Në seancën e sotme, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, me trupin gjykues Kujtim Krasniqi si kryetar, dhe anëtarët Valon Kurtaj dhe Lutfi Shala, është mbajtur seanca e radhës në rastin ‘Subvencionet 1’. Të akuzuar janë: Luan Statovci, Sadat Shkodra, Salih Statovci, Berat Nika, Hasan Maxharraj, Kushtrim Zogaj, Jeton Sylaj, Lulzim Hajdaraj, Musa Nivokazi, Almir Abdurrahmani, Afrim Abazaj dhe Florim Nimanaj të cilët nga Prokuroria Speciale, ngarkohen për kryerjen e veprave penale: “Marrje ryshfeti”, “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”, dhe “Mashtrim me subvencione”.
Duke vazhduar shqyrtimi gjyqësor në këtë cështje, në agjendën e seancës së sotme gjyqësore është paraparë marrja në pyetje e katër dëshmitarëve. Gjykata në marrjen në pyetje të secilit dëshmitarë, kishte larguar të tjerët nga salla e gjykimit.
Dëshmitari i parë për seancën e sotme ishte dëshmitari bashkëpunues F.M, i cili gjatë marrjes në pyetje nga Prokurori i cështjes Rafet Halimi, lidhur me aplikimin për subvencione gjatë vitit 2020 dhe pyetjeve pasuese nga kjo, kishte deklaruar se ai fillimisht kishte kultivuar grurë, e pas arritjes së një marrëveshje me të akuzuarin Sali Statovci, ai kishte bërë kërkesë pranë Ministrisë së Bujqësisë për ndryshim të kulturës, ku kishte kaluar në kamomil.
Dëshmitari bashkëpunues në fjalë, kultivonte në 109 hektar tokë, dhe fitimi nga kalimi prej grurë në kamomil, ka shprehur në seancën e sotme, ishte 700.00 Euro më i madh për hektar. Në pyetjet pasuese nga prokurori, dëshmitari bashkëpunues F.M, ka deklaruar që fitimi gjatë asaj kohe është ndarë 50-50, me të akuzuarin, ndërsa fitimi i gjithmbarshëm për vitin 2020, për dëshmitarin kishte qenë 109,000.00 Euro.
Pyetjet e tjera ishin edhe nga mbrojtësi i të akuzuarit Sali Statovci, Avokat Tahir Rrecaj, ku për qartësimin e pyetjeve të një pas njëshme se si ishte takuar me të akuzuarin, dhe përgjigjet e vazhdueshme nga dëshmitari se nuk e kishte njohur më herët por vetëm ditën e parë të takimit me të – në përfundim dëshmitari deklaroi se inciativa për t’u takuar me të akuzuarin ishte nga kolegu i dëshmitarit K.B, ndërsa inciativa për ndërrim të kulturës ishte nga i akuzuari Sali Statovci.
Në vazhdim iështë marrë në pyetje dëshmitari bashkëpunues A.M, ku ishte pyetur për “ish-makinën” e tij, e të cilën nga pyetjet pasuese dhe provat e prezentuara nga Prokuroria Speciale, u vërtetua se kishte përfunduar tek i akuzuari Kushtrim Zogaj që në atë kohë kishte punuar në një barnatore bujqësore dhe jo përmes kontratës së shitblerjes, por përmes autorizimit për shfrytëzim të veturës, në vitin 2020.
I njejti deklaroi se kompensimi lidhur me këtë ishte bërë në mënyrë të pjesshme, ku pagesa me para ishte në vlerë 11,000.00 euro dhe pjesa tjetër e kompensimit përmes farave dhe plehut.
Në fund është dëgjuar edhe dëshmitari S.B. Për dëgjimin e këtij dëshmitari, avokati Granit Vokshi paraprakisht kërkoi nga gjykata që dëshmitari edhe një herë të lexonte deklaratën se ishte nën betim për arsye se kishte konfuzitet nëse dëshmitari të njëjtën e kishte lexuar edhe para se të jepte dëshmitë në Prokurori, kështu duke e paralajmëruar gjykata dëshmitarin bashkëpunues, lidhur me sanksionin ligjor në rast të dhënies së dëshmive të rrejshme nën betim.
Dëshmitari bashkëpunues S.B, ishte pyetur lidhur pronat në të cilën ndodhet kultura që ai mbjell. I njëjti kishte shprehur që ai kultivon në toka të cilat janë pronë e Komunës së Istogut, dhe këtë e bën që nga viti 2008 gjer më 2016, me Kontratë. Ndërsa nga 2016 e deri më sot, pa kontratë. Dëshmitari në fjalë u pyet për lidhjet e tij me të akuzuarin Kushtrim Zogaj, ku u shpreh që e njeh si zyrtar në Drejtorinë e Bujqësisë, e që disa minuta më vonë në shyqrtim gjyqësor, ka shprehur që e njeh edhe nga barnatorja bujqësore në Istog, ku edhe dëshmitari ishte furnizuar.
Lidhur me dëshmitarin A.K, u bë e ditur se ky i fundit pasi nuk ishte brenda shtetit dhe për këtë e kishte njoftuar gjykatën, njëkohësisht kishte kërkuar që dëshmia e tij të merret nëpërmjet videolink. Gjykata për marrjen e dëshmisë në këtë formë, ka shprehur që nuk posedon pajisjet momentalisht. Ashtu që të mund të merret edhe dëshmia e dëshmitarit A.K, trupi gjykues njoftoi palët se do mundohen të kontaktojnë me Gjykatën Themelore në Gjilan, e cila posedon pajisjet në fjalë për marrjen e dëshmisë, andaj edhe seanca e radhës ka mbetur të konfirmohet nesër më datë 07.02.2024, tek palët, nëse mund të mbahet në Gjykatën Themelore në Gjilan më datë 08.02.2024.
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.
Monitoruar nga: Rina Murseli