Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është mbajtur seanca e shqyrtimit gjyqësor në çështjen penale ndaj të pandehurve – ish-ushtruesi i detyrës së Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës (MI), Nebih Shatri, ish-drejtori i Departamentit të Automjeteve në MI, Kadri Krasniqi dhe ish- Këshilltarit Politik në MI, Pjetër Ndou.
Kryetarja e trupit gjykues, gjyqtarja Fatime Dërmaku ka konstatuar se prezent në seancën e sotme ishin prokurorja Arbresha Shala, i pandehuri Kadri Krasniqi, me mbrojtës av. Murat Paqarada, i pandehuri Pjetër Ndou me mbrojtës av. Meshari Selimaj, si dhe i pandehuri Nebih Shatri me mbrojtësin e tij avokat Driton Musliu.
Seanca ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitares N.B.
Dëshmitarja, ndër të tjera, ka deklaruar se si zyrtare në kuadër të Departamentit Ligjor të Ministrisë së Infrastrukturës, gjatë vitit 2017-18, kanë pranuar kërkesa për opinione ligjore lidhur me pyetësit teorik dhe praktik.
Tutje, e njëjta ka shtuar se çështja kryesore e kërkesës në rastin konkret ka qenë se a duhet të kompensohen pyetësit e angazhuar në Ministrinë e Infrastrukturës, përkundër faktit që i kanë kryer shërbimet, dhe se nuk kanë pasur kotrata.
Poashtu, dëshmitarja ka shtuar se sipas opinionit të saj ligjor, personat që kanë dhënë shërbime ashtu siç ka kërkuar edhe vet institucioni, do të ishte e padrejtë që për shkaqe administrative, pra për shkak se nuk kanë pasur kontrata, të mos kompensohen.
Dëshmitari A.K, ndër të tjera, ka deklaruar se ka qenë anëtar i komisionit në lidhje me pyetësit teorik dhe praktik, duke theksuar se qëndron prapa deklarimit të dhënë në polici.
Për dëgjimin e dëshmitarëve të radhës, gjyqtarja Dërmaku vendosi që të dëgjohen në seancën e radhës, me datën 20 shkurt.
Sipas aktakuzës së përpiluar më 6 nëntor 2020 nga Prokuroria Themelore e Prishtinës, Nebih Shatri dhe Kadri Krasniqi ngarkohen se si persona zyrtar, në bashkëkryerje me qëllim që të tjerët të përfitojnë e duke e shfrytëzuar detyrën e tyre zyrtare kanë tejkaluar kompetencat, përkatësisht nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare.
Siç thuhet në aktakuzë, Shatri duke qenë në pozitën e u.d. Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës (MI), në kundërshtim me nenin 21 pika 2 të Udhëzimit Administrativ nr. 08/2016 nuk ka lidhur kontratat pune me pyetësit e angazhuar A.B, L.L, B.P, A,R, A.Sh, S.S, E.B, B.B, M.B, V.K, L.A, F.F, D.B, E.K, S.K, I.K, H.S, S.K, A.G, V.B, ashtu që ka lejuar që të njëjtit të punojnë gjatë vitit 2017 dhe 2018, Në Njësitë Rajonale për Patentë Shoferë në Prishtinë, Mitrovicë, Gjakovë, Pejë, Prizren, Ferizaj dhe Gjilan.
Tutje, në aktakuzë thuhet se i akuzuari Shatri në kundërshtim me Ligjin për Shërbimin Civil nuk ka zhvilluar asnjë procedurë të rekrutimit për më tepër ka ndryshuar emrat e pyetësve të propozuar nga Drejtori i Departamentit për Patentë Shofer- dëshmitari Burim Krasniqi, ashtu që i ka dërguar për vendim tek ministri i MI-ës, për çfarë sekretari i përgjithshëm pasues dëshmitari Betim Reçica, në mungesë të kontratave ka qenë i detyruar të lidhë kontrata për shërbime të veçanta në mënyrë retroaktive me 44 pyetësit, përfshirë këtu edhe pyetësit teorik të lartcekur, krejt kjo me qëllim të kompensimit të punës së kryer.
