanë vepruar në kundërshtim me ligjin lidhur me lëshimin e disa lejeve dhe kushteve ndërtimore.

Prokuroria pretendon se të pandehurit Jashar Blakaj, Rrustem Gashi dhe Rexhep Blakaj se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

E akuzuara Elfete Blakaj në objektin e Komunës së Istogut në cilësinë e personit zyrtar, si përgjegjëse për Mjedis pranë Drejtorisë për Planifikim Urban dhe Mjedis, dyshohet se operatorit ekonomik ku bashkëpronar është kunati i saj, ia lëshon dhe nënshkruan lejet mjedisore me nr. 11.nr.21/2018, 11.nr.24/2019 dhe 11.nr.13/2020 me të cilat investitorit i njihet e drejta e lejes mjedisore për ndërtim të objekteve afaristo-banesore,

Prokuroria e Pejës pretendon se në këtë rast e akuzuara Blakaj ka kryer veprën penale “Konflikti i interesit”.

Dispozitivi tjetër i aktit akuzues e ngarkon të pandehurit Isa Hoxha dhe Rrustem Gashi me veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, sepse në bashkëkryerje dhe në kundërshtim me ligjin kanë lëshuar leje ndërtimore për subjektin ekonomik ‘’Graniti SH.P.K.’’ me pronar Ismet Loshi.

Tutje, sipas aktakuzës të pandehurit Besart Dreshaj, Rexhep Blakaj dhe Rrustem Gashi akuzohen se kanë keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare me rastin e lëshimit të vendimeve për leje ndërtimore për një objekt afarist-banesor dhe një ndërtesë banimi.

Kurse, Rexhep Blakaj akuzohet për konflikt interesi për shkak se si person zyrtar kishte marrë pjesë në nënshkrimin kushteve dhe lejeve ndërtimore të një investitori ku në studion projektuese punojnë familjarët e tij.

Në fund, i akuzuari Rrustem Gashi akuzohet për falsifikim të dokumentit zyrtar pasi pa autorizim nga zyrtari Besart Dreshaj kishte nënshkruar vendimet e lejeve ndërtimore për dy investitorë.

Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.

Monitoruar nga Elvana Hatashi

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter