|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Ish-inspektorët e komunës së Fushë Kosovës sërish lirohen nga akuza për korrupsion



Gjykata Themelore në Prishtinë sot ka shpallur aktgjykim lirues në rastin ku katër ish-inspektorët e komunës së Fushë Kosovës akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Në arsyetimin e këtij aktgjykimi, kryetari i trupit gjykues Gëzim Ademi theksoi se nga provat e administruara nuk është provuar se ish-inspektorët Valbona Ferati, Doruntina Dumani, Afrim Krasniqi dhe Mobere Hyseni kanë kryer veprën penale që iu vihet në barrë.

Kujtojmë që ky rast ishte kthyer në rigjykim, pasi më 20 qershor 2022, Gjykata Themelore në Prishtinë i kishte liruar të akuzuarit në mungesë të provave.

Ndërsa, Gjykata e Apelit më 1 nëntor 2022 kishte anuluar aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë, duke e kthyer lëndën në rivendosje.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore, e cila është ngritur më 14 dhjetor 2016, të akuzuarat Mobere Hyseni dhe Doruntina Dumani, akuzohen se në cilësinë e inspektoreve të ndërtimit, në Drejtorinë e Inspeksionit në Fushë-Kosovë, përgjegjëse për rrugën “Shefki Kuleta” dhe “Nëna Terezë”, në Fushë-Kosovë, nuk e kanë përmbushur detyrën e tyre zyrtare që kanë qenë të obliguara ta kryejnë në bazë të detyrave të tyre zyrtare, duke bërë zhvendosjen e pikave të ndërtimit të objektit numër I, nga pikat e parapara sipas lejes dhe vijës ndërtimore të lëshuar nga Drejtoria për Planifikim Urban e Komunës së Fushë-Kosovës.

Ndërsa, Valbona Ferati, Doruntina Dumani si inspektore të ndërtimit, dhe Afrim Krasniqi në cilësinë e drejtorit të departamentit të ndërtimit, akuzohen se gjatë periudhës kohore 2015-2016, nuk i kanë ndërprerë punimet kundërligjore dhe nuk kanë nxjerrë vendim për rrënim, duke i mundësuar në këtë mënyrë “Princesha Construction”, të përfitojë nga ndërtimet kundërligjore në dy objekte banesore tetë katëshe, i cili ka pasur tejkalim të lejes ndërtimore.

Po ashtu, të akuzuarat Ferati dhe Dumani thuhet se kanë hartuar edhe procesverbale dhe vendime për rrënim edhe atë jo në fazën e hershme të ndërtimit, por këtë e kanë bërë në kohën kur objektet ishin në fazën e avancuar të ndërtimit.

Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.


Monitoruar nga Arton Hoxha

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter