Në Gjykatën Themelore në Prishtinë janë paraqitur fjalët përfundimtare të palëve në rastin ndaj të akuzuarit Sabri Shabani për veprën penale ‘Marrje ryshfeti’.
Në fjalën përfundimtare, prokurori Bashkim Zeqaj deklaroi se në këtë proces janë dëgjuar disa dëshmitarë dhe se i pandehuri veprën e ka kryer me dashje, duke dëshiruar pasojën, pasi ka kërkuar të hollat nga pala tjetër, veprimet e tij bien ndesh me ligjin në fuqi dhe se një polic nuk duhet të bie ndesh me dispozitat e kaptitullit XXXIII lidhur me veprat kundër korrupsionit zyrtar, meqë rast prokurori kërkoi nga trupi gjykues që i njëjti të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.
Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit Sabri Shabani, avokati Flamur Bllacaku deklaroi se prokuroria nuk ka vërtetuar që i pandehuri ka kryer veprën penale, sipas tij mbrojtësi i tij ka qenë duke kryer punën e vet atë ditë. Poashtu mbrojtësi Bllacaku kërkoi nga trupi gjykues që të marrin vendim meritor duke analizuar të gjitha provat dhe që të marrin aktgjykim lirues në këtë rast.
‘Unë jam shumë i dëmtuar’, deklaroi i pandehuri Shabani në fjalën përfundimtare të tij, duke theksuar se dëmet i janë shkaktuar si në familje, shoqëri etj., për shkak të këtij rasti.
Shpallja e aktgjykimit do të bëhet me datë 14 mars 2024, në ora 09:00.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore, i pandehuri Sabri Shabani, akuzohet se ka kryer veprën penale ‘Marrje ryshfeti’ nga neni 421, par.2 të KPRK-së, në atë mënyrë që më datë 28 prill 2022 në cilësi të personit zyrtar si zyrtar policor dhe kolegu i tij Fisnik Rakoci ishin duke u marrë me një aksident trafiku, i pandehuri Sabri Shabani e ndalon autobusin me targa 01-599-QQ të kompanisë ‘Dita’ gë ishte duke qarkulluar në linjën e rregullt Prishtinë-Poduievë e të cilin autobus ishte duke e drejtuar Ruzhdi Dili dhe ua merr librezën e qarkullimit të autobusit të markës Setra, me pretendim se kanë kryer kundërvaitie në trafik duke hyrë në semaforë të kuq dhe nuk i kanë respektuar urdhrat e personit zyrtar. Në këtë rast i dyshuari Sabri Shabani duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare të tij me qëllim që të përfitoj cfarëdo dobie për vete ose për personin tjetër në atë mënyrë që i pandehuri Sabri Shabani i vetëdijshëm për veprën e vet dhe duke e dëshiruar kryerjen e saj, në cilësi të personit zyrtar si zyrtar policor, me datën 28 prill 2022 në mënyrë të drejtpërdrejtë përmes telefonit duke e telefonuar të pandehurin Hajdar Dili kishte kërkuar ryshfet shumën prej 50 € (pesëdhjetë eurove) për vete me qëllim që të pandehurit Hajdar Dili të ja kthente librezën e qarkullimit të autobusit, e ku i dyshuari Sabri Shabani me date 28 prill 2022 para Stacionit Policor Veriu në Prishtinë ja dorëzon të pandehurit Hajdar Dili në kundërvlerë prej 50 eurove librezën e qarkullimit të autobusit të markës Setra 315 me targa pronë e kompanisë Dili.
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.
Monitoruar nga Leotrim Pajaziti