Në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin për Krime të rënda, është mbajtur shqyrtimi gjyqësor në rastin e të akuzuarit Sherif Hoti, i cili akuzohet nga Prokuroria për veprën penale, Keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar.
Seanca ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit të parë N.Sh.
Dëshmitari theksoi se përgjatë vitit 2019 kishte punuar në Komunën e Obiliqit, kurse rreth komisionit për vlersimin e tenderit për asfaltimin e rrugës Mazgit – Dardhishtë, shtoi se kishte qenë pjesë dhe ishte caktuar me vendim të kryetarit të Komunës.
Ndërsa, lidhur me verfikimin e të kaluarës kriminale për ofertuesit të tenderit, dëshmitari shtoi se në punën e komisionit vlerësues nuk kishin kërkuar këtë gjë.
Dëshmitari i dytë, S.H. shtoi se kishte qenë anëtar i Komisionit vlerësues dhe ishte emëruar nga Drejtoria e Shërbimeve publike, tutje dëshmitari theksoi se përgjatë vlerësimit të punës si komision kanë bërë verifikimin e kushteve ligjore të kompanive aplikuese.
Tutje, në pyetjen e Prokurorës së shtetit Bukurie Gjonbalaj, lidhur me përfundimin e vlerësimit se si ishte bërë, dëshmitari shtoi se ishte vlersuar se cila kompani është më e përshtatshme dhe pastaj ishte rekomanduar për të fituar tenderin.
Dëshmitarja e tretë, V.B, theksoi se përgjatë vitit 2019, kishte punuar si zyrtare e prokurimit në Komunen e Obiliqit.
Tutje, lidhur me detyrat e saj si zyrtare e prokurimit në pyetjen e Prokurorës Gjonbalaj, dëshmitarja shtoi se kishte për detyrë shkarkimin e oferatve dhe prezentimin në komision.
Dëshmitari i katërt, E.S, theksoi se kishte qenë pronar i një firme ndërtimore Delta ing në vitin 2019. Tutje, lidhur me aplikimin në tenderin për asfaltimin e rrugës Mazgit – Dardhishtë, dëshmitari shtoi se kishin aplikuar së bashku me një firmë tjetër.
Ndërsa, lidhur me dorzëzimin e deklaratës nga Përparim Sopjani, nën betim në cilësin e drejtorit të kompanisë Delta ing duke rezultuar se i njejti si ofertues është i përshtatshëm, dëshmitari shtoi se nuk i kujtohet që ai ka pasur këtë pozitë dhe nëse e ka nënshkruar një deklaratë të tillë.
Dëshmitari i pestë, theksoi se përgjatë vitit 2019, kishte qenë pronar i kompanisë Graniti Shpk. I njejti shtoi se, kishin aplikuar në tenderin për asfaltimin e rrugës Mazgit – Dardhishtë së bashku me dy firma tjera.
Ndërsa, në momentin e aplikimit lidhur me atë se pronari i Delta Ing a kishte qenë i dënuar, dëshmitari shtoi se me pronarin nuk ishte njohur dhe për dënimin e tij nuk kishte pasur njohuri por i njejti shtoi se nëse do e kishte ditur nuk do të hynte në këtë marrëveshje.
Kurse, dëshmitari i fundit theksoi se gjatë vitit 2019 kishte punuar në Komunën e Obiliqit, ndërsa lidhur me projektin në fjalë dëshmitari shtoi se kishte qenë menaxher i projektit dhe si detyrë e tij kishte qenë mbiqkqyrja e punimeve.
Seanca e radhës u caktua të mbahet me datë: 22 prill nga ora 09:30.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë, i akuzuari Sherif Hoti në cilësinë e personit zyrtar në Komunën e Obiliqit, akuzohet se ka tejkaluar kompetencat e tij lidhur me cështjen e prokurimit publik në tenderin e shpallur për asfaltimin e rrugës Mazgit – Dardhishtë me veprimet e tij i njejti i ka shkaktuar dëm buxhetit shtetëror.
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.
Monitoruar nga: Arton Hoxha