Ndërkaq, në aktakuzë thuhet se Krasniqi duke qenë në pozitën e Drejtorit të Departamentit të Automjeteve në MI, me dijeninë e të akuzuarit Shatri, gjatë vitit 2017 dhe 2018 ka lejuar hapjen e konkursit për provim për licencim për pyetës teorik për patentë shoferë, pa asnjë planifikimi paraprak, ka licencuar pyetës në njësit rajonale në tërë territorin e Republikës së Kosovës, në kundërshtim me nenin 4 pika 1.6 të Udhëzimit Administrativ nr.08/2016, nuk ka bërë verifikimin e pyetësve, kështu që ka licencuar L.A, E.B, A.Sh, S.S, L.A, F.F, B.B, F.B, E.H, H.T, R.C, E.K, I.K, A.M, D.B, V.B, F.Ç, F.Q.
Gjithmonë sipas aktakuzës thuhet se Krasniqi në kundërshtim me nenin 1.7 të njëjtit Udhëzim, ka licencuar S.K. G.K, dhe V.L, me ç’ rast të akuzuarit Shatri dhe Krasniqi i kanë shkaktuar dëm në shkallë të madhe MI-ës, gjegjësisht Buxhetit të Kosovës.
Me këto veprime prokuroria i ngarkon ata se në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 par. 1 lidhur me par 2.1 dhe 2.2 dhe nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Në dipozitivin e dytë të aktakuzës, Pjetër Ndou ngarkohet se në mënyrë të drejtpërdrejtë e me qëllim të përfitimit në të tjerëve, duke qenë në pozitën e këshilltarit politik në MI në vazhdimësi ka ushtruar ndikim tek zyrtarët e të njëjtës ministri, për dhënien e provimit të testit teorik për patentë shofer, punësim dhe tender.
Siç thuhet në aktakuzë se Ndou më datë 10 korrik 2018, dhe 21 korrik 2018, pasi ka kontaktuar përmes telefonit me dëshmitarin Faton Guta, më pas i njëjti ka ndikuar tek zyrtarët e MI-së, ashtu që Alban Berisha ta kaloj testin teorik për patentë shofer, kurse i akuzuari më datë 23 maj 2018 dhe 24 maj 2018 pas kontaktimit me telefon me vajzën e tij, Diellza Ndou, më pas ka ndikuar tek zyrtarët e Mi-së, ashtu që dëshmitarja Arjana Shoshi ta kaloj testin teorik për patentë shoferë.
Gjithmonë sipas aktakuzës thuhet se Ndou me datë 06 korrik 2018, pasi ka kontaktuar përmes telefonit me ministrinë Pal Lekaj, më pas ka ndikuar tek zyrtarët e MI-së, ashtu që Labinot Mehmeti ta kaloj testin teorik për patentë shofer.
Tutje, në aktakuzë thuhet se i akuzuari Ndou më datë 03 korrik 2018, pasi ka kontaktuar me telefon me dëshmitarin Donat Syla, ku më pas ka ndikuar tek zyrtarët e MI-së që i njëjti ta kaloj testin teorik për patentë shofer, kurse më datë 16 gusht 2018, përmes telefonit ka ndikuar tek Koordinatorja Rajonale për Pyetës Teorik për Patentë Shofer të MI-së, Filiz Krasniqi, ashtu që Yll Bestelica ta kaloj testin teorik për patentë shofer.
Më tutje, thuhet se i akuzuari Ndou më datë 9 gusht 2018 dhe 10 gusht 2018, pasi ka kontaktuar përmes telefonit me dëshmitarin Hajdar Sufaj, i akuzuari më pas ka ndikuar tek zyrtarët e MI-së ashtu që Arbër Beqaj t’ia kaloj testin teorik për patentë shofer.
Ndërsa, sipas aktakuzës thuhet se i akuzuari Ndou më datë 21 qershor 2018 dhe 15 gusht 2018, pasi ka kontaktuar me dëshmitarin Avni Mazreku, i akuzuari ka ndikuar më pas ka ndikuar tek zyrtarët e MI-së që operatori Ekonomik “ISPE VOYAGES” sh.p.k, të fitoj linjën e re të transportit për relacionin “Gjakovë-Xërxë-Rahovec-Malishevë-Prishtinë”, “Prizren-Sllatinë-Prishtinë”, dhe “Malishevë-Prishtinë”.
Tutje, në aktakuzë thuhet se i akuzuari Ndou në kundërshtim me pozitën e tij zyrtare ka ndikuar në komisionin përzgjedhës për ekzaminer, gjerësisht tek kryetari i komisionit-dëshmitari Mirdit Emini se si të bëhet përzgjedhja e kandidatëve për ekzaminer.
Me këto veprime prokuroria e ngarkon Ndou se në vazhdimësi ka kryer veprën penale “Ushtrim ndikimi” nga neni 431, par 1 lidhur me nenin 81 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.
Monitoruar nga Gentrit Kuqani