|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Dështon të mbahet shqyrtimi gjyqësor i të akuzuarve për Korrupsion në Komunën e Rahovecit  

Në Gjykatën Themelore në Gjakovë, Departamenti për Krime të Rënda, është shtyer shqyrtimi i sotëm gjyqësor ndaj të akuzuarve Astrit Mullaabazi, ushtrues i detyrës se menaxherit të prokurimit në Komunën e Rahovecit për keqpërdorim të detyrës si dhe Tahir Bala, pronar i bizneseve për mashtrim në prokurim publik.

Me kërkesën e të akuzuarit Astrit Mullaabazi është shtyer seanca e sotme gjyqësore, ku këtë e ka konfirmuar gjyqtari i çështjes Drilon Haraçia.  Këtë kërkesë i akuzuari e ka bërë për shkaqe shëndetësore të një familjari të tij.

Sipas gjyqtarit Haraçia, palët janë njoftuar me kohë për anulimin e kësaj seance gjyqësore.

Sipas aktakuzës, Astrit Mullabazi po akuzohet se në cilësinë e ushtruesit të detyrës se menaxherit të prokurimit në Komunën e Rahovecit, nga intervali kohor duke filluar nga muaji korrik deri në fund të muajit nëntor të vitit 2019, ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare për t’i sjellë dobi të kundërligjshme pasurore Tahir Balës, si dhe t’i shkaktojë dëm operatorëve tjerë pjesëmarrës në tenderim, këtë e ka bërë në atë mënyrë që duke vepruar në kundërshtim me nenin 24, paragrafi 1 dhe nenin 62, paragrafi 1.1 të Ligjit për prokurimin publik, i ka mundësuar operatorit ekonomik të ofertojë në mënyrë të kundërligjshme si individual dhe në grup të operatorëve ekonomik, pronarit të bizneseve “AGE Group Shpk” dhe “DC Group Shpk”, Tahir Bala, që t’i fitojë tenderët: “Ndërtimi i QMF-së në fshatin Qifllak”, në shumën prej 82 mijë  e 996 euro e 59 centë, tenderin: “Furnizimi me material ndërtimor për merimentim të shtëpive për persona në nevojë”, në shumën prej 8 mijë e 857 euro e 50 centë, tenderin: “Ndërtimi i pllakës përkujtimore Altari i Lirisë”, në shumën prej 13 mijë e 466 euro, duke nënshkruar kontratat e punës për operatorët ekonomik fitues të tenderëve, duke favorizuar operatorin ekonomik në kundërshtim me dispozitat e ligjit të zbatueshëm.

Me çka ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës zyrtare apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, paragrafi 1 i Kodit Penal.

Sipas aktakuzës, i akuzuari tjetër Tahir Bala po ngarkohet se gjatë intervalit kohor të lartcekur duke shkelur rregullat për prokurimin publik, gjatë një oferte për dhënien e kontratës së prokurimit publik, i njëjti ka paraqitur dokumente të rreme me qëllim të mashtrimit dhe ndikimit të autoritetit kontraktues në cilësinë e personit përgjegjës, pronar i bizneseve “AGE Group Shpk” dhe “DC Group Shpk”, si operator në mënyrë individuale dhe si grup i operatorëve ekonomik ka ofertuar në mënyrë të kundërligjshëm, duke fituar tenderët e lartcekur, në kundërshtim me rregullat dhe Udhëzuesin Operativ për Prokurimin Publik me nenin 27, paragrafin 5.

Me çka ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik” nga neni 415, paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal.

Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.

Monitoruar nga Elvana Hatashi

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter