Në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special është mbajtur seanca e radhës në rastin e vrasjes së Oliver Ivanovic, në rastin ku, Nedeljko Spasojveiq, Rade Basara, Silvana Arsoviq, Marko Rashiq, Dragisha Markoviq, Zharko Jovanoviq dhe Nedeljko Spasojeviqit akuzohen për veprat penale “Pjesëmarrje ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” lidhur me veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Vrasje e rëndë”, si dhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve”.
Në seancën e sotme, kryetari i trupit gjykues Valon Kurtaj, theksoi se konsiderohen si të lexuara deklaratat e dëshmitarëve të marra përgjatë këtij procesi gjyqësor. Tutje, mbrojtja ka theksuar një propozim të përbashkët, lidhur me propozimin e Prokurorit Special, që të lexohen provat ndër tjerash, deklarata në procedurën paraprake për të njejtit nuk mund të merren të lexuara.
Në këto rrethana, trupi gjykues morri aktvendim, me të cilin e refuzoi propozimin e mbrojtjes, me arsyetimin se deklaratat e përmendura nga mbrojtja janë të titulluara si deklarata të të pandehurve, ndër të tjera kryetari i trupit gjykues theksoi se këto prova do të administrohen dhe do të merren në konsideratë sikurse të gjitha provat e tjera. Tutje, lidhur me deklaratën e marrë ndaj të akuzuarit Nedeljko Spasojveiq, se deklarata e tij ishtë marrë në mënyrë të kundërligjshme propozim të cilin e përmendi avokti i tij Faruk Korenica, trupi gjykues morri aktvendim me të cilin e refuzoi këtë kërkesë. Në këto rrethana, trupi gjykues theksoi ndër tjerash se në seancat e radhës do të paraqitet mbrojtja e të akuzuarve si dhe do të jepet fjala përfundimtare.
Seancat e radhës do të mbahen me datë: 15, 16 shkurt dhe 7 dhe 13 mars nga ora 09:30.
Nryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale e Republikës së Kosovës, të ndryshuar më datë 10.11.2020, Nedeljko Spasojveiq, Rade Basara, Silvana Arsoviq dhe Marko Rashiq akuzohen për veprat penale “Pjesëmarrje ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” lidhur me veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Vrasje e rëndë”,
Për veprën penale “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare” po akuzohet Dragisha Markoviq, i cili po ashtu akuzohet se në bashkëkryerje me të pandehurin tjetër Zharko Jovanoviq ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Ndërsa ndaj Zharko Jovanoviqit dhe Nedeljko Spasojeviqit rëndon edhe vepra penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve”.
Në përshkrimin faktik të aktakuzës thuhet se të akuzuarit në bashkëveprim ndërmjet veti, me qëllim te shtrirjes së kontrollit në pjesën veriore të Mitrovicës si në jetën politike dhe ekonomike dhe veprimtarisë së përgjithshme të grupit kriminal të organizuar, kanë vepruar me dashje dhe dijeni për të kryer veprën penale të vrasjes së rëndë.
Aktakuza pretendon se secili nga te pandehurit ditën kritike kur edhe ka ndodhur vrasja e tani të ndjerit Oliver Ivanoviq kanë kryer veprime inkriminuese konkrete për qëllim të grupit në fjalë, me ç‘rast si pasojë e veprimeve të këtij grupi kriminal të organizuar ka ardhur deri te vrasja e tij.
Për këtë rast, gjinden në arrati M.R., Z.V. dhe Zh.B, për të cilët prokuroria ka lëshuar urdhërarrest ndërkombëtar dhe të cilët dyshohet të kenë qenë udhëheqësit e këtij grupi kriminal.
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.
Monitoruar nga: Arton Hoxha