Në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin për Krime të Rënda është shtyer seanca për korrupsion ndaj të akuzuarve Begzat Musliu dhe Naim Sallahu të cilët po akuzohen se kanë kryer vepren penale ‘Keqpërdorimi i pozitës apo detyrës zyrtare’.
Musliu po akuzohet se ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare si drejtor i Njësisë së Auditimit të Brendshëm në Ministrinë e Infrastrukturës (MI).
Kurse, i akuzuari Sallahu, ish-drejtor i kompanisë “Sallahu” Sh.P.K, akuzohet për keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik.
Seanca e paraparë të mbahet sot është shtyer për shkak të mungesës së Prokurorit të shtetit Bashkim Zeqaj, i cili për shkaqe familjare ka njoftuar Gjykatën se nuk mund të jetë prezent në këtë shqyrtim gjyqësor.
Ndryshe, në këtë seancë ishte paraparë të dëgjohet dëshmitarja Valmira Bllaca, ndërsa seanca e radhës për këtë qështje u caktua të mbahet me datë: 26 janar 2024 nga ora 09:30.
Kujtojmë që, sipas aktakuzës, i akuzuari Begzat Musliu, në cilësinë e personit zyrtar, si Drejtor i Njësisë së Auditimit të Brendshëm në Ministrinë e Infrastrukturës, i ka tejkaluar kompetencat e tij, në atë mënyrë që në kundërshtim me ligjin për Auditimin e Brendshëm të Financave Publike, përkatësisht nenin 25 par. 3.3 miratimin nga udhëheqësi i subjektit të sektorit publik, ministri apo sekretari i përgjithshëm; ka kryer auditimin e lëndës së prokurimit publik me titull “Ndërtimin e urës në zgjerimin e rrugës nacionale N9 segmenti Pejë-Kuqishtë me lokacion Drelaj”.
Prokuroria pretendon se i pandehuri Musliu ka vepruar vetëm me kërkesë të Operatorit Ekonomik “Sallahu” Sh.P.K, që është e ndaluar me ligj, po ashtu i pandehuri jashtë procedurave ligjore të auditimit të brendshëm, ka përpiluar raportin e auditimit në favor të Operatorit Ekonomik ” Sallahu” Sh.P.K, me qëllim të krijimit të dobisë për atë kompani, pa i vërtetuar provat në lëndën e iniciuar kundër këtij operatori.
Përkundër asaj që nuk ka pasur autorizim, të cilin raport jashtë procedurave e ka dërguar përmes arkivës në OSHP, të njëjtit i ka dërguar Operatorit Ekonomik; ku i pandehuri përmes dërgimit të raportit të tij në OSHP, ka ndikuar që ky organ raportin e tij ta konsideroj si provë relevante duke theksuar se ja falë besimin këtij raporti dhe si rezultat i kësaj, kërkesa Drejtoreshës së Prokurimit është refuzuar nga OSHP, që OE “Sallahu” Sh.P.L të futet në listën e zezë të OSHP-së.
Me këtë i pandehuri Begzat Musliu, akuzohet se ka kryer veprën penale: Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtarë, nga neni 414 par. 1 i KPRK-së.
Tutje, në dispozitivin e dytë të aktakuzës, i akuzuari Naim Sallahu, akuzohet se me vetëdije shkel rregullat e prokurimit publik gjatë ofertës për dhënien e kontratës së prokurimit publik, duke paraqitur dokumentacion të rremë, me qëllim të mashtrimit në procedurat e prokurimit publik dhe me qëllim të ndikimit në vendimin e autoritetit kontraktues në procedurën e prokurimit publik.
Prokuroria pretendon se i akuzuari Sallahu në atë mënyrë që në pozitën e pronarit të kompanisë “Sallahu” Sh.P.K, ka ofertuar me dokumentacion të falsifikuar në Aktivitetin e Prokurimit, në të cilën lëndë ka prezantuar referencën për gjeodetin F.SH, se i njëjti kinse kishte punuar në projektin ” Ndërtimi i urës në zgjerimin e rrugës nacionale N9 segmenti Balincë” dhe në projektin” Zgjerimi i rrugës nacionale N2, segmenti hyrja në qytetin e Prishtinës (Veternik), por në projektet në fjalë nuk ka qenë i angazhuar gjeodeti F.SH.
Me këtë i pandehuri Naim Sallahu, akuzohet se ka kryer veprën penale: Keqpërdorim dhe Mashtrim në Prokurim Publik, nga neni 415 par. 1 të KPRK-së.
Kujtojmë se në këtë aktakuzë, i akuzuar ka qenë edhe Fadil Shehu, i akuzuar se në cilësinë e dëshmitarët ka dhënë deklaratë të rremë në betim, mirëpo ndaj të njëjtit është veçuar procedura pasi që është arritur marrëveshje për pranim të fajësisë me Prokurorinë e Shtetit dhe se ndaj tij është shpallur aktgjykim fajësues.
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.
Monitoruar nga: Arton Hoxha