|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Dështon të mbahet seanca e shqyrtimit gjyqësor në rastin ndaj oficerit të Shërbimit Korrektues në Burgun e Dubravës

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka dështuar të mbahet seanca e shqyrtimit gjyqësor në rastin ndaj Mentor Avdylaj, oficerit të Shërbimit Korrektues në Burgun e Dubravës, i cili akuzohet për veprën penale ‘Marrje ryshfeti’.

Përveç dështimit të mbajtjes së kësaj seance, në këtë çështje penale shqyrtimit gjyqësor filloi rishtazi, për shkak të ndërrimit të njërit nga anëtarët e trupit gjykues.

Kryetarja e trupit gjykues Fatime Dërmaku deklaroi se për shkak të avancimit të gjyqtarit Kushtrim Shyti, anëtar i trupit gjykues nga tani në këtë çështje penale do të jetë gjyqtari Ertan Sejfulla. Njëkohësisht me aprovim të palëve në procedurë procesverbalet e shqyrtimeve gjyqësore të kaluara u konstatuan të lexuara në shqyrtimin e filluar rishtazi.

Ndërsa në mungesë të dëshmitarit D.M, ku ishte planifikuar ballafaqimi me dëshmitarin A.L, dështoi të mbahej seanca e sotme, meqë rast gjyqtarja Dërmaku deklaroi se trupi gjykues e vlerëson të nevojshme ballafaqimin e këtyre dy dëshmitarëve.

Seanca e radhës u caktua të mbahet me datën 15 mars 2024, nga ora 09:00.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 12 dhjetor 2018, ka ngritur aktakuzë ndaj Mentor Avdylajt për veprën penale “Marrje e ryshfetit”, nga neni 422, par. 1 të KPRK-së dhe Astrit Lajqit për veprën penale të ndihmës në kryerjen e veprës penale të marrjes së ryshfetit, i cili tani është në cilësi të dëshmitarit bashkëpunues.

Sipas aktakuzës, Avdylaj në cilësinë e oficerit të Shërbimit Korrektues në Burgun e Dubravës, po akuzohet se kishte marrë 2 mijë euro ryshfet me qëllim të lirimit të parakohshëm të një personi nga burgu, që ishte në vuajtje të dënimit, në atë mënyrë që më 12 mars 2018, në zyrën për lirim me kusht në Qendrën e Shërbimit Korrektues në Dubravë, me dashje dhe në mënyrë të kundërligjshme, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore, kishte pranuar ryshfet përmes të akuzuarit Lajqi, nga i dëmtuari Bajram Hoti.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Avdylaj thuhet se 2 mijë euro ryshfet i kishte pranuar nga Lajqi, në pikën e karburantit “Shala Petrol”, në hyrje të Pejës, me qëllim të lirimit të Shpejtim Hotit parakohshëm nga burgu, i cili ishte në vuajtje të dënimit në Qendrën Korrektuese në Dubravë.

Ndërsa, i akuzuari Lajqi thuhet se kishte marrë 2 mijë euro ryshfet nga Bajram Hoti, në prani të dëshmitarit Sherafedin Qerimi dhe ia kishte dërguar Avdylajt.

Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.

Monitoruar nga: Leotrim Pajaziti

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter