|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Deklarohet i pafajshëm i akuzuari në rastin e vrasjes së Oliver Ivanovic

Sot, më datë 12 Mars 2024, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, me gjyqtar Lutfi Shala, është mbajtur shqyrtimi fillestar lidhur me të akuzuarin Milan Mihajlovic, i akuzuar për përfshirjen në rastin e vrasjes së politikanit serb Oliver Ivanovic.

Me hapjen e shqyrtimit, pas leximit të aktakuzës nga Prokurori i Prokurorisë Speciale – Burim Çerkini, i akuzuari Milan Mihajlovic është deklaruar i pafajshëm.

Në fund të kësaj seance, gjyqtari i rastit ka udhëzuar mbrojtësin e të akuzuarit, Avokatin Miodrag Brkljac, që brenda afatit 30-ditor, të paraqes kundërshtimet lidhur me provat e bashkangjitura në aktakuzë.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale, Milan Mihajlovic akuzohet për pjesëmarrje në grupin kriminal të organizuar, pengim i të provuarit apo procedurës zyrtare, kanosje dhe për falsifikim të dokumenteve. Në bazë të aktakuzës, nga viti 2014 e tutje, si anëtar i grupit të organizuar dhe i strukturuar kriminal së bashku me Nedelkjo Spasojeviq, Marko Roshiq, Silvana Arsoviq dhe Rade Basara, duke vepruar nën udhëheqjen e Zvonko Veselinoviq dhe Milan Radoiçiq, me role të caktuara dhe në bashkëpunim ndërmjet vete kanë vepruar për një periudhë të gjatë kohore, ku secili nga të pandehurit kanë kryer veprime inkriminuese konkrete për qëllime të grupit në fjalë, me ç’rast si pasojë e veprimeve të këtij grupi ka ardhur deri tek vrasja e tani të ndjerit Oliver Ivanoviq.

Nga dispozitivi i parë i aktakuzës thuhet se i njëjti më 2 mars 2019, në Mitrovicë, deri sa ishte duke u zhvilluar procedura penale për disa nga të akuzuarit, me qëllim të nxitjes së dëshmitarit B1 për të refuzuar dhënien e dëshmisë në procedurë paraprake, e që paraprakisht kishte dijeni se është dëshmitar anonim në këtë proces, ku gjatë bisedës në lidhje me vrasjen e Ivanoviqit i ka thënë Mos u bë i marrë, mos më lidh mu me këtë punë”.

Ndërsa, kur i kishte thënë se “ti e din shumë mirë se kush po i kryen këto vrasje, këto krime”, i pandehuri Mihajloviq e ka kanosur me fjalët Mos i përmend këto gjëra, se për këto të shkon edhe koka sepse pas këtyre gjërave qëndrojnë forcat e fuqishme shtetërore”.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprat penale Pjesëmarrje ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, nga neni 283 paragrafi1 lidhur me veprën penale “Pengim i të provuarit apo procedurës zyrtare”, nga neni 394 paragrafi 1 nën paragrafi 1.7 lidhur me paragrafët 4 dhe 5 të KPRK-së.

Ndërkaq, dispozitivi i dytë i akuzës thotë se Mihajloviq më 25 tetor 2021, përmes telefonit e ka kanosur seriozisht personin zyrtar, hetuesin e Inspektoriatit Policor të Kosovës (IPK), tani të dëmtuarin Zhivorad Jovanoviq, në atë mënyrë që Mihajloviq përkundër që kishte urdhërarrest aktiv, ishte intervistuar nga Policia e Kosovës në Mitrovicë dhe ishte liruar dhe për këtë arsye IPK kishte filluar hetimet ndaj zyrtarëve policorë të cilët e kanë liruar të njëjtin.

Më tej, në dosje thuhet se me të kuptuar se IPK ka filluar hetimet ndaj policëve, i pandehuri Mihajloviq përmes telefonit e kërcënon me fjalët “E kam siguruar numrin e telefonit tuaj, e di se ku jeton dhe i di të gjitha lëvizjet e tua, kush je ti që më ndjek mua, keni me pa se si do të përfundoni”, me ç’rast ka shkaktuar frikë tek zyrtari hetues i IPK-së. Me këto veprime, Mihajloviq akuzohet se ka kryer veprën penale Kanosje”, nga neni 181, paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.

Tutje, sipas dispozitivit të tretë të kësaj akuze, Mihajloviq akuzohet se më 19 tetor 2022, në Mitrovicë, derisa njësitë policore ishin duke kryer arrestimin e tij sipas urdhërarrestit të lëshuar nga Gjykata, i njëjti prezantohet se nuk është personi Milan Mihajloviq, por që është një tjetër person me emrin Zvezdan Andrejiq.

Mirëpo, gjatë kontrollit të njëjtit i është gjetur edhe letërnjoftimi i Republikës së Serbisë, i falsifikuar në emër të Zvezdan Andrejiq por me foto të tij, të cilin e kishte përdoruar me qëllim të mos arrestimit të tij. Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale Falsifikim i dokumenteve”, nga neni 390, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.

Shënim: I akuzuari i përmendur në këtë postim konsiderohet i pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tij me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.

Monitoruar nga Rina Murseli

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter