|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Është dhënë fjala përfundimtare në gjykimin për mashtrim me subvencione

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është mbajtur seanca e shqyrtimit gjyqësor ndaj të akuzuarave Zoja Krasniqi, Albulena Rama-Gashi, Armend Gashi, Valon Bllacaku, Arjeta Koraqi dhe Dafina Qela. Ata po ngarkohen me veprat penale: “Konflikti i interesit”, “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Mashtrim me subvencione”.

Fillimisht, gjyqtarja Fatime Dërmaku ka konstatuar prezencën e palëve në procedurë.

Palët në procedurë kanë dorëzuar me shkrim fjalën përfundimtare, mirëpo e kanë elaboruar të njëjtën.

Prokurorja Shenaj Berisha, në fjalën përfundimtare, ka deklaruar se mbetet pranë aktit akuzues sa i përket të akuzuarës Zoja Krasniqi, Albulena Gashi dhe të akuzuarit Valon Bllacaku, duke i propozuar gjykatës që të njëjtit të i shpall fajtorë dhe të i dënoj sipas ligjit.

Sa i përket të akuzuarës Dafina Qela, Arjeta Koraqi dhe të akuzuarit Armend Gashi, Prokuroria është tërhequr nga akuza.

Përfaqësuesi i Komunës së Prishtinës, ka qëndruar prapa fjalës përfundimtare të prokurores, duke kërkuar që të kompensohen për dëmin e shkaktuar.

Mbrojtësi i të akuzuarës Krasniqi, ka deklaruar se që nga fillimi i këtij procesi, as edhe një provë e vetme nuk ka vërtetuar kryerjen e veprës penale nga ana e të akuzuarës.

Lidhur me të akuzuarën Gashi, mbrojtësi i saj ka kontestuar në tërësi gjendjen faktike të përshkruar në aktin akuzues, duke konsideruar që ka arritur parashkrimi absolut, si dhe i ka propozuar gjykatës që të merret për bazë kualifikimi i veprës penale.

Mbrojtësi i të akuzuarit Bllacaku, ka deklaruar se aktakuza është e paqëndrueshme dhe se e njëjta bazohet vetëm në supozime. Tutje, i njëjti i ka propozuar gjykatës që të mbrojturin e tij t’a shpall të pafajshëm.

Në koherencë të kësaj, gjyqtarja Fatime Dërmaku ka konstatuar se shqyrtimi gjyqësor ka përfunduar, duke theksuar se shpallja e vendimit do të bëhet me datën 15 mars.

Sipas dosjes së Prokurorisë Speciale, Zoja Krasniqi, e cila në periudhën kohore kritike mbante pozitën e zyrtares në Drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport, akuzohet se ka vepruar në kundërshtim me autoritetin e saj zyrtar.

Ajo dyshohet se që nga viti 2010 e deri në viti 2014 ka përpiluar dosje fiktive përmes të cilave u ka mundësuar familjarëve të saj – Arben dhe Armend Gashi, Albulena Rama dhe Valon Bllacaku të përfitojnë në mënyrë të kundërligjshme përmes subvencioneve në kuadër të Komunës së Prishtinës.

Sipas dosjes së Prokurorisë, përmes këtyre veprimeve familjarët e saj kanë përfituar rreth 25 mijë euro nga këto subvencione të ndara për projekte të ndryshme, e të cilat nuk u realizuan asnjëherë.

Lidhur me këto veprime, mbi Krasniqin rëndojnë akuza për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Në vazhdim, e akuzuara Albulena Rama – Gashi në vazhdimësi ka aplikuar për subvencione me projekte fiktive në emër të Shpresa Krasniqit, duke shfrytëzuar pozitën e kunatës së saj – Zoja Krasniqit. Përmes këtyre veprimeve, Rama – Gashi dyshohet të ketë fituar shumën 10,150 euro me ç’rast Prokuroria e ka ngarkuar me akuzën se ka kryer veprën penale – mashtrim me subvencione.

Projektet fiktive të së njëjtës i ka shfrytëzuar e akuzuara Dafina Çela, e cila ka aplikuar në projektet “Suksesi varet nga përpjekjet” dhe ‘’Rinia e jonë” me ç’rast akuzohet se përmes veprës penale – mashtrimi në subvencione ka përfituar shumën prej 1,115 euro.

Sipas Prokurorisë Speciale, e akuzuara Rama-Gashi me të akuzuarën Arjeta Koraqi, në bashkëkryerje kanë aplikuar për subvencione me projektin fiktiv “Roli dhe rëndësia e te rinjve në procesin e Integrimit Evropian” me ç’rast dyshohet të ketë pasur përfitim prej 800 eurosh.

Ndërsa i akuzuari Armend Gashi dyshohet se në vazhdimësi ka aplikuar për subvencione me një mal projektesh fiktive, duke shfrytëzuar pozitën e motrës së saj – të akuzuarës Zoja Krasniqit.

Përmes këtyre projekteve, Gashi dyshohet të ketë përfituar mbi 10 mijë euro.

Kurse me dy projekte fiktive kishte aplikuar i akuzuari Valon Bllacaku, i cili duke shfrytëzuar pozitën e motrës së dhëndrit të tij – të akuzuarës Krasniqi, dyshohet të ketë përfituar shumën mbi 2 mijë euro.

Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.

Monitoruar nga Gentrit Kuqani

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